Futbolli spanjoll po përgatitet për një ndryshim të rëndësishëm teknologjik në sezonin e ri, teksa Federata Spanjolle e Futbollit ka vendosur të implementojë një version “low cost” të VAR-it për kategoritë më të ulëta të garës.
Teksa VAR-i (Video assistant referee) është kthyer në një ndihmë të madhe për arbitrat në zgjidhjen e episodeve të diskutueshme, kostoja e lartë e pajisjeve dhe stafit teknik e ka bërë të papërballueshëm për ligat më të vogla. Por duke nisur nga sezoni i ri, sistemi do të aplikohet në mënyrë të thjeshtuar në kategorinë e tretë spanjolle, si dhe në futbollin e femrave.
Sistemi nuk do të ketë një sallë klasike VAR-i, si në La Liga, por do të funksionojë ndryshe.
Arbitri kryesor i ndeshjes do të ketë mundësi të rishikojë pamjet me ndihmën e një operatori teknik pranë fushës. Trajnerët e dy skuadrave do të kenë të drejtë të kërkojnë rishikim vetëm në rastet e golave dhe penalltive, për shkak të kufizimeve në infrastrukturë dhe numrin e kamerave.
Ky model synon të sjellë më shumë drejtësi në vendimet finale pa i rënduar klubet me shpenzime të mëdha. Një hap inovativ që pritet të shërbejë si eksperiment edhe për federatat e tjera, që synojnë të demokratizojnë përdorimin e teknologjisë në futboll.
Komente
