Mijëra materiale të çmuara, ndër vite në errësirën e arkivave të Universitetit Politeknik të Tiranës, do të dalin në dritë për herë të parë. Filma në 35 mm dhe 16 mm, mijëra foto historike, sot të rrezikuara për shkak të kohë dhe kushteve teknike jo të mira, do t’i nënshtrohen një procesi digjitalizimi dhe pastrimi pas marrëveshjes së firmosur mes universitetit dhe Arkivit Qendror të Filmit
“Universiteti Politeknik i Tiranës, që më përpara ka qenë Universiteti i Tiranës ka pasur një laborator filmi dhe laborator fotografie, që pasqyronte gjithë aktivitetin e universitetit, që nga themelimi deri në ditët tona. Këtë arkivë ne e disponojmë sot si universitet politeknik dhe e ruajmë në kushtet që e ruajmë ne sot. Prandaj ne falenderojmë Arkivin Qendror të Filmit Shqiptar për ndihmën që do japë për dixhitalizimin e këtij arkivi.”, - thotë Akli Fundo, rektor i Universitetit Politeknik.
Në fund, të gjitha materialet që do të dixhitalizohen, do të jenë në shërbim të universitetit.
“Është një nismë që do të vazhdojë. Pas Universitetit të Tiranës do të vazhdojë edhe me arkiva të tjera, që kanë problemet e tyre, por që nuk janë evidentuar ashtu siç duhet ende sot. Materialet përmbajnë jetën social-kulturore shqiptare.”, - bën me dije drejtori i AQSHF-së, Eljan Tanini.
Pjesë e këtyre materialeve janë edhe disa xhirime me ngjyra apo fotografi dëshmi të kohës.
“Materialet nuk janë vetëm filmike, por janë dhe negativë të fotografisë. Ata e kanë skanuar dhe kanë një databazë të materialit të fotografisë në pozitiv, negativin e kanë të paprekur. Pra është një risi. Do të jetë edhe një pasuri për arkivin, sepse duke qenë se është institucion qendror, e mira është të dokumentohen dhe të ruhen si gjurmë të historisë së Shqipërisë. Puna do të jetë relativisht e madhe sepse materialet nuk janë fortë në gjendje të mirë, por është si të thuash një dritare tjetër e historisë, e parë ndryshe në atë kohë, kështu që është pasuri për të dyja institucionet, jo vetëm për ne, por edhe për shqiptarët.”, - vlerëson Hermelinda Troqe, inxhiniere kimiste në AQSHF.
Materialet që do të përftohen nga ku proces do të jenë në dobi, edhe të shoqërisë shqiptare dhe të të huajve, të cilët kanë interes për veprimtarinë sociale, kulturore dhe politike të shoqërisë shqiptare ndër vite.
Komente
