Ukraina ka pranuar propozimin e SHBA për një armëpushim 30-ditor me Rusinë, pas më shumë se 3 vitesh nga nisja e konfliktit.
Presidenti Volodymyr Zelensky ka dhënë dakordësinë e tij për këtë armëpushim të propozuar nga Uashingtoni pas takimit të mbajtur për mbi 9 orë në Arabinë Saudite, mes një delegacioni ukrainas dhe atij amerikan.
Si rrjedhojë, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të heqin menjëherë pezullimin e ndihmës ushtarake dhe të ndarjes së informacionit të inteligjencës për Ukrainën.
Ky vendim u bë i ditur pas bisedimeve mes delegacioneve të Uashingtonit dhe Kievit, të zhvilluara në Jeddah, Arabinë Saudite.
Në deklaratën e përbashkët të publikuar pas takimit, konfirmohet se ndihmat e SHBA-së do të rifillojnë pa vonesë, duke forcuar mbështetjen për Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus.
Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se do të flasë me liderin e Kremlinit, Vladimir Putin, “këtë javë”, me shpresën për të arritur një “armëpushim të plotë në ditët në vijim”.
Gjatë këtyre negociatave, palët ranë dakord edhe për përshpejtimin e marrëveshjes mbi shfrytëzimin e burimeve minerare të Ukrainës nga Shtetet e Bashkuara. Kjo marrëveshje do të finalizohet “sa më shpejt të jetë e mundur”, sipas njoftimit zyrtar.
Maria Zakharova
Rusia nuk përjashton mundësinë e kontakteve me përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara në ditët e ardhshme. Kështu ka deklaruar zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, e cituar nga agjencia Tass.
Donald Trump
Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se do të flasë me liderin e Kremlinit, Vladimir Putin, “këtë javë”, me shpresën për të arritur një “armëpushim të plotë në ditët në vijim”.
Por, duke folur para mediave, ai shtoi: “Për të kërcyer tangon duhen dy veta.”
Donald Trump
Donald Trump u tha gazetarëve se do të ishte i hapur për të ftuar përsëri Presidentin Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë pas bisedimeve mes SHBA-së dhe Ukrainës në Arabinë Saudite sot.
Më pak se dy javë më parë, Zelensky u përball me një kritikë të ashpër përpara mediave botërore, pasi Presidenti Trump dhe zëvendëspresidenti i tij, JD Vance, i kërkuan të shprehte më shumë mirënjohje për vitet e mbështetjes amerikane.
Donald Trump
“Do të takohemi me rusët sonte ose nesër.” Kështu ka deklaruar Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, duke komentuar marrëveshjen me Ukrainën për armëpushimin 30-ditor.
Nëse Rusia nuk do të pranojë armëpushimin 30-ditor të propozuar nga SHBA, “atëherë, fatkeqësisht, do të dimë se kush është pengesa për paqen këtu.”
Kështu ka deklaruar Sekretari i Shtetit i SHBA, Marco Rubio, pas bisedimeve amerikano-ukrainase në Jeddah.
I pyetur nëse Moska do të ketë një afat për t'iu përgjigjur propozimit për armëpushim, Rubio u përgjigj: "Do t'ua paraqesim ofertën. Do t'u themi se kjo është mbi tavolinë. Ukraina është gati të ndalojë të shtënat dhe të fillojë bisedimet, dhe do të jetë në dorën e tyre të thonë po ose jo."
"Shpresoj që të thonë po," vazhdoi Rubio, "nëse e bëjnë, besoj se do të kemi bërë një përparim të madh. Nëse thonë jo, atëherë, fatkeqësisht, do ta dimë kush është pengesa për paqen këtu."
Donald Trump
“Tani duhet të flasim me Rusinë, shpresojmë që Putini të pajtohet me planin” për një muaj armëpushim në Ukrainë. Kështu ka deklaruar Donald Trump, sipas asaj që raporton agjencia Bloomberg.
Volodymyr Zelensky
Presidenti Volodymyr Zelensky ka konfirmuar përmes një postimi në rrjetin social "X", pranimin e propozimit amerikan për një armëpushim 30-ditor me Rusinë, ndërsa thekson se Uashingtoni duhet të bindë Moskën për të njëjtën gjë.
Reagimi i Zelenskyt:
Mora një raport nga delegacioni ynë mbi takimin e tyre me ekipin amerikan në Arabinë Saudite. Diskutimi zgjati pothuajse gjithë ditën dhe ishte i mirë dhe konstruktiv—ekipet tona arritën të diskutojnë shumë detaje të rëndësishme.
Qëndrimi ynë mbetet absolutisht i qartë: Ukraina ka kërkuar paqe që nga sekonda e parë e kësaj lufte dhe duam të bëjmë gjithçka për ta arritur atë sa më shpejt dhe në një mënyrë të besueshme—në mënyrë që lufta të mos rikthehet.
Në këtë takim me amerikanët, Ukraina propozoi tre pika kryesore:
Heshtje në qiell—ndalimin e sulmeve me raketa, bombave dhe sulmeve me dronë me rreze të gjatë.
Heshtje në det.
Masa të vërteta për ndërtimin e besimit në gjithë këtë situatë, ku diplomacia është në zhvillim e sipër, që do të thotë kryesisht lirimi i robërve të luftës dhe të ndaluarve—si ushtarakë ashtu edhe civilë—dhe kthimi i fëmijëve ukrainas që janë transferuar me forcë në Rusi.
Pala amerikane e kupton argumentin tonë dhe po shqyrton propozimet tona. Jam mirënjohës ndaj Presidentit Trump për bisedën konstruktive mes ekipeve tona.
Gjatë bisedimeve të sotme, pala amerikane propozoi një hap edhe më të madh fillestar—një armëpushim të plotë dhe të përkohshëm për 30 ditë, jo vetëm ndalimin e sulmeve me raketa, dronë dhe bomba, jo vetëm në Detin e Zi, por edhe përgjatë gjithë vijës së frontit.
Ukraina është e gatshme ta pranojë këtë propozim—e shohim si një hap pozitiv dhe jemi të gatshëm ta ndërmarrim. Tani, u takon Shteteve të Bashkuara të bindin Rusinë që të bëjë të njëjtën gjë. Nëse Rusia pranon, armëpushimi do të hyjë në fuqi menjëherë.
Komente
