Ish-trajneri i Napolit, Luciano Spalletti ka mbi tavolinë një ofertë të majme për të marrë drejtimin e një klubi nga Arabia Saudite, që besohet të jetë Al-Hilal. Trajneri dërgoi Napolin drejt titullit të Serie A pas 33 vitesh, me trofeun që ishte edhe Scudetto e parë në karrierën e strategut italian, i cili më pas u largua nga kampionët e Serie A.
Edhe pse ka thënë se dëshiron të bëjë një vit pushim, Tuttomercatoweb raporton se ai mund ta ndryshojë planin pas ofertës së majme. Liga e Arabisë Saudite nuk është duke investuar shuma të majme vetëm te futbollistët, por edhe te trajnerët e njohur për t'u bërë pjesë e futbollit të tyre.
Spalletti duket se është tunduar nga 20 milionë euro në sezon për të drejtuar Al-Hilal, me klubin saudit që u refuzua dy herë nga Massimiliano Allegri.