Vllaznia luan nesër në 13:00 me Bylisin për ndeshjen e kthimit në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. Ndeshjen e parë shkodranët e fituan 0-2 në transfertë, duke qenë më të qetë për përballjen e së premtes. Përpara këtij dueli foli edhe trajneri kuqeblu, Mirel Josa. Tekniku u shpreh se askush nuk ia heq të drejtën të tijve që të jenë pretendentë.
"Nuk na e heq njeri të drejtën për të pretenduar. Ne do të kemi një ndeshje, me anë të së cilës, nuk duhet ta kemi mendjen te rezultati 2-0, por te mënyra e lojës tonë. Duhet t’ia bëjmë vetes sa më të thjeshtë vazhdimësinë e lojës. Nuk do të thotë që nuk do të ketë ndryshime. Do të ketë ndryshime pasi ka lojtarë që janë ngarkuar shumë. Kemi lojtarë të cilët kanë pasur probleme fizike, të cilët janë rikuperuar. Por vazhdojmë t’i kemi jashtë disa. Duke pasur parasysh ndeshjen e fundit që bëmë me Erzenin, do të ketë lëvizje të cilat do të na bëjnë që të jemi shumë më të qetë për vazhdimësinë e lojës. Përsëri do të urojmë që këto lojtarë që do të fusim ta bëjnë 100% punën e tyre. Problemi është që ngarkesa e lojtarëve të mos jenë të dendura", tha Josa.
Më pas trajneri komentoi edhe zgjedhjen e Adilit, ish-lojtarit të Vllaznisë që firmosi me Bylis dhe nuk zgjodhi një rikthim në Shkodër.
"Adili është një lojtar që ka respektuar Vllazninë. Tani është radha që të respektojë Bylisin. Kështu që ne e kemi respektuar si lojtar. Kemi dashur që ta kishim pjesë të skuadrës. por nuk kanë gjetur akord me klubin. E respektojmë për atë që ka dhënë te Vllaznia", ceku trajneri.
Për Josën, Aralica nuk llogaritet pasi është i dëmtuar dhe po kryen fazën e rikuperimit në Kroaci.
"Aralicën nuk e llogaris më në skuadër. Ka shprehur sërish probleme dëmtimi. Ne nuk kemi kohë të presim lojtarët të kthehen nga dëmtimi. Është periudhë shumë e vështirë. Nuk e llogaris për momentin. Unë nuk flas për një lojtar që ka shkuar në Kroaci për t’u operuar. Nxori një problem mbas ndeshjes së fundit që është aktivizuar. Të flasim për lojtarët që kam në kontingjent të skuadrës”, tha Mirel Josa.