Arrestimi i kryebashkiakut Erion Veliaj, debati që ka ndezur dhe prapaskenat e dyshuara për procesin, ishin tematikë e diskutimit në “Studio Live” ditën e sotme (17 Shkurt) në Report TV.
I ftuar ishte analisti Arben Meçe, i cili zbuloi detaje interesante nga dosja, mangësitë e saj nëpërmjet dosjes së vetë prokurorisë.
Duke e shoqëruar me dokumente dhe përshkrim ligjor, Meçe theksoi se pas kësaj dosjeje qëndron një strukturë e tërë e organizuar dhe me role të ndara, duke nisur nga Sali Berisha si regjisor, PD si e implikuar, SPAK me prokurorin dhe gjyqtarin e GJKKO-së, por edhe një trupë mediatike të paracaktuar, e cila ka shpërndarë dezinformacionet po në mënyrë të organizuar.
Për analistin kjo është montim dhe informacion i rremë në mënyrë të strukturuar dhe qëllimisht, pasi faktet nuk ekzistojnë në dosje. Madje as fustanët me përmasa të njëjta dhe as blerjet e pretenduara.
Sipas Meçes, kjo strukturë dhe precedenti është i ngjashëm me atë të dosjes 118 për zgjedhjet në Dibër. Madje ai shton se as denoncuesi nuk ekziston.
“Procesi Veliaj është politik dhe i manipuluar. Personat e implikuar janë prokurori dhe gjyqtari i çështjes. Strukturat e PD-së, strukturat berishjane në SPAK. Një strukturë mediatike në 4-5 media dhe trupë gazetarësh që këto ditë në media kanë prodhuar një mekanizëm dezinformomi. Një strukturë e tërë që po punon dhe nuk është vetëm media. Ka mbështetje nga dy individë të implikuar dhe krijon informacion të rremë për këtë dosje. 95% e informacionit i prodhuar nga studio të veçanta është i rremë. Nuk ekziston personi që ka bërë denoncimin. Vetë denoncimi është një montim, nga individët që për mua janë dy, prokurori dhe gjyqtari i çështjes. Kjo është përdorur nga PD-ja në zgjedhjet e Dibrës, dosja 118, me regji të Sali Ram Berishës”, shpjegon Meçe për Report TV.
Më tej ai shpjegon paradokset e dosjes, duke nxjerrë edhe materialet nga çanta që kishte me vete, duke thënë se janë 17 kapituj të analizuar.
“Nuk është e vërtetë që SPAK ka arritur të identifikojë fustanet apo që kanë fustanet përmasa të njëjta, ose të mbushura me flori shtëpitë, apo ajo sasi lekësh me faturë që është e debatueshme. Është interpretuar në mënyrë mediatike, është interpretuar nomenklatura e doganës, për ata që e njohin këtë si proces. I hedh si tezë për të sjellë edhe detajet se cila është e vërteta e kësaj dosjeje. (Ke ardhur me çantë të madhe Meçe sot, i thotë moderatori Arbër Hitaj). Dosja është e ndarë në kapituj, ku është një hetim, çështje apo temë çdo kapitull. Janë 17 kapituj dhe ky është kryesori ku fillon gjithë debati i çështjes. Në faqen 8 thuhen të gjitha momentet ku prokuroria pretendon shkeljet ligjore, janë 4 prej tyre”, shpjegon analisti.
Më tej shprehet se janë 130 fatura të marra nga SPAK në Doganë, dhe se këtu nuk kemi as denoncim për rastin. Madje edhe joprofesionalizmin e prokurorit Olsi Dado, duke e bërë vetë analizën e bilancit financiar dhe jo me ekspert.
“A ka investiguar SPAK për këto të ardhura? Si ka mundësi që në 70 faqe, ti nuk ke bërë asnjë investigim për këto blerje, kaq ka SPAK, këtë tabelë dhe i hedh në media. Prokurori pretendon se biznesi nuk është regjistruar në ILDKPI. Biznesi regjistrohet në vend tjetër, të ardhurat regjistrohen në ILDKPI. Me këtë logjikë ky prokuror futet në logjikë dhe interpretim joprofesional. Nuk ka ekspertizë kontabël, nuk e bën prokurori këtë. Vetëm ata e nxjerrin nëse ka vjedhje, shpërdorim apo shkelje. Nuk mundet prokurori që me 4 fatura të nxjerri se ka vjedhje”, shpjegoi ai.
Dosja ndaj Erion Veliajt në montimin e saj nga dy njerëz të drejtësisë, është po aq skandaloze dhe me ngjashmëri të frikshme si ajo “184” e zgjedhjeve të Dibrës.
Kështu u shpreh analisti Arben Meçe në “Studio Live”, duke e ritheksuar si detaj disa herë dhe deklaruar si regjisor apo autor të saj kreun e PD, Sali Berisha.
Madje jo vetëm kaq, por sipas tij, ka përfshirë në këtë skenar edhe një strukturë të tërë, mes tyre gazetarë apo analistë që sikurse në atë kohë, dolën të shpërndanin informacionet. Meçe shprehet se në atë kohë u përgjua me urdhër të Berishës e gjithë Partia Socialiste.
“E ngjashme me dosjen e Dibrës, autori është përsëri Sali Berisha. Dosja 184, ku të përfshirë janë gazetarët që dalin e flasin e përdoren. Ajo dosje ku në mënyrë skandaloze u përgjua e gjithë Partia Socialiste nga një strukturë e organizuar dhe u shit si hetim. Ajo dosje që Sali Berisha edhe sot po e vuan dhe bërtet që të hetohet ende”, thotë Meçe.
Në fund ai kërkoi që ILD të niste procedimin disiplinor ndaj prokurorit dhe gjyqtarit për shkelje të rënda dhe për largimin e tyre nga sistemi dhe veçanërisht që çojnë në lirimin e kryebashkiakut Erion veliaj, pasi është arrestuar pa prova.
“Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë të marrë masa hetimi disiplinor dhe të veprohet ndaj prokurorit dhe gjyqtarit. ILD duhet të reagojë ndaj prokurorit dhe gjyqtarit. Por nuk janë vetëm ata, ka edhe një strukturë të tërë të organizuar pas kësaj çështjeje”, përfundon analisti për Report TV.
Analisti Arben meçe shpjegoi me detaje në Report TV atë çfarë nuk shkonte nga ana ligjore dhe penale në dosjen ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe pse ajo ishte e montuar dhe e manipuluar qëllimisht nga 2 persona, gjyqtari dhe prokurori i çështjes, me regji të Sali Berishës.
Ai solli për 'Studio Live" si fakt moshetimin pasuror të ish-kryeministrit edhe pse dosja është denoncuar shumë kohë para Veliajt, duke kujtuar vilën në Lalëz, tokën, pasuritë e familjes dhe të tjera.
“Prokurori manipuloi informacionin. Mori atë që deshi nga dëshmia dhe nuk verifikoi anën dokumentare. Nuk verifikoi vilën në Qerret se ishte e familjes së të ndjerit Arben Xoxe. A nuk u justifikua Berisha për një mjekim të tij dikur, se ia pagoi e bija 300 mijë euro dhe e cilësoi “solidaritet familjar”. Po ajo nëna që kishte mbetur vetëm atje, kur i shkon e bija për kujdes, prokurori e quan si një fakt se vila është e saj dhe e bashkëshortit! Rezulton se vila është në pronësi të të ndjerit, madje tani kemi edhe foto që e tregojnë, ka dëshmi e prova se në vitin 2018 ai ka qenë atje, pasi një vit më pas është ndarë nga jeta. Të gjitha i ka bërë me paramendim, duke shkelur ligjin shqiptar dhe duke futur vepra penale që nuk janë kryer”, shprehet analisti.
Më tej ai shprehet se edhe gjyqtari i dosjes, Erjon Bani, për të cilin flitet se është ndër më të mirët që verifikon çdo detaj të dosjeve, është bërë palë.
“Gjyqtari duhet të verifikonte, të shikonte analogjinë që nuk shkonte, nuk lidhej. Faqja 4 dhe 5 e dosjes flet për blerjet dhe sponsorizimet nga Bashkia. Nga u lidhën këto dy ngjarje dhe tha se hetimi është i drejtë. Në kronologji është e tmerrshme, si i lidhi këto gjyqtari? Ky është morali dhe filozofia e dosjes. Dosja është manipuluar. Sali Berisha dështoi në mitingun “madhështor” të së shtunës, ku dështoi, u shoqërua të dielën me një aksion, ku u vunë në shërbim kriminal edhe media, që ata s’janë media, janë të implikuar”, nënvizoi ai.
Më tej bëri krahasimet mes dosjes së Veliajt dhe asaj të Berishës, ku për këtë të dytin sipas Meçes, ende nuk është bërë hetimi pasuror edhe pse çështja ka nisur shumë kohë para kryebashkiakut.
“Mua më rezulton se ai që ka kryer vepra penale është Berisha. Ka një vilë në Lalëz të paligjshme, 4 mijë metra tokë në Lalëz në mënyrë të paligjshme, sponsorizuar nga e bija gjoja solidaritet, ai është në hetim pasuror. Deri më sot nuk kemi asnjë të dhënë nëse janë kryer verifikimet e pasurive të tij, që kanë nisur shumë kohë më parë se Veliaj. 4 ngjarje analoge për një person nën hetim pasuror, shumë kohë më parë se Veliaj, ku dosja ende nuk ka kaluar në proces prej kaq kohësh. Ai është një gjyqtar Berishjan. Nuk e njoh personalisht, por shoh dosjen. Ai ka bërë aprovimin që i ka sjellë prokurori, një montim pa prova dhe fakte, pa kronologji dhe duke goditur parimin kryesor, shkak-pasojë. Nuk ka vepër penale pa parimin shkak-pasojë. Ky prokuror në mënyrën makabre dhe absolutisht të ndërgjegjshme, ka barazuar të ardhurat personale me të biznesit, kur ato janë të ndara. A e dini se nuk ka asnjë deklarim pasuror të tatimeve të këtyre kompanive, që të përfshihet në dosje. Blerjen e ka bërë kompania, ti thua e ka bërë A. Xoxa, çdo ekonomist ordiner e di tabelën e performancës. Ai i ka ngatërruar këtë, shpenzimet personale me ato të kompanive”, shpjegon Meçe.
Komente
