Arben Meçe rrëfen bisedën me Azem Hajdarin një natë para se të vritej: Kishte informacion, e dinte që donin ta ekzekutonin! Pjetër Arbnori nuk dilte nga shtëpia

12 Shtator 2023, 21:45| Përditesimi: 13 Shtator 2023, 00:07

  • Share

Është përkujtuar këtë të martë 25 vjetori i vrasjes së ish liderit të lëvizjes studentore dhe një prej themeluesve të Partisë Demokratike, Azem Hajdari. Ndërsa në burg ndodhet Ish-truproja i Sali Berishës, Izet Haxhia si bashkëpunëtor në vrasjen e Hajdarit në 1998-ën, motivet mbeten ende të paqarta dhe pse kanë kaluar 25 vite.

Në emisionin “Repolitix” në Report Tv Arben Mece, mik i Azem Hajdarit ka rrëfyer takimin e fundit me të një ditë para se të vritej. Ai u shpreh se Hajdari kishte informacione se po organizoheshin për ta vrarë. Në takimin që kishte pasur me të një natë para vrasjes, Meçe thotë se fjalët e fundit që i ka thënë Hajdarit kanë qenë: “O ti, o Pjetër Arbnori do të vriteni. A i ke marrë masat?. Kurse Hajdari, sipas Meçes, i ka thënë se kishte dijeni që po organizoheshin për ta vrarë, e madje po mbrohej. Në dijeni për organizimin që po bëhej sipas Meces, ishte edhe Pjetër Arbnori për të cilin thotë se nuk dilte nga shtëpia.

“Një ditë para vrasjes kam takuar Azem Hajdarin në spitalin e Tiranës. Ishte takim i rastësishëm sepse kisha kohë që isha shkëputur nga PD. I thashë e di që o ti, o Pjetër Arbnori do vriteni. A i ke marrë masat? Ai lëvizte i vetëm. Hajdari lëvizte i vetëm. Pse e nisa me këtë citim sepse secili është i vërtetë përpara zotit. Më tha që kam dijeni dhe se po mbrohej. Kjo është e vërtetë absolute. Unë e di dhe si është bërë organizimi. Hajdari një ditë para vrasjes e dinte mjaft mirë se po bëhej një organizim për këtë punë.

Ju nuk e dini si u bë skema. Është bërë një konflikt spontan që u bë gjakderdhje. Ardhja e Haklajt në Tiranë, por Haklaj nuk kishte ardhur për të. Vëllavrasja e Tropojës falë një vrasje në fisin Haklaj mori 100 e ca trima të Tropojës. Ajo për të cilën u përgatit gjithë skena ndodhi. Atë ditë unë kisha mbledhjen e komisionit nismëtar të reformimit të PD. Nuk ishte Mazreku vrasësi. Ai  e mbylli çështjen dhe vajti në Kukës. Shërbimet funksionojnë me  goditje psikologjike. Kur ndodhi grushti i shtetit këtu nja katër ditë policia nuk dilte....

Mazreku bëri shkrehjen por duhet të shifje dinamikën kush e futi në këtë lojë. Duke qenë se Azemi duhej të asgjësohej për shumë arsye.  Ky moment këtu në psikologjinë malësore është ofendim. Kjo psikologji filloi të goditej nga të gjitha krahët kur vajti në Kukës Mazreku. Ai u nxit dhe kreu aktin. Shifni kush qëllon. Çfarë mekanizmi e ka nxitur këtë.Azemi s'ka pasur konflikt me Haklajt. Ata erdhën për kasetën që e zbërthente mekanizmin e vrasjeve në Tropojë.  Ky regjistrim publik është thelbi i të gjithë vrasjeve në Tropojë. Aq u hap loja. Ata nuk kanë ardhur për këtë punë në dijeninë time."

Mece tha se për vrasjen e Azem Hajdarit nuk janë lejuar hetimet, sepse sipas tij një gjë të tillë po e bënte politika. 

"Nëse hapni tezat e hetimit, vetëm hetim nuk ka pasur për atë ngjarje. Të gjithë aktorët që janë dënuar, pjesa tjetër grupet e strukturuara janë organizime për të prodhuar grup. Si në goditjen e Mazrekut dhe në vrasjen e Azemit nuk u lejua hetimi. Po e bënte politika këtë gjë.  I pari që e bëri skemën e ngjarjes ishte Berisha. Po sepse e dinte Berisha. Berisha atëherë ishte idhull. Gjërat sot kanë ndryshuar. Gënjeshtrën gjysmë të vërtetë e bën ngjarje”, tha Meçe.

Azem Hajdari ka qenë lideri i lëvizjes studentore 1990-91 që çoi drejt rënies së regjimit komunist në Shqipëri. Më tej u bë një politikan i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe një nga figurat qendrore të PD aso kohe. Ai u vra më 12 shtator 1998. Për vrasjen e tij ndodhet në burg Izet Haxhia, për veprën penale “vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim", por ish truproja i Berishës i ka mohuar vazhdimisht akuzat, duke deklaruar se Azem Hajdarin e vrau Fatmir Haklaj. Përgjatë procesit të rigjykimit Haxhia kërkoi të ballafaqohej dhe të dëshmonte në gjyq për vrasjen e shekullit edhe ish-kryeministri Sali Berisha, që sipas ish-truprojës ka urdhëruar vrasjen e Hajdarit, por kjo kërkesë u refuzua nga gjykata. Për atentatin mafioz të Azem Hajdarit, vuan dënimin me burg përjetë edhe Jaho Mulosmani.

Ora 22:46
Deklarata e fortë e Idajet Beqirit: Azem Hajdari i tha Izet Haxhisë, më ndihmo të vrasim Sali Berishën! Doktori e mori vesh

Avokati Idajet Beqiri ka bërë një deklaratë të fortë në emisionin “Repolitix” në Report Tv duke cituar një rrëfim të Izet Haxhisë, i cili ka thënë se Azem Hajdari i ka kërkuar ndihmë që të vrasë Sali Berishën. 

“Problemi ishte që ishte një frymë që thoshin se Saliu ia mori partinë Azem Hajdarit. Saliu ishte futur nga Ramiz Alia që t'ja merrte partinë Azem Hjadarit dhe ia mori, e dyta që është më e rëndësishmja ka qenë se me skemat piramidale dhe me rënien e shtetit Azem Hajdari u gjallërua brenda PD me synimin e vetëm që t'ja merrte partinë. Në 97 flas. Do t'ja merrte partinë. Ai e përpunonte, e fliste dhe me të tjerë.

Madje Hajdari i ka kërkuar ndihmë Izet Haxhisë që çfarë do të bëjmë, të vrasim Sali Berishën. Ta vrasim ta zbresim nga kali. Është e vërtetë. Nuk flas kot. Ai është në burg dhe mund ta mohojë. Në 97. Izet Haxhia i ka thënë në radhë të parë jam tropojan i kam dhënë besën se do ta mbroj por t'i e ke gabim doktori po të jep goxha. Po të afron dhe do kesh pozitë të mirë. Qetësohu në këtë drejtim. Se si e ka marrë vesh doktori më pas dhe se çfarë ka ndodhur kjo është histori tjetër”, tha Beqiri.

Izet Haxhia ish-truproja i Berishës është dënuar si bashkëpunëtor në vrasjen e ish-deputetit Azem Hajdari në 12 shtator 1998. Përgjatë procesit të rigjykimit Haxhia kërkoi të ballafaqohej dhe të dëshmonte në gjyq për vrasjen e shekullit edhe ish-kryeministri Sali Berisha, që sipas ish-truprojës ka urdhëruar vrasjen e Hajdarit, por kjo kërkesë u refuzua nga gjykata. Për atentatin mafioz të Azem Hajdarit, vuan dënimin me burg përjetë edhe Jaho Mulosmani. 

Ora 22:32
‘Sali Berisha e mori disa herë në telefon’, avokati Idajet Beqiri rrëfen se çfarë ndodhi ditën e vrasjes së Azem Hajdarit

 

Avokati Idajet Beqiri rrëfen në emisionin ‘Repolitix’ në Report Tv se çfarë ka ndodhur ditën që u vra Azem Hajdari. Para se të vritej, Beqiri thotë se Azem Hajdari nuk ishte në Tiranë, dhe sipas tij është marrë disa herë në telefon nga Sali Berisha. Beqiri thotë se ka dëshmitarë okularë dhe indirekt se atë ditë Hajdari ka qenë i shqetësuar dhe se ka qenë në Kavajë ka thënë “me çau kokën (për Berishën), ca do ky që merr kaq shpesh”.

“Fazën e dytë më 12 shtator, pasi hëngrën e pinë atë ditë më njëri tjetrin, nga kodrat e liqenit erdhën sepse do merrnin këtë kasetën që do u jepte Ben Dollapi. Do takonin edhe juristin e PD bashkë me dem dollapin që do i merrnin kasetën. Dem Dollapi nuk ka dalë, është vonuar. Këta kanë qenë më një makinë, kanë qenë bashkë me Naim Cangun, Jaho Muolosmani dhe Fatmir Haklaj. Po rrinin aty. Kishin shumë kohë që prisin të merrnin kasetën. Azem Hajdari atë ditë ka qenë në Fier, nga Fieri ka ardhur në Lushnjë, ka patur takim. Nga Lushnja është marrë në telefon disa herë nga Sali Berisha. Ka qëndruar në Kavajë, është marrë disa herë në telefon nga Berisha, telefoni Azem Hajdarit është zhdukur. Nga provat e tjera që ka dosja, edhe nga dëshmitarë okularë dhe indirekt rezulton se Azemi ishte i shqetësuar. Ka thënë me çau kokën, për Berishën, ca do ky që merr kaq shpesh.

Erdhi në tiranë. Qëndrimin e Fatmir Haklajt e kanë vënë re disa njerëz aty dhe konkretisht ata të lokalit që pinin kafe. Ajo kafeja ka qenë rreth 10 m larg nga vendi ku është varrë Azemi, aty është futur disa herë shpesa, mbesa e Berishës. Ka parë kush është në makinë dhe i ka njohur, ka shkuar dy herë në zyrën e PD. ka dalë nga zyra, ka kaluar katër pese metro te makina ku ishin ata të armatosur. Ka shkuar te kafja ka pirë kafe, nëse këta donin ta vrisnin e hiqnin, Azemi nuk e dinte që ishin aty, Azemi puthi të shoqen dhe shkoi në zyrë prapë. Edhe herën e dytë kur kaloi ishte vetëm. Ata po të donin ta vrisnin e vrisnin”, tha Idajet Beqiri.

Ora 22:21
'Berisha dha urdhrin për të vrarë Shkëlqim Haklajn', avokati Idajet Beqiri tregon se çfarë i tha Azem Hajdari në zyrë Muharrem Haklajt

 

25 vite nga vrasja e Azem Hajdarit, avokati i Izet Haxhisë foli në ‘Repolitix’ në Report Tv për këtë ngjarje që sot e kësaj dite vijon të jetë e mbushur me mister. Avokati Idajet Beqiri rrëfeu një moment të takimit mes Azem Hajdarit dhe Muharrem Haklajt, të atit të Shkëlqim Hakaljt që u vra më 5 janar 1998. Idajet Beqiri thotë se Zaem Hajdari kishte pritur në takim Muharrem Haklajn dhe i ka thënë se urdhri për të vrarë djalin e tij ishte dhënë aso kohe nga Sali Berisha, madje mund do i vinte në dispozicion edhe kasetën e ku dëgjoj Berisha që ka dhënë urdhrin për vrasjen.

“Janë 25 vjet dhe shqiptarët ende janë në dilemë si ka ndodhur ngjarja. Si ka ndodhur realisht ngjarja, motivi dhe kush janë elementët. Pse ndodhi kjo vrasje. Ende diskutojmë. Njëri është varianti politik. Cila është ngjarja reale. Këtë të vërtetë e di e shoqja Azem Hajdarit se është gjyqtare dhe e ka lexuar dosjen. Fatmir Haklaj, Elez Haklaj, Jaho Muolosmani kanë ardhur në Tiranë për dy çështje. E para ishte që Fatmir Haklaj duhej të kthehej në punë, ishte pushuar dhe nuk ishte më në policinë e shtetit dhe Elez Haklaj ishte mik i ngushtë i Arben Imamit. Duke qenë mik i ngushtë, do vinte në Tiranë për të bërë këtë ndërhyrje, Imami do ndërhynte për ta marrë në punë, se ishte ministër i Brendshëm. Arseja dy ishte se 10 ditë para kishte qenë te Azem Hajdari. Vetë Azemi kishte marrë në takim Muharrem Haklajn. Ata kishin dyshime se Azemi ishte përfshirë në vrasjen e Shkëlqim Haklajt. Azemi u kishte dërguar fjalë hajde ta sqarojmë këtë. Kur ka ardhur Muharrem Haklaj në zyrën e Azemit, Azemi ka bërë zakonin siç duhet edhe nga pikëpamja fetare është betuar që s’ka gisht. Madje i ka thënë unë e di se ca karakteri keni, po ta them shqip e keni nga kjo zyra këtu. Ka drejtu gisht nga Saliu dhe unë u vë në dispozicion nja kasetë ku është dhënë urdhri për të vrarë Shkëlqimin. Kasetën e ka Lumneshi. Atë natë kanë kërkuar shoferin e Arben imamit. Atje janë takuar, shoferi e ka vënë në dijeni Imamin edhe për ardhjen”, tha Idajet Beqiri në Repolitix.

Ora 22:08
Ish-kryetari i Lëvizjes së Legalitetit, Spahia: Arsyet pse vrasja e Azem Hajdarit është politike! Nga atentati në Tropojë, te 'prita' në Lezhë

 

Ekrem Spahiu, ish kreu i Partisë së Legalitetit në emisionin “Repolitix” në Report Tv shprehet se sipas tij vrasja e Azem Hajdarit ishte politike,duke akuzuar maxhorancën e asaj kohe. Sipas tij vrasja ndodhi për ta frenuar sepse Hajdari po bëhej protagonist i protestave. Ndërkaq ai është ndalur dhe te atentati i parë ndaj Hajdarit dhe pengesat që i dilnin më pas. Pavarësisht se kishte porosi që të ruhej dhe të mos udhëtonte natën, Spahia thotë se Hajdari nuk ruhej.

“Pas zgjedhjeve të 19 qershorit të 1997 kur erdhi në pushtet PS me situatën e hapojes së depove të armëve dhe me mashtrimin klasik të ish kandidatit për kryeministër që paret do të kthehen 100%. Shqiptarët e kuptuan se Ramën në grackën e mashtrimit. Objektivi jam dakort që ishte për të asgjësuar Hajdarin sepse ishte produkt i vetvetes dhe nuk ishte produkt i askujt. Pas problemeve që kanë pasur me Berishën, Hajdari pas zgjedhjeve të viteve 1997 u pa dukshëm rikthimi i tij si në vitet 91, 92, 93, po bëhej protagonist kryesor i protestave. Atëherë filluan protestat. Aty morën energji të gjithë opozitarët.

Pastaj vjen takimi i Nanos me Milloshevicin për situatën politike që po kalonte me Kosovë, opozita do e shfrytëzonte takimin e Nanos me Millosheviçin dhe filluan protestat, një vit pasi Ps kishte ardhur në pushtet. Paradite bënim takime nëpër rreth, pasdite dilnim në sheshin Skënderbej dhe nga sheshi vinim deri te kryeministria. Ky ishte ritual i përditshëm. 23 gusht 1998 arrestohen 6 ish funksionarë të PD. Për gjenocid për 97. Kjo e nxehu dhe më tepër. Pas arrestimit të tyre protesta mori përmasa të jashtëzakonshme. Tani kjo protestë do të ndalohej nga pushteti. Duhet të ndodhte patjetër një vrasje.

Më 3 qershor të 98 i bënë atentat në Tropojë. Në një ndeshje në Shkodër Hajdari ishte në stadium. Pas një ngatërrese atje forcat speciale i dalin në Lezhë dhe ndalojnë në Milot për kontroll makine, për armë. Pengesë pas pengese. Pas ngjarjeve të 97 disa kryetarë bashkish dhe komunash u larguan jashtë vendit.

Unë kam qenë në Lurë disa herë me Hajdarin. Pas pritës në Milot ai kishte një porosi, pas ngjarjeve dhe në Tropojë dhe Milot kishte dy makina që e shoqëronin. Në takimet në Lurë për kandidatin për kryetar komune takuan disa njerëz. Por duhet të niseshim herët, sepse nata s’duhet ta zinte në rrugë Hajdarin. Ne kemi qëndruar derisa është errur në qendër të Lurës dhe jeni nis. Hajdari ishte në shënjestër dhe këtë e dinte. Shoqëruesit i thoshin të nisemi ai thoshte jo. Ai ishte i përgatitur për t’u vra. Ishte vrasje politike me uniformën e shtetit. Edhe ata që janë akuzuar ishin ushtarakë. Vrasje nga maxhoranca. Protestat në rritje do trondisnin themelet e PS. Ajo duhej kry.

Më 12 shtator paradite ka qenë në Fier e Lushnje. Unë kam qenë në Has. Rituali ishte që dilnim në miting pasdite. 12 shtatori ishte i përgatitur për t'u ekzekutuar Hajdari. Ka qenë vrasje e pastër politike. Kjo dhe nga mënyra si reagoi qeveria. Mos me pas 12 shtator s’kishte 14 shtator. Me 13 shtator jam nisur natën nga Hasi dhe kam ardhur në një ditë me shi. Me datë 13 mblidhen të gjithë të djathtë dhe protestojnë paradite. Është vra Skënder Kalenja. Në darkë sa ka ra errësira kanë vra Adem Shehun. Janë dy vrasje që s’ka as hetim dhe asgjë. Ata ishin protestues paqësor.

Pse themi vrasje politike. Në 11 kemi ba mbledhje, kryeministri u zhduk. Ne kërkuam përmes OSBE një takim me presidentin Mejdani dhe kam qenë pjesë e grupit që ishte në takim. Presidenti i kohës Mejdani na ka thënë, as unë nuk e di ku është kryeministri i vendi. S’më përgjigjet në telefon dhe s’e di ku është. Si ka mundësi që vrasja të ndodhë rreth orës 13 dhe të mos ketë asnjë deklaratë nga kryeministri. Berisha ka qenë kryetar i PD. Ishte në zyrë. Në mënyrë kategorike po të them se s’ka pas asnjë nxitje për me shpërthy 14 shtatori”, tha ai.

B.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 13/09/2023 02:51

    Tani e teprove z.Beqiri,Azemi te kerkonte te vriste Berishen?! Vertet kishin mosmarreveshje mes tyre,por jo sa te kerkonte vrasjen e tij.Berisha nuk e linte koken per Azemin,por dinte si t'a manipulonte e t'a perdorte edhe kur ishte gjalle,edhe pasi vdiq.Kurse Azemi linte koken per te.Dhe nuk kishte per t'ja marre kurre PD, te cilen nuk e kishte patur kurre ne rradhe te pare,ishte vetem nje nga themeluesit e saj e nje nga drejtuesit e lev.student. te Dhjetorit.Kur u be votimi i pare per drejtimin e PD,fitoi Meksi,por Azemi ishte ne ate kohe per rrymat brenda PD ne rolin qe do te ishte me vone Meta mes PS e PD,me nje ndryshim se Meta ishte interesaxhi e shkonte nga perfitonte me shume,kurse Azemi ishte idealist,ja dha voten Berishes vetem qe ne krye te opozites te vinte nje nga veriu,se i njesonte jugoret e Enverin bashke dhe kishte pare si ishte trajtuar veriu nga komunistet per 45 vjet.Sa per vrasjen e Hajdarit,nuk ka rendesi kush u vra,kush mund e per ke ishte taksur,kush e beri,por ne thelb ajo vrasje eshte thjesht nje vrasje e rendomte kanuni e asgje me teper,por qe u shfrytezua mjeshterisht nga politika e ndodhen ato qe ndodhen.

    Përgjigju
  • kushtrimi: 13/09/2023 00:58

    Ky Arben Meçe a e di që ka konsumuar një vepër Penale atë të “Mos kallzimit të krimit”? Nga kush e kishte marrë vesh? Mos është dhe ky pjesë e grupit organizator??? Vetëm me dëshminë e tij dhe marrjen e tij si i pandehur duke u përfshirë në grupin e Haklajve dhe të vëllezërve Haxhiaj kjo çështje penale mund të Prishet në gjykatë të Lartë duke dalë Izet Haxhiaj e Jaho Mulosmani nga Burgu dhe të futet në Burg Arben Meçe me atë qe ka organizuat vrasjen

    Përgjigju
  • alfred: 12/09/2023 22:06

    Ore pse bëni sikur nuk e njihni një farë Azemi që e anatemoni sikur ishte hero e ku di unë se çfare,një bandit dhe një kriminel me raportë mjekësore , nuk thoni që bën mirë që e çfarosën nga faqja e dheut se nuk po e shikoni se çpo heq një e ashtuquajtur opozitë me një farë Sale ,sikur të ishte edhe ai gjallë domethënë Azemi do të shkatërrohej totalisht jo vetëm opozita që në djall shkoftë me ata që e drejtojnë ,por shteti do të vuante nga keta kriminele më shumë.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?