Gjatë kësaj jave, publikut iu ekspozua një temë, e cila, në përgjithësi, është e panjohur për opinionin e gjerë, por edhe në mesin e politikanëve dhe diplomatëve: ajo e konsosacionalizmit. Ata që flisnin për këtë temë ishin sipërfaqësorë, duke e keqinterpretuar këtë teori të shkencës politike apo duke dhënë shpjegime që nuk përkojnë tërësisht me realitetin kosovar. Prandaj, e shoh të nevojshme që në këtë kolumne të jap sqarime për opinionin publik lidhur me teorinë e konsosacionalizmit, temë të cilën e kam studiuar gjatë pesë vjetëve të doktoratës në Irlandë dhe kam shkruar punime shkencore që janë të qasshme në libra dhe revista ndërkombëtare.
Konsosacionalizmi është vështirë të përkthehet në mënyrë të saktë në gjuhën shqipe. Në anglishte ekziston një sinonim që është poëer-sharing e që në shqip do të thotë pushtet-ndarja, por që nuk është term krejtësisht i duhur, duke qenë se përveç teorisë së poëer-sharing, ekziston edhe teoria e poëer-dividing, që në shqip po ashtu përkthehet si pushtet-ndarje. Mbase termi më i përafërt, ani se jo tërësisht i saktë, do të ishte bashkëqeverisje. Sidoqoftë, në këtë shkrim do të përdor termin origjinal: konsosacionalizëm, fjalë latine që e ka domethënien e bashkësisë, harmonisë, asocimit.
Teoria e konsosacionalizmit është një prej teorive më me ndikim në shkenca politike. Rrënjët i ka te shkrimet e shkencëtarit të njohur politik, Arend Lijphart, studiues holandez që jeton dhe ka vepruar në SHBA. Ai më 1969 e botoi punimin e tij: “Demokracia konsosacionale” (Consociational Democracy) për të shpjeguar se si shoqëritë e ndara të Evropës Perëndimore mund të ishin demokraci stabile. Në këtë punim, ai polemizoi me mentorin e tij, Gabriel Almond, teza e të cilit ishte që vetëm shoqëritë homogjene mund të jenë demokraci stabile, ndërkaq shoqëritë heterogjene nuk mund të kishin stabilitet shkaku i forcave centrifugale, të cilat ndikonin që demokracia në to të mos ishte stabile.
Mirëpo, në punimin e tij të 1969-s, Lijphart polemizoi me Almondin, duke thënë se edhe shoqëritë heterogjene mund të jenë demokraci stabile nëse i përmbushin katër kushte, të cilat i patën përmbushur asokohe Holanda, Belgjika e Austria, vende me ndarje të natyrave të ndryshme. Mbi këto kushte, Lijphart ndërtoi katër shtylla që më vonë do të bëheshin shtyllat e teorisë konsosacionale. E para, ishte një koalicion i madh (Grand Coalition) në mes të të gjitha apo në mes të shumicës së subjekteve politike që përfaqësonin segmente të ndryshme të shoqërisë. Sipas Lijphartit, ky koalicion mund të ishte formal, pra në formën e një qeverie, apo jo formal, në formën e një trupi ku vendimmarrja për çështjet madhore merret prej të gjithë përfaqësuesve të segmenteve shoqërore.
E dyta ishte përfaqësimi proporcional i të gjitha segmenteve të shoqërisë. Përse segmente? Për shkak se heterogjeniteti në Holandë, Belgjikë e Austri kishte dallime. Përderisa në Holandë heterogjeniteti ishte i bazuar në ndarje religjioze, në Belgjikë ishte në ndarje gjuhësore, kurse në Austri në baza ideologjike. Përfaqësimi proporcional bazohej në një sistem zgjedhor, ku secila parti politike merrte mandate parlamentare në proporcion me përqindjen e votave. Mirëpo proporcionaliteti, sipas Lijphartit, nuk kufizohet vetëm në zgjedhje. Proporcionalitet duhet të ketë në ndarjen e fondeve publike, në përbërjen e administratës shtetërore, në polici, ushtri, gjyqësor, e kështu me radhë.
E treta ishte autonomia e segmenteve. Lijpharti e zgjeroi këtë shtyllë të konsosacionalizmit në librin e tij të mirënjohur të 1977-s, “Demokracia në shoqëritë pluraliste” (Democracy in Plural Societies), në të cilën tha se qeveria merr vendime për çështjet e përgjithshme, kurse segmentet marrin vendime për çështjet që u takojnë interesave segmentale. Kështu, autonomia mund të jetë territoriale nëse segmentet shoqërore janë të koncentruara në një pjesë të territorit, apo edhe funksionale nëse segmentet janë të shpërndara. Dihet se në Holandë, e as në Austri, nuk ka pasur autonomi territoriale, por autonomi funksionale. Në Holandë, për shembull, të gjitha grupet religjioze i kanë mediat e tyre e që financohen nga fondet publike. Madje Lijpharti, më 1977 argumentonte se në fillim ndarjet mes segmenteve duhet të njihen dhe të formalizohen apo përforcohen. Sipas tij, këto ndarje, me kalimin e kohës do të zbehen.
E katërta dhe e fundit, e që për Lijphartin ishte më problematikja, qe e drejta e vetos për segmentet shoqërore. Sipas tij, e drejta e vetos mund të jetë gjithëpërfshirëse, por që mund të shkaktojë jostabilitet e konflikt për shkak se mund të përdoret si mjet bllokues; apo të kufizohet në një numër çështjesh që u përkasin interesave vitale të segmenteve.
Këto shtylla, pra, e përbëjnë thelbin e teorisë së konsosacionalizmit, dhe sipas përvojës, shtetet nuk do të thotë të jenë shumetnike apo shumëreligjioze që të kenë sistem konsosacional. Për këtë shërben rasti i Austrisë prej 1945-s deri në vitet ‘60. Më 1977, Lijpharti po ashtu i zhvilloi faktorët e favorshëm dhe rrjedhimisht edhe të pafavorshëm për ta krijuar një sistem konsosacional. Këta faktorë, sipas librit të tij të 1985-s, “Poëer-sharing in South Africa” (Bashkëqeverisja në Afrikën e Jugut), janë: 1) Nuk ka segmente shumicë; 2) Segmentet duhet të jenë të madhësisë së përafërt; 3) Duhet të ketë një kërcënim nga jashtë për kundërshtimin e të cilit bashkohen segmentet; 4) Popullsia e vogël; 5) Segmentet duhet të jenë të koncentruara territorialisht; 6) Duhet të ekzistojë një traditë e akomodimit mes elitave; 7) Sistem shumëpartiak (jo dypartiak-vërejtja e ime); 8) Duhet të ekzistojë lojaliteti ndaj shtetit; 9) Sistem partiak përfaqësues; 9) Barazi socio-ekonomike; 10) Numër i kufizuar i segmenteve.
Më vonë, në vitet ’80 dhe ’90 teoria konsosacionale pësoi revidime, kryesisht nga dy studiues irlandezë: John McGarry e Brendan O’Leary. Sipas tyre, të katër shtyllat e përshkruara më lart janë të domosdoshme, por jo edhe të mjaftueshme për të krijuar paqen dhe stabilitetin në një vend ku ka konflikt etnik. Ata e reviduan teorinë konsosacionale duke u mbështetur kryesisht në rastin e Irlandës Veriore dhe në Marrëveshjen e Paqes të 1998-s (Good Friday Agreement). Sipas tyre, identiteti etnik është statik, nuk ndryshon dhe në vendet ku ka kontest lidhur me vetëvendosjen e një territori (Selfdetermination dispute) dhe konflikt të hapur, sikur mes katolikëve e protestantëve në Irlandën Veriore, nevojitej një ndërhyrje e jashtme për t’i ndihmuar palët të pajtohen për një sistem konsosacional, duke qenë se kontesti mbi vetëvendosjen është i pakapërcyeshëm dhe palët në konflikt nuk mund të pajtohen në mënyrë vetjake, pa ndërhyrjen e jashtme. Përveç kësaj, sipas tyre, marrëveshjet konsosacionale duhet të përfshijnë edhe demilitarizimin, drejtësinë transicionale, trupat e përbashkëta konsultative më shtetet e tjera (siç është Republika e Irlandës dhe Britania e Madhe), etj.
Në revidimin e tyre të teorisë konsosacionale, McGarry e O’Leary po ashtu insistonin se në bashkëqeverisje nuk ka nevojë të ketë koalicion të madh. Madje, O’Leary i ndau sistemet konsosacionale në konsosacione të forta, ku shumica e partive janë të përfaqësuar në ekzekutiv, dhe konsosacione të dobëta, ku pluraliteti i partive merr pjesë ne ekzekutiv. Kjo po ashtu aplikohet në të drejtën e vetos - a është ajo gjithëpërfshirëse, apo vlen vetëm për interesat vitale. Ata bënë edhe revidime të tjera, kryesisht të bazuara në rastin e tyre studimor të Irlandës së Veriut. Me studimet e tyre, McGarry e O’Leary fituan aq shumë reputacion saqë ishin të angazhuar nga organizata e Kombeve të Bashkuara si ekspertë për konsosacionalizëm dhe si këshilltarë nga qeveria e SHBA-së për ta shkruar Kushtetutën e Irakut, pas invadimit amerikan më 2003.
Ku përshtatet këtu Kosova?
Edhe pse nuk i plotëson shumicën e faktorëve të favorshëm të numëruar më lart për të qenë një sistem konsosacional, Kosova, sipas Pakos së Ahtisarit, por edhe sipas Kornizës kushtetuese të 2001-tës, është një demokraci konsosacionale shkaku se i plotëson të gjitha kushtet që i ka parashtruar Lijpharti në vitet 1969 e 1977, si dhe kushtet shtesë të parashtruara në McGarry e O’Leary në vitet ’90 dhe 2000.
E para, që prej vitit 2002 Kosova është udhëhequr nga koalicione të mëdha apo të shumicës së përfaqësuesve në Parlament. Pakicat kanë qenë vazhdimisht të përfaqësuara në Qeveri. Më 2005 është krijuar Ekipi i Unitetit, i përbërë nga të gjitha forcat politike, si një koalicion i madh jo me pushtet formal, por që pushtetin joformal e ka pasur goxha të madh, mu sipas përshkrimit të Lijphartit. Pakicat në Kosovë i kanë të garantuara kuotat e përfaqësimit në qeveri, në administratë publike, polici, gjyqësor dhe kanë të garantuara fonde publike. Mediat publike kanë programe të financuara nga fondet publike në të gjitha mediat publike. Të gjitha këto e tejkalojnë përfaqësimin proporcional, duke qenë se kuotat janë më të mëdha sesa proporcioni i banorëve. Madje, as LVV-ja, gjatë qeverisjes së viteve 2021-2025 nuk mundi t’i shmangej bashkëqeverisjes me pakicat, sepse ato ishin të gjitha të përfaqësuar në Qeveri dhe në pozita të rëndësishme, duke përfshirë edhe një zëvendëskryeministre. Kishte edhe një ministër serb, i cili u emërua për shkak të kuotës së detyrueshme e jo ngase nevojitej vota e tij në Kuvend, sepse partia e tij nuk ishte e përfaqësuar aty.
Kushti i autonomisë është po ashtu i plotësuar, sepse serbët, përmes kompetencave shtesë në komunat me shumicë serbe, apo asimetrisë, gëzojnë të drejta të veçanta në arsim, kulturë dhe shëndetësi. Tjetër gjë është që serbët, në vend se t’i jetësojnë këto të drejta kushtetuese, mbështeten në institucione paralele të Serbisë. Pra, serbët në Kosovë gëzojnë autonomi të gjerë funksionale, por nuk kanë autonomi territoriale. Ata po përpiqen ta arrijnë këtë autonomi përmes Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe këtu, kur ta shqyrtojë kushtetutshmërinë e draftstatutit të këtij asociacioni, Gjykata Kushtetuese duhet të ketë kujdes të veçantë, ngase Kushtetuta e thotë shprehimisht se Kosova është një shtet unitar (Edhe shtetet unitare mund të jenë konsosacionale, sikurse Holanda e Austria). Pra, Kushtetuta nuk lejon autonomi territoriale, por funksionale në çështje të kufizuara që i përkasin ruajtjes së identiteti serb përmes kulturës e arsimit. Po ashtu, kompetencat ekzekutive të komunitetit serb duhet të mbeten kompetenca nën ekskluzivitetin e komunave e jo të barten në asociacion.
Kosova po ashtu e plotëson kushtin e vetos. Pakicat, që zënë 20 ulëse në Kuvend kanë të drejtë vetoje në një numër ligjesh të definuara në Kushtetutë që i prekin interesat vitale të komuniteteve dhe kanë të drejtë të vetos mbi ndryshimet kushtetuese, çfarëdolloj ndryshimi të jetë ai. Është mirë që kjo e drejtë e vetos nuk është gjithëpërfshirëse sikurse në Irlandën e Veriut dhe në Bosnjë-Hercegovinë, sepse, në atë rast, Kosova do të ishte shtet jofunksional. Mirëpo, edhe e drejta e vetos mbi çështjet e interesit vital, siç është arsimi, mund të shkaktojë bllokadë. Kuvendi ka shumë vjet që nuk mund ta aprovojë ligjin mbi arsimin që është interes i përgjithshëm, shkaku që përfaqësuesit e Listës Serbe refuzojnë që ta votojnë.
Pra, debati se a është Kosova shtet unitar apo multietnik, apo a është demokraci përfaqësuese apo konsosacionale, është tërësisht i kotë. Kjo sepse edhe një shtet unitar mund të ketë sistem konsosacional e për këtë ka shembuj të mjaftueshëm në botë. I përmenda Holandën e Austrinë, por është edhe rasti i Libanit, i Maqedonisë së Veriut e Irlandës Veriore (që nuk është shtet, por gëzon vetëqeverisje të gjerë nën Britaninë e Madhe). Demokracia konsosacionale nuk e përjashton demokracinë përfaqësuese dhe anasjelltas. Me vetë faktin që Kosova jo vetëm që ka sistem zgjedhor proporcional, por edhe kuota të garantuara për pakicat, e besa edhe Ligji mbi zgjedhjet i ndan partitë në baza etnike, tregon se edhe kjo shtyllë e konsosacionalizmit është e aplikuar. Për më tepër, kuotat e përfaqësimit në administratë publike lokale dhe qendrore, polici, ushtri, gjyqësor, ndërmarrje publike etj. e tejkalojnë kushtin Lijphartian të konsosacionalizmit. Me një fjalë, na pëlqeu apo jo, Kosova është rast shkollor i një demokracie konsosacionale./Koha
Komente
