Disidenca politike është një fenomen që zakonisht shfaqet në regjime autoritare, ku individë të guximshëm sfidojnë pushtetin për të kërkuar demokraci dhe liri. Historikisht, disidentët kanë qenë zëra kritikë kundër regjimeve të ashpra, duke u përballur me rrezik të madh për të mbrojtur parimet demokratike. Por çfarë ndodh kur një lider, që dikur ishte disident dhe kritikues i pushtetit, vazhdon të sillet si i tillë edhe pasi e ka marrë drejtimin e shtetit?
Kryeministri Albin Kurti ka ndërtuar një narrativë politike të veçantë, duke vazhduar të paraqitet si një figurë opozitare edhe pasi ka kaluar katër vjet në pushtet. Retorika e tij kundër institucioneve që nuk i kontrollon sidomos gjyqësorit dhe mediave është tregues i qartë i një fenomeni të njohur në politikë: refuzimi për të pranuar përgjegjësinë qeverisëse, shmangia e llogaridhënies dhe kërkimi i mosndëshkueshmërisë. Në vend se t’i pranojë mekanizmat e demokracisë që kërkojnë balancë mes pushteteve, ai ka krijuar një klimë paranoje, ku të gjithë që nuk janë nën kontrollin e tij shihen si armiq.
Një deklaratë e fundit e tij se “prokuroria po e lufton qeverinë e jo korrupsionin” e përbën shembullin tipik të një qasjeje që synon të shmangë vëmendjen nga vetë thelbi i problemit: korrupsioni ekziston brenda qeverisë, jo jashtë saj. Luftimi i korrupsionit, si në çdo vend demokratik, nënkupton hetimin e zyrtarëve shtetërorë dhe vendimmarrësve që mund të kenë shpërdoruar pozitën e tyre. Pretendimi se një aleancë mes prokurorisë dhe “mediave të oligarkëve” po komploton kundër tij është narrativë që synon ta vendosë atë në rolin e viktimës dhe ta paraqesë qeverinë si të pafajshme. Por një qeveri nuk është viktimë është institucioni më i fuqishëm në vend dhe duhet të jetë më i hapuri për llogaridhënie.
Në një demokraci funksionale, gjyqësori është i pavarur nga ekzekutivi dhe mediat kanë rol kritik për të monitoruar dhe për të mbajtur përgjegjës pushtetin. Kurti, me sulmet e tij ndaj këtyre institucioneve, tregon mungesë të qartë respekti për ndarjen e pushteteve dhe për parimet themelore të sundimit të ligjit. Refuzimi i tij për t’u paraqitur si dëshmitar në Prokurorinë Speciale krijon një precedent të rrezikshëm: një kryeministër që e vendos veten mbi ligjin, duke e injoruar urdhrin e sistemit të drejtësisë. Me këtë, ai po promovon qasje orweliane, ku ndër të barabartët, më i barabarti është ai.
Llogaridhënia është shtyllë themelore e një demokracie moderne. Qeveritë ekzistojnë për t’u shërbyer qytetarëve dhe për t’i administruar burimet publike në mënyrë transparente. Një qeveri që refuzon të japë llogari dhe u kundërvihet institucioneve që kërkojnë përgjegjësi, i minon vetë bazat e shtetit të së drejtës. Nëse llogaridhënia largohet nga qeverisja, atëherë korrupsioni bëhet i pashmangshëm dhe besimi i publikut në institucione bie ndjeshëm. Ky është rrezik i madh për demokracinë, sepse një sistem politik pa mekanizma të fortë kontrolli dhe transparence është i destinuar të rrëshqasë në autoritarizëm.
Pohimi se hetimet ndaj qeverisë janë sulme të organizuara është përpjekje për ta delegjitimuar punën e prokurorëve, të cilët, në realitet, po e bëjnë punën e tyre. Nëse i hetojnë zyrtarët e qeverisë për korrupsion, atëherë pse të mos konsiderohen heronj të shtetit të së drejtës, në vend që të stigmatizohen si armiq të pushtetit?
Në një vend ku sundimi i ligjit respektohet, një kryeministër nuk do të duhej të frikësohej nga hetimet, por përkundrazi, do të duhej t’i inkurajonte transparencën dhe drejtësinë. Por Kurti nuk kërkon barazi para ligjit – ai kërkon një sistem ku gjyqësori dhe mediat janë nën kontrollin e tij dhe ku llogaridhënia është selektive. Kjo strategji e krijimit të një lufte imagjinare të “së mirës kundër të keqes” është tipike për liderët që duan të forcojnë pushtetin absolut. Në këtë vizion, ai paraqitet si i vetmi përfaqësues i “të mirës”, ndërsa prokuroria, gjyqësori dhe mediat përshkruhen si të korruptuara dhe të manipuluara nga interesa të errëta. Por një demokraci e shëndetshme nuk funksionon kështu – ajo mbështetet në ekuilibrin e pushteteve dhe në përgjegjësinë e liderëve para ligjit dhe qytetarëve.
Gjyqësori i pavarur është një nga shtyllat më të rëndësishme të një shteti demokratik. Ai siguron që ligji të zbatohet njësoj për të gjithë dhe i mbron qytetarët nga arbitrariteti i pushtetit ekzekutiv. Kur pushteti ekzekutiv përpiqet të ndërhyjë në punën e drejtësisë, atëherë ai rrezikon të krijojë sistem të kapur, ku vendimet merren jo mbi bazën e ligjit por mbi interesat politike dhe personale të liderëve.
Po ashtu, mediat e lira dhe të pavarura luajnë rol jetik në një shoqëri demokratike. Ato shërbejnë si mekanizëm i rëndësishëm kontrolli mbi pushtetin, duke i ekspozuar abuzimet dhe duke ia dhënë qytetarëve informacionin e nevojshëm për të marrë vendime të informuara. Nëse një qeveri fillon t'i shënjestrojë mediat dhe të tentojë t’i delegjitimojë ato, atëherë rreziku për qeverisje autoritare bëhet edhe më i madh.
Në vend që ta ndërtojë një sistem transparent dhe të besueshëm të drejtësisë, Kurti duket se po e synon një qeverisje ku ai dhe njerëzit e tij janë mbi çdo kritikë dhe mbi çdo kontroll institucional. Një qasje e tillë nuk është e re në histori liderët që kanë ndërtuar kult personaliteti shpesh kanë ndjekur të njëjtën strategji: de-legjitimimi i kundërshtarëve, kapja e institucioneve dhe krijimi i një mjedisi, ku vetëm një zë ka të drejtë të dëgjohet.
Përfundimisht, nëse Kurti e sheh veten ende si disident, atëherë pyetja e vërtetë që shtrohet është: kundër kujt po lufton ai? Kundër korrupsionit dhe padrejtësisë apo kundër institucioneve që e sfidojnë dhe e mbajnë përgjegjës për veprimet e tij dhe të qeverisë së tij? Gjykimin më të mirë do ta japë e ardhmja jo e largët, por përgjegjësia për ta ruajtur demokracinë u takon qytetarëve që duhet të jenë të vetëdijshëm për pasojat e një pushteti të pakufizuar./Koha
Komente
