Fitorja e CDU-CSU-së në zgjedhjet gjermane (nëse 29% mund të quhet fitore) i dha Evropës një frymëmarrje më të lirë nga droja se zgjedhjet e kësaj të diele do të mund t’i fitonte AfD-ja e ekstremit të djathtë, e cila doli partia e dytë më e votuar, me rreth 20% të votave të fituara dhe një ngritje të konsiderueshme në krahasim me zgjedhjet e kaluara, kur kjo parti pati fituar 12.6% të votave.
Në këtë mënyrë, i hapet rrugë koalicionit të gjerë mes CDU-CSU-së së Friedrich Merzit, SPD-së së Olaf Scholzit, të gjelbërve të Robert Habeckut e kështu me radhë. Me rëndësi është që AfD-ja do të mbetet në bankat e opozitës, të paktën deri në zgjedhjet e ardhshme. Refuzimi i partive tradicionale gjermane që të hyjnë në çfarëdo koalicioni me AfD-në ka të bëjë me të ardhmen e Gjermanisë dhe të Evropës, dhe këtu mund të tërhiqet një paralele edhe me koalicionin e ardhshëm qeverisës që mund të vijë në shprehje në Kosovë.
A do të hyjë ndonjëra nga partitë tradicionale të Kosovës në koalicion me LVV-në, apo kjo e fundit, megjithëqë doli e para në zgjedhjet e 9 shkurtit, do të mbetet në opozitë? Kjo është një pyetje njëmiliondollarëshe dhe zhvillimet në javët që pasojnë, posaçërisht rezultati përfundimtar zgjedhor, do të tregojnë se çfarë zgjidhjesh do të kemi lidhur me koalicionin qeverisës. Sidoqoftë, periudha prej më shumë se një muaji që nga mbalvvjtja e zgjedhjeve deri në certifikimin e tyre është tepër e gjatë dhe kjo tregon se shumëçka duhet të përmirësohet në administrimin efikas të zgjedhjeve në Kosovë.
Por, t’u kthehemi rezultateve zgjedhore në Gjermani dhe implikimeve të tyre në gjeopolitikën evropiane. Po të fitonte AfD-ja, ajo sërish nuk do të kishte partner të koalicionit në mesin e partive të tjera gjermane. Për të krijuar qeverinë, AfD-së do t’i nevojitej një shumicë prej 50%, njëlloj siç i ka pasur LVV-ja në vitin 2021. Se a do të gjejë LVV-ja partner për të formuar qeverinë mbetet të shihet.
Deri më tani, të gjitha partitë, me përjashtim të ndonjë individi, kanë përjashtuar mundësinë që të hyjnë në koalicion qeverisës me LVV-në, gjë që e bën situatën mjaft të ngjashme me atë në Gjermani. Sidoqoftë, një fitore e mundshme e AfD-së do të kishte pasoja të mëdha për arkitekturën politike evropiane. Evropa nuk do të ishte e njëjta, ashtu siç nuk është e njëjtë bota me ardhjen në pushtet të Donald Trumpit. Politika anti-emigracion dhe anti-zgjerim do të ishin pikat kyç të politikës së AfD-së, kurse raportet brenda Bashkimit Evropian do të shndërroheshin në raporte transaksionale, nga të cilat humbëset më të mëdha do të ishin vendet më të pazhvilluara të BE-së dhe vendet kandidate, nëse ato do të mund ta mbanin ende një status të tillë në raport me bllokun evropian.
Për sa i përket politikës së jashtme dhe të mbrojtjes, AfD-ja është e angazhuar për braktisjen e BE-së dhe të monedhës së përbashkët euro, si dhe për një përafrim me Moskën dhe braktisjen e mbështetjes ushtarake e financiare për Ukrainën. Kjo platformë tregon një ngjashmëri të konsiderueshme me politikën e Trumpit. Një fitore e mundshme e AfD-së do të shkaktonte tërmet në Evropë, ashtu siç po shkakton qasja e re e SHBA-së ndaj sigurisë së Evropës dhe mbrojtjes së Ukrainës, përkatësisht, një riafrimi me Putinin.
Ndryshimet e tilla të politikës gjermane do të kishin efekt destabilizues në kontinentin evropian dhe do të rrënonin sigurinë evropiane. Në anën tjetër, udhëheqësi i aleancës CDU-CSU, Friedrich Merz, menjëherë pas zgjedhjeve tha se SHBA-ja ka treguar që nuk do të kujdeset për Evropën dhe se Evropa duhet t’i ndërtojë kapacitetet e saj mbrojtëse, në të cilat mund të mbështetet në rast të një lufte me Rusinë që mbetet kërcënimi më i madh për sigurinë dhe kufijtë jo vetëm të BE-së, por edhe të vendeve të tjera të kontinentit evropian. Në këtë rrafsh, fuqitë kryesore ushtarake evropiane - Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe - kanë hapur dialogun strategjik, nga i cili mund të dalë një doktrinë e re e mbrojtjes evropiane, e mëvetësishme nga SHBA-ja që deri më tash ka qenë garantuesi i sigurisë së kontinentit të vjetër nëpërmjet NATO-s.
Se cili do të jetë roli i ardhshëm i SHBA-së për sigurinë e Evropës varet nga presidenti i saj, Donald Trump, për të cilin aleancat historike, duke përfshirë marrëdhëniet transatlantike, nuk janë edhe gjithaq të rëndësishme. Këtë të diel, gjermanët ua dhanë përgjigjen e duhur sfidave, me të cilat po ballafaqohen dhe do të ballafaqohen Gjermania dhe Evropa. Merzi duket të jetë personi i duhur për t’u dhënë përgjigje këtyre sfidave. Evropës i duhet një partner i besueshëm që, së bashku me fuqitë e tjera të mëdha evropiane, do të ndërtojë një të ardhme të përbashkët, gjithëpërfshirëse e jo përjashtuese të Evropës.
Në këtë kontekst është e dobishme të mendohet se çfarë përgjigje u dhanë kosovarët sfidave, të cilat e presin Kosovën në periudhën pas zgjedhjeve të fundit parlamentare. Votuesit kosovarë ishin të ndarë gati gjysmë përgjysmë. Më shumë se gjysma votoi për një politikë pragmatike, e cila ka për synim gjetjen e zgjidhjeve në partneritet me ata që i quajmë aleatë (nëse mund t’i quajmë ende të tillë mbetet të shihet), për tejkalimin e ngërçit politik të katër vjetëve të shkuar, që gjithsesi më shumë i konvenon Serbisë sesa Kosovës, sepse ky ngërç e mban situatën të ngrirë e që është interes i Beogradit.
Pak më pak se gjysma e votuesve votuan për opsionin e populizmit, gjë që është në vazhdën e trendëve politikë në mbarë Evropën. Sidoqoftë, opsioni populist në Kosovë doli i pari në zgjedhje dhe mbetet të shihet se si do të sillen partitë politike që kanë fituar mandate popullore karshi këtij opsioni.
Përvojat tronditëse të botës në këto pesë javët e fundit, prej se e mori Trumpi pushtetin, tregojnë se asnjë vend nuk mund ta luajë lojën e vet dhe t’i diktojë rregullat e lojës. Rregullat e lojës i përcaktojnë të mëdhenjtë dhe këto rregulla u ndryshuan ndjeshëm nga presidenti Trump. Këto rregulla të lojës aq më pak mund t’i përcaktojë Kosova. Çdo veprim krye në vete, siç ishte ai i fundit i mbylljes së qendrave sociale të Serbisë, do ta dëmtojë Kosovën.
Jo se institucionet e Serbisë duhet të përligjen. Mirëpo mbyllja me polici nuk është rruga e duhur, sepse kjo i shkakton dëme të pariparueshme Kosovës në frontet e tjera, kurse ngërçi politik vetëm sa vjen e shtrëngohet. Interesi i Kosovës është të dalë nga ngërçi i brendshëm dhe i jashtëm politik, madje edhe nga ngërçi i marrëdhënieve me Serbinë, duke u treguar e gatshme për të gjetur zgjidhje të cilat nuk e cenojnë pavarësinë dhe sovranitetin e vendit. Kjo mund të arrihet, por populizmi për të cilin votuan gati gjysma e qytetarëve të Kosovës nuk është përgjigja e duhur për sfidat, të cilat mund të mos tejkalohen dhe mund të thellojnë krizën po qe se partitë politike, si bartëse të mandatit popullor, nuk gjejnë zgjidhje të mençur për udhëheqjen e Kosovës në këtë periudhë vendimtare për fatin e saj./Koha
Komente

Ne qoftese kerkon gjykata speciale ose spaku tirabe dhe albi kurti kerkon doreheqje emre elisa spiropali kryeminister kosove dhe edi rama kerkon zgjedhje perpashke kosove shqiperi
Përgjigju