Opinion

Arben Qirezi: Kosova dhe pasiguria e aleancave, a i kanoset Kosovës kriza ekzistenciale?

21 Shkurt, 08:45
  • Share

Në një botë që po ndryshon rrufeshëm, Kosova medoemos duhet ta gjejë vendin e saj. Pozita e Kosovës është e brishtë ndërsa siguria dhe stabiliteti i saj janë të ndërlidhura me dinamikën e zhvillimeve ndërkombëtare, që sipas shenjave të para mund të mos jenë edhe aq të favorshme për Kosovën. Politika e Shteteve të Bashkuara po ndryshon në mënyrë rrënjësore, me aleancat e deritanishme që po bien sikur të mos kishin ekzistuar fare.

Politika e jashtme e presidentit amerikan, Donald Trump, sidomos në fushën e sigurisë në Evropë, po shkon drejt një ripozicionimi që po e trondit kontinentin evropian. Bisedimet e filluara me Rusinë rreth përfundimit të luftës në Ukrainë dhe kritikat e ashpra që Trumpi ia bëri presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, gjatë kësaj jave po tregojnë se gjithçka që ka ekzistuar më parë po zhbëhet.

Doktrina e politikës së jashtme amerikane për mbështetjen e Ukrainës në luftën e saj mbrojtëse kundër Rusisë “deri sa të ketë nevojë” (as long as it takes) apo deri në fitoren përfundimtare, nuk ekziston më. Në vend të saj, Trumpi ka zgjedhur që të angazhohet në bisedime të drejtpërdrejta me presidentin rus, Vladimir Putin, për t’i dhënë fund luftës duke njohur faktet e krijuara në terren. Ai madje i ka thënë Zelenskyyt se vendi i tij mund të mos ekzistojë më nëse nuk pajtohet me përfundimin e shpejtë të luftës, që do të thotë edhe humbjen e një pjese të territorit ukrainas.

Trumpi e bëri Zelenskyyn fajtor për luftën në Ukrainë, duke i thënë se lufta do të mund të përfundonte edhe më herët po qe se ai nuk “do ta bënte punën e tmerrshme” në vendin e tij. Në këtë mënyrë, lufta në Ukrainë edhe mund të përfundojë me një paqe të brishtë, në të cilën Rusia përfiton territore të pushtuara, pa ndonjë garanci shtesë për sigurinë e këtij vendi nga SHBA-ja, kurse Putini, nga agresor shndërrohet në paqebërës.

Mesazhi që zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, ia dërgoi Evropës gjatë fjalimit të tij në Forumin e Sigurisë në Munih ishte se SHBA-ja nuk do ta garantojë më sigurinë e kontinentit të vjetër dhe se vendet evropiane duhet të ishin të vetëmjaftueshme për t’u mbrojtur. Evropa në këto rrethana të reja është në rrezik real nga agresioni rus, sidomos në pjesën e saj lindore dhe në Baltik. Një marrëdhënie e re e SHBA-së me Rusinë, në të cilën kjo e fundit faktorizohet si fuqi të cilës i njihet ndikimi në Evropë, e bën sigurinë evropiane të brishtë dhe të paqëndrueshme. Me një fjalë, Trumpi po u thotë aleatëve të deritanishëm se nuk mund të llogaritin në garancitë dhe në mbështetjen e SHBA-së si mbrojtës kryesor i sigurisë evropiane.

SHBA-ja është garanti kryesor i sigurisë së Kosovës. Një agresion i mundshëm i Serbisë në Kosovë pamundësohet me praninë ushtarake dhe me mbështetjen politike të SHBA-së për Kosovën. Prania e NATO-s në Kosovë është krejtësisht e varur nga SHBA-ja. Një tërheqje e mundshme e SHBA-së nga KFOR-i mund ta vërë në pikëpyetje praninë ushtarake të vendeve të tjera, duke e lënë Kosovën pa garancinë se siguria e saj nuk do të cenohet nga një agresion i mundshëm i Serbisë.

Por a do t’i vijë radha edhe Kosovës, në këtë ndryshim radikal të politikës së jashtme amerikane? A do të preket edhe Kosova nga ky ndryshim?

Kjo deri në një masë mund të varet edhe nga vetë Kosova. Në këtë kalkulim llogarit edhe Beogradi, shpresa e të cilit është tërheqja e garancisë së SHBA-së nga Kosova. Në këtë kontekst, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia do ta “kthejë Banjskën”, gjatë një panairi të turizmit në Beograd. Ishte një kërcënim i drejtpërdrejtë për Kosovën. Paqja dhe siguria në rajon janë të mundura vetëm me një prani të fuqishme ushtarake e politike të SHBA-së, para së gjithash në Kosovë.

Tërheqja eventuale e SHBA-së do të ishte uverturë për një luftë të gjithmbarshme në regjion, viktimë e parë e të cilës do të ishin Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina. E trimëruar nga ripozicinimi amerikan, në këtë luftë do të mund të hynte edhe Rusia, në anën e Serbisë. Kosova e vetmuar do të ishte e pafuqishme që t’i bënte ballë një agresioni serb.

Prandaj, është përgjegjësi e akterëve politikë që në këtë periudhë të veprojnë, që të mos nxisin ndonjë reagim të SHBA-së, e cila nuk është më ajo e njëjta që ka qenë gjatë dekadave të fundit. Garancia e saj për Kosovën nuk është e mirëqenë dhe ajo mund të ndryshojë. Krijimi i një blloku opozitar dhe formimi i një qeverie të koalicionit, të përbërë nga partitë opozitare, është mënyra e vetme që Kosova të shmangë një ndryshim negativ të politikës amerikane në Kosovë. Prandaj, këto parti duhet t’i lënë anash dallimet dhe kalkulimet politike e të merren vesh për formimin e një qeverie, e cila do të jetë më e pranueshme për administratën e presidentit Trump dhe me të cilën kjo administratë do të punonte në kërkim të një zgjidhjeje përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke i minimizuar dëmet eventuale që Kosova mund t’i ketë nga një marrëveshje e tillë. Në të kundërtën, një qeveri e udhëhequr nga LVV-ja, në krye me liderin e saj, Albin Kurti, do të rezultonte në ngrirjen e marrëdhënieve me SHBA-në dhe mund të rezultojë në një tërheqje të SHBA-së nga Kosova dhe rrjedhimisht, në një agresion serb në Kosovë.

Është koha e fundit të mendohet në mënyrë burrështetërore dhe që interesat jetike të vendit të vihen përpara interesave për pushtet. Opozita ka përgjegjësi shtetërore dhe historike që të bëhet bashkë dhe ta marrë timonin, sepse në të kundërtën Kosova do të ballafaqohet me krizë ekzistenciale.

Ndryshimet e furishme në politikën amerikane mund ta prekin edhe Kosovën, sidomos në rast se një politikë çfarë është bërë në katër vjetët e fundit vazhdon ta udhëheqë Kosovën. Prandaj, është jetike që Kosova t’i riparojë raportet e prishura me SHBA-në dhe të ketë qasje në zyrat e administratës së presidentit Trump. Në të kundërtën, mund të jemi viktima e radhës e ndryshimeve të mëdha gjeostrategjike që po ndodhin në Evropë./Koha

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Primaret në PD, a mendoni se do të jetë një proces i drejtë?