Situata e krijuar në mungesë të konstituimit të Kuvendit, përveçqë tregon për një anomali dhe për abnormalitet politik, edhe e ka vënë vendin në një situatë në të cilën bota nuk ka adresë dhe as partner me të cilin mund të punojë. Qeveria aktuale në detyrë nuk konsiderohet legjitime, për shkak se asaj efektivisht i ka kaluar mandati me certifikimin e rezultateve zgjedhore dhe ajo nuk paraqet adresë legjitime për partnerët ndërkombëtarë. Duke qenë se partitë protagoniste në Kuvend po e fajësojnë njëra-tjetrën për bllokadën institucionale, ky shkrim nuk do të merret me atë se kush është fajtori, sepse për çdo njeri që ka pak logjikë, kjo është më se e qartë.
Problemi qëndron në atë se partnerët kryesorë të Kosovës, duke e përfshirë SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, nuk kanë se kujt t’i drejtohen për punët e mbetura pezull dhe për çështjet që duhen çuar përpara. Pra, nuk është vetëm bllokadë e brendshme institucionale, por është edhe e jashtme. Një krizë gjithëpërfshirëse, e cila e ka lënë Kosovën pa zot shtëpie që katër muaj.
E çështje ka sa të duash. Disa prej tyre duhet të na brengosin seriozisht, sepse kanë të bëjnë me sigurinë dhe ekzistencën e Kosovës si shtet. Në samitin e NATO-s, që u mbajt këtë javë në Hagë, presidenti amerikan, Donald Trump, i përmendi edhe një herë Kosovën dhe Serbinë. Ai tha se përveç konfliktit në mes Indisë dhe Pakistanit, atij mes Izraelit e Iranit, shteti i tij ka intervenuar edhe në një problem tjetër madhor: në atë mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo është hera e dytë që Donald Trumpi i përmend Kosovën dhe Serbinë si çështje që e kërcënojnë paqen dhe sigurinë në botë. Herën e parë këtë e tha në rrjetin e tij social “Truth Social”, e herën e dytë në takimin e nivelit më të lartë të Aleancës Veriatlantike.
Mirëpo, problemi qëndron në atë se cila është adresa e Trumpit në Kosovë?
Shtetit të tij i nevojitet një partner që ka legjitimitet demokratik, e jo një i atillë që përfiton nga kriza institucionale, ngase vendimet politike të peshës madhore duhet të mbështeten në legjitimitetin dhe në mbikëqyrjen demokratike.
Me çka është marrë saktësisht SHBA-ja lidhur me Kosovën dhe Serbinë? Në rast se ka pasur ndonjë intervenim diplomatik të SHBA-së për ta parandaluar ndonjë eskalim në mes të Kosovës e Serbisë, atëherë asnjë institucion, siç është Kuvendi, e lëre më qytetarët, nuk kanë qenë të informuar nga Qeveria në detyrë. Kësaj radhe u desh të pritej një prononcim i presidentit Trump për të kuptuar se diçka qenka zier, e për këtë askush nuk ka ditur gjë.
E, megjithëkëtë, Kosova nuk ka institucione legjitime, për shkak të krizës institucionale të prodhuar nga ata që e kanë fituar mandatin për t’i krijuar institucionet. Kësaj pune i thonë “shtëpia po digjet, e plaka po krihet”. E thashë se nuk do ta fajësoj askënd për këtë krizë institucionale, por, megjithëkëtë, mendoj se ata që po mohojnë se ka krizë janë përgjegjësit kryesorë të saj. Kjo ngase atyre po u konvenon të veprojnë pa legjitimitet, sepse në këtë mënyrë i shmangen jo vetëm llogaridhënies së brendshme, por edhe përgjegjësive dhe detyrimeve ndërkombëtare që i ka Kosova. Ata thjesht nuk duan të merren me asgjë.
Pjesa tjetër ka të bëjë me marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian. Kosova jo vetëm që po i humb qindra miliona euro nga asistenca e zgjerimit e BE-së, por ka ngecur edhe në dialogun me Serbinë, i cili në realitet është i një peshe madhore, sepse na është bërë e qartë se rruga drejt integrimeve euroatlantike kalon nëpërmjet normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Dhe ky është kusht për të dyja vendet, jo vetëm për Kosovën.
Kosova e humbi shansin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës mu për shkakun e dinamikave të zbatimit të marrëveshjeve që rrjedhin nga ky dialog. Në këtë kontekst, fajësimi i opozitës për humbjen e një kredie prej 90 milionë eurosh nga Banka Botërore, shkaku i moskonstituimit të Kuvendit, është një cinizëm i paparë në analet e politikës kosovare. Kjo sepse loja e hedhjes së fajit nuk i çon proceset përpara. Kjo lojë zhvillohet nga ata që janë për ta bllokuar Kosovën politikisht, në mënyrë që asnjë proces i vetëm të mos shkojë përpara.
Në historinë politike të Kosovës, madje edhe kur në arenën politike janë ballafaquar ata që janë konsideruar armiq të përbetuar, zgjidhjet janë gjetur përmes dialogut dhe marrëveshjes. Rasti më ilustrues është ngërçi institucional i paszgjedhjeve të para parlamentare të vitit 2001, kur LDK-ja, PDK-ja dhe AAK-ja u dakorduan për formimin e institucioneve, ngase asnjëra prej tyre nuk i ka pasur votat e mjaftueshme për ta bërë këtë në mënyrë vetanake. Rasti i njëjtë është edhe sot. Asnjë parti nuk i ka votat e mjaftueshme për ta imponuar vullnetin e vet politik. Prandaj, zhbllokimi i situatës kërkon marrëveshje përmes së cilës forcat politike do të dakordohen për rrugën që ndihmon në krijimin e institucioneve ligjvënëse dhe ekzekutive të shtetit.
Ngërçi aktual do të ketë pasoja afatgjata për Kosovën, si ekonomike, ashtu edhe politike. Pasojat nuk do të jenë vetëm të brendshme, por edhe të jashtme. Kosova po prodhon imazh negativ, që e pasqyron atë si vend të paaftë për t’u vetëqeverisur pa mbikëqyrje ndërkombëtare. Dhe kjo prodhimtari po bëhet pikërisht nga ata që e kundërshtonin planin e Ahtisarit, që parashihte një periudhë transitore, kur pavarësia e Kosovës do të mbikëqyrej nga bashkësia ndërkombëtare. Kosova po komprometohet çdo ditë e më shumë në sytë e miqve ndërkombëtarë.
Por ky komprometim që e dëmton thelbin e shtetësisë së saj duket se nuk po u bën përshtypje akterëve që janë më së shumti përgjegjës për të. Ngulmimi për vetëm një zgjidhje tregon për paaftësinë politike, për papërgjegjësinë dhe për mungesën e respektit ndaj qytetarëve. Andaj, megjithëqë koha do të tregojë se kush është fajtor për këtë gjendje, një rezonim i thjeshtë i qytetarëve të vendit duhet t’u kumbojë partive në zgjedhjet e radhës. Kokëfortësia nuk bën të shpërblehet. Përkundrazi, duhet të ndëshkohet, sepse falë saj, Kosova ka rënë politikisht në dy gjunjë.
Nëse dikur krizat janë zgjidhur me kompromis dhe me vullnet politik, sot po shfaqet mungesë alarmante e përgjegjësisë dhe e vetëdijes shtetformuese. Institucionet nuk janë thjesht struktura formale, por përfaqësim i kontratës mes qytetarit e shtetit – kontratë që aktualisht po shkelet me papërgjegjësi të pafalshme. Koha për kalkulime politike ka kaluar; tani është koha për maturi, për bashkëpunim dhe për rikthim të legjitimitetit demokratik. Nëse kjo nuk ndodh shpejt, kostoja do të jetë jo vetëm një Kuvend i bllokuar, por edhe një shtet që e humb besimin e qytetarëve dhe të partnerëve ndërkombëtarë./Koha
Komente
