Kosova & Rajoni

Arben Taravari në Pogradec: Rritja e nacionalizmit në Maqedoninë e Veriut, arsyeja pse dolëm nga qeveria

7 Gusht, 16:49| Përditesimi: 7 Gusht, 17:05

  • Share

Kryetari i Partisë Aleanca për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, së bashku me 4 kandidatët për kryetarë komune në prag të zgjedhjeve lokale, ditën e sotme ishin në qytetin e Pogradecit në kuadër të një turi vizitash në juglindje të vendit.

Në fokus të këtij takimi ishin diskutimet për një bashkëpunim të mirë të dy palëve.

I pyetur nga mediat, Arben Taravari ka komentuar ngjarjen e fundit në lidhje me thirrjet raciste të tifozëve Maqedonas në ndeshjet e basketbollit Maqedoni e Veriut – Rumani të luajtur në Kumanovë.

Taravari theksoi se kohët e fundit është vënë re e rritjes së nacionalizimit në Maqedoninë e Veriut, e sipas tij, kjo ishte arsyeja përse dolën nga qeveria.

“Ishte ngjarje skandaloze, të cilën realisht e kemi komentuar të gjithë politikanët në Maqedoninë e Veriut edhe të disa partive politike shqiptare por edhe disa maqedonase. Dua të falenderoj publikisht për solidarizimin që dha Shqipëria edhe Kosova. Ky është një trend muajt e fundit, që rritet nacionalizmi maqedonas, dhe kjo është edhe arsyeja që Aleanca për Shqiptarët e lëshoi edhe qeverinë pata tre muajsh dhe tani jemi në opozitë dhe po përgatitemi për zgjedhjet lokale”.

Taravari bëri akuza edhe ndaj Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, për të cilin tha se disa ditë përpara ndeshjes së basketbollit ku u bënë thirrjet antishqiptare, pati bërë komente fyese ndaj shqiptarëve.

“Disa ditë para ngjarjes në ndeshjen e basketbollit në Kumanovë, kryeministri në mënyrë fyese ndaj shqiptarëve fliste në parlament dhe kjo natyrisht reflektohet tek qytetarët. Gjithashtu edhe atë që e tha që qëndron edhe në raportin e BE se bota serbe ka ndërhyrë thellë në Maqedoninë e Veriut dhe këto janë pasoja të funksionimit të inkuadrimit së botës serbe në politikat maqedonase. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë të ndarë në dy blloqe, diçka që është e shëndetshme. Janë disa parti por të ndara në dy blloqe çka është me e shëndetshme për një shoqëri”, theksoi ai.

Thirrjet antishqiptare në ndeshjen e basketbollit në Maqedoninë e Veriut u dënuan nga Shqipëria e Kosova, por edhe politikanë maqedonas pas ngjarjes. Ndërsa Prokuroria e Kumanovës arrestoi një person të dyshuar.

V.GJ /E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zjarrvënia e qëllimshme njësoj si vrasja, si ju duket propozimi i Ramës?