Arbëreshët e Italisë presin Spiropalin, kryetarja e Kuvendit vishet me kostumin tradicional në përurimin e statujës së Skënderbeut

30 Gusht, 21:13| Përditesimi: 30 Gusht, 21:21

  • Share

Këngët e vallet e arbëreshëve të Italisë, gjuha e tyre e ruajtur me fanatizëm për 600 vjet, kostumet e mrekullueshme, traditat, kultura e pasur shpirtërore, të gjitha këto u shpalosën gjatë vizitës së Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, në Horën e Arbëreshëve, vendbanimit më të madh arbëresh në Siçili.

Teksa festojnë Ditën e Themelimit të vendbanimit të tyre, pasardhësit e bashkëluftëtarëve të Skënderbeut, manifestojnë me krenari rrënjët e tyre që i lidhin me vendin amë, Shqipërinë dhe mikpresin me dashuri e bujari prekëse delegacionet e mbërritura nga Shqipëria e gjithandej nga Diaspora.

Festimeve iu bashkua edhe kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ndërsa u përurua edhe përmendorja së Heroit tonë, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Spiropali u vesh me kostumin e tyre tradicional, si për t’u sjellë një mesazh e porosi nga Shqipëria: ne jemi një!

“Bustet dhe emri i Skënderbeut u japin hijeshi shesheve dhe rrugëve në Tiranë, Prishtinë, Romë, Gjenevë, Zyrih, Paris, Londër, Bruksel, Budapest, Shkup e madje edhe në Miçigan e Çikago, në Shtetet e Bashkuara.

Tani Gjergji vjen në bronx si shenjt mbrojtës dhe monument kujtese edhe në qytetin tuaj si për të na kujtuar ne të gjithëve, që na bashkon një "gjuhë e një gjak", se secili nga ne sot, e fëmijët tanë nesër, do të jemi po secili një gur në piedestalin e pavdekshëm të Kastriotit tonë”, tha Spiropali.

Aktivitetet në Horën e Arbëreshëve janë të shumta këto ditë, teksa kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë ka vizituar muzetë vendorë, kishat, bibliotekat, institucionet shtetërore, si dhe ka biseduar e kuvenduar shqip me arbëreshët patriotë e mikpritës të Siçilisë.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?