Dina e Mel, dy arbëreshe të Zadarit të Kroacisë (arbëreshët e Zarës) prej një dekade, i japin zë këngëve të të parëve të tyre, duke luftuar harresën... Rikthehen në Shqipëri për të tretën herë.
“Është një histori e këndshme, sesi nisi çdo gjë. Ne ishim ftuar nga Maksimiliana Barançiç, promovuese e madhe e komunitetit arbëresh, dhe ajo i kërkoi Dinës, nëse mund të përgatiste dy tre këngë nga ato që i kish mësuar gjyshja arbëreshe, për prezantimin e librit të saj. Dhe ne kështu bëmë. Të nesërmen kur i interpretuam, mes publikut kishte disa të moshuar arbëresh, që me ti dëgjuar nisin të qajnë sepse gjetën në to meloditë e fëmijërisë së tyre. Dhe unë i thashë Dinës: Shiko ne kemi një thesar shumë special këtu, le ta mbajmë atë gjallë”, shprehet Melita Ivković, kitariste e kompozitore.
Mbrëmjen e së premtes në sallën “Çesk Zadeja” tek Artet këndojnë 12 këngë arbëreshe, nga dashuria për vendin, nënën e “Bërbilin”. Kështu quhet projekti i tyre muzikor që ka nxjerrë në dritë tekste e melodi të vjetra e autentike, për të rizbuluar muzikën tradicionale arbëreshe. Shoqërohen nga quarteti “Archidea” dhe kornisti Ilir Kodhima.
“Për ne është shumë e rëndësishme të promovojmë kulturën tonë. Diçka që nisi të dalë në skenë vonë, pasi unë i kam regjistruar këto këngë 20 vite më parë. Me kohën arbëreshët e Zadarit, nuk e flasin shumë gjuhën, e nuk i këndojnë këto këngë dhe mund ta them se ne i shpëtuam ato nga harresa totale”, thotë këngëtarja Dina Bušić.
Arbëreshët e Kroacisë janë zhvendosur nga zona e Liqenit të Shkodrës, sot pjesë e Malit të Zi prej tre shekujsh. Qe ky degëzimi që erdhi me pushtimin osman në vend; Arbëreshët katolikë në veri, ndërsa ortodoksët në Italinë e Jugut.
“Janë dy situatat të ndryshme të jetuara . Në Itali ka shumë njerëz të cilët e kanë ruajtur për 500 vjet kulturën, gjuhën, muzikën, dhe kostumet e tyre. Pasi atje ku shkuan, patën mundësi të jetojnë në paqe, ndërsa Zadari për shembull ka pasur një histori plot turbulenca, dhe kjo është arsyeja se pse ne kemi harruar shumë nga traditat tona” , rrëfen këngëtarja Dina Bušić.
Përgëzimet tona! Po, ju lutem Zara, jo Zadari. Tradita gjuhësore e ka ruajtur me shekuj emrin e qytetit të Zarës, ndërsa ju tani i referoheni trajtës serbe apo kroate, Zadar. A nuk është kjo në kundërshtim me vlerat e atyre që perzantoni me respekt!
Përgjigju