Studiuesi Matteo Mandala, e konsideron botimin “Arbëreshët -Shqiptarët e Italisë” ku autori Fatmir Toçi trajton vendbanimet, historinë, kulturën, ritet dhe objektet e kultit të këtij komuniteti, si një vademekum mjeshtëror ku harmonizohet shkenca e rrëfimi popullor.
“Është në radhë të parë një punë pasioni edhe një punë me dashuri të madhe për një komunitet që ne shqiptarëve na bën dhe duhet të na bëjë krenar për historinë e tyre të pazakontë mbi 500-vjeçare”, thotë autori e botuesi Fatmir Toçi.
Libri u promovua në Akademinë e Shkencave këtë të mërkurë, me rastin e Panairit Kombëtar dhe zë fill nga një pasion e kuriozitet i kahershëm i autorit mbi arbëreshët. Toçi si ish-deputet, propozoi dhe udhëhoqi ngritjen e një grupi kuvendor për marrëdhëniet me arbëreshët e Italisë, çka i bëri më të shpeshta vizitat e tij dhe thelloi njohjen.
“Është një fenomen i rrallë në Evropën e fundit të Mesjetës dhe të kohës moderne që një komunitet i tërë, pjesë e një kombi të tërë, ruan elementët më themelorë të identitetit të vet, siç janë gjuhët, zakonet, tradita, riti, dhe të gjithë elementët e tjerë që përbëjnë identitetin, duke mos pasur asnjë lloj kontakti me vendin “mëmë” për gjithë këtë periudhë, dhe kjo më ka tunduar shumë dhe më ka bërë kurioz që para tre dekadave qëkur u hoqën kufijtë e viteve ’90 për të qenë një nga vizitorët e parë, për të parë një botë shqiptare në lëvizje, në zhvillim, për të njohur një laborator historik se si ka qenë bota shqiptare përpara 5 shekujve në kohën e Skënderbeut dhe në kohën e luftërave të mëdha antiosmane që ka zhvilluar vendi jonë”, thotë Toçi.
Autori ka hulumtuar në arkiva e libra studimorë e njëherazi ka pasur kontakte të drejtpërdrejta me përfaqësues të komunitetit, duke i prekur 50 komunat arbëreshe nga afër.
“Dita-ditës, duke njohur njerëz, duke pasur kontakte, duke vizituar jo pak por mbi 500 vendbanime që kanë qenë arbëreshe dhe që sot janë rrudhur në 50 zyrtarisht, më bëri të ulem (një periudhë që zgjati mbi 15 vjet), dhe në ulje të seleksionoj dhe të bëj dy libra, një përpara tri vjetësh, një monografi mbi historinë dhe kulturën arbëreshe, që është pritur mirë nga lexuesi dhe më ka dhënë një nga kënaqësitë më të mëdha dhe libri i dytë, që është ky dhe që mund ta quaj libri i jetës sime”, shton Toçi më tej.
Akademiku Rexhep Qosja e konsideron si veprën më të veçantë historiografike dhe më të madhen në përmbajtje shkruar për arbëreshët. Në të preken edhe çështje pak të studiuara më herët, si ajo e familjes Durazzo, që trajtohet prej fundit të shekullit XIV.
“Një histori që nga emigrantë ranë u bënë skllevër dhe më pas biznesmenë të mëdhenj në Republikën e Xhenovës dhe pastaj në sajë të aftësive të tyre, sigurisht një familje e madhe arritën që të bëhen deri në kryeministra, jo një dhe dy, po plot 8 pinjollë të asaj familje . Është një histori që mua më vjen keq që është trajtuar shumë pak në historiografinë tonë, po unë mendoj që ka botime, ka dokumente që mund të trajtohen . Pavarësisht se çfarë kanë bërë apo çfarë nuk kanë bërë për vendin e tyre, ata i kanë dhënë një vend të madh emrit shqiptar, sepse e mbajtën deri në fund , dhe në ditët tona emrin ‘Durazzo’ , si një nga familjet më të famshme të gjithë Italisë”, thotë më tej autori.
Në 18 kapituj që synojnë t’i ofrojnë lexuesit shqiptar një panoramë të plotë të komunitetit arbëresh, nuk mund të mungonte as familja Castriota, që Toçi e sjell gjithashtu të ilustruar përmes të dhënave arkivore por edhe gjurmëve të sotme. Hartat, imazhet në 400 fotografi origjinale, pasurojnë botimin.
“Pastaj familjet e tjera si Castriota dhe gjithë fisnikët e tjerë, sidomos pas vdekjes së Skënderbeut, janë ato që u vendosën kryesisht në Italinë e Jugut dhe të veriut, në Republikën e Venedikut. Historitë e tyre janë trajtuar pak. Unë mendoj se është një thesar që të trajtosh historinë e secilit prej tyre për të parë klasën feudale shqiptare, e cila në të gjitha kohërat ka qenë e barabartë në mos në një nivel shumë më të rëndësishëm historik e kulturor sesa e gjithë klasa tjetër feudale e Europës së asaj kohe”, thotë më tej Toçi.
Libri ka marrë vlerësimet maksimale nga studiuesit vendas, mes të cilëve Neritan Ceka e konsideron si një enciklopedi e “gjakut të shprishur” të Arbrit.