Një kamikaz me uniformë arbitri e ka cilësuar klubi i Kukësit Juxhin Xhajën, gjyqtarin e ndeshjes me Teutën, të cilën verilindorët e humbën me rezultatin 3-0.
Kukësi ka reaguar ashpër duke bërë fajtor ‘xhaketat e zeza’ jo vetëm për këtë ndeshje, por edhe për sfidat e kaluara. Ata e cilësojnë gjykimin si skandaloz, ndërsa pretendojnë se tashmë po bëhet qëllimisht për të dëmtuar verilindorët.
Në përballjen me Teutën, ku morën humbjen e tretë brenda katër ndeshjeve, Kukësi pretendon që arbitri Juxhin Xhaja të ketë gabuar të paktën 3 herë.
Fillimisht bëhet fjalë për një prekje të topit me dorë, që sipas verilindorëve është penallti e pastër. Ky episod ka ndodhur në një moment kur ndeshja ishte ende 0-0. Rasti i dytë është një ndërhyrje në zonë nga mbrapa ndaj sulmuesit Eze, që sërisht sipas Kukësit është një penallti e mohuar. Verilindorët kanë pretendime edhe te goli i dytë i shënuar nga Teuta, që sipas tyre është pozicion jashtë loje.
Si pasojë e këtyre rezultateve, një javë më parë Kukësi dhe trajneri Gega prishën bashkpunimin, ndërsa ekipi aktualisht renditet në vendin e pestë në renditje.