Një katërshe arbitrash nga Estonia do të vendosin drejtësi në ndeshjen Shqipëri-Andorra dueli i parafundit i kualifikuesve të “Euro 2020” që do luhet në Elbasan.
Kryesor i takimit do të jetë Kristo Tohver ndërsa asistentë të tij do të jenë Silver Koiv e Aron Harsing ndërsa gjyqtar i katërt Roomer Tarajev. 38 vjeçari Tohver është arbitër i FIFA-s që prej vitit 2010 dhe do të gjykojë një ndeshje që nuk pritet të jetë problematike në aspektin e menaxhimit të futbollistëve në fushë.
Trajneri Reja do të duhet të bëjë pa Klaus Gjasulën të pezulluar ndërsa edhe tek miqtë ka dy mungesa për shkak kartonësh Lima dhe Rebes. Keidi Bare, Kastriot Dermaku dhe Taulant Xhaka duhet të kenë kujdes pasi nëse ndëshkohen me karton ndaj Andorras nuk mund të luajnë tre ditë më pas kundër Francës.
Shqipëria ka bilanc pozitiv me Andorrën ku në katër përballje që janë rregjistruar në të kaluarën Shqipëria 3 i ka fituar dhe vetëm një ka humbur me një golavarazh prej 7 golash të shënuar e 2 të pësuar.