Albin Kurti

Arbitrazhi, Asosacioni dhe pse historia shpesh na lë me gisht në gojë!

19 Nëntor 2023, 21:53| Përditesimi: 19 Nëntor 2023, 21:54

  • Share

Ende ka një paqartësi të madhe sa i përket draftit të Asosacionit në Kosovë. Paçka emrave të fundit dhe eufemizmave që përdoren. Nga shumë palë, individë dhe institucione mëtohet se kanë njohuri për dokumentin bazë (Shumë larg draftit të FES, atij të Ramës, etj.), por paradoksalisht ai nuk bëhet i qartë. Se kur do kenë kohë teknicienët ta shqyrtojnë dhe të japin mendim, kjo nuk kuptohet. Çuditërisht aksesohet për politikanët, që shpesh kanë treguar mungesa kulture dhe përgjegjshmëri, qoftë në Kosovë por edhe në Shqipëri.

Ajo që kuptohet qartë është se palëve serbe dhe kosovare po u jepet kohë të sheshojnë mosmarrëveshjet dhe problemet e brendshme. Drafti është gati për firmë. Do ketë pak axhustime. Arsyeja: Serbia të marrë frymë e të ketë kohën e mjaftueshme të mbyllë zgjedhjet; Kosova, ndarjet e mëdha të brendshme dhe mëtimet patetike. Ndërkohë, individë që mëtojnë se e kanë parë draftin, sipas interesave, referojnë dy kahet pozitive dhe negative. Një gjë po duket qartë: Kosova falë angazhimeve të saj dhe lëshimeve që ka bërë në kohë është drejt finalizimit të draftit të Asosacionit. Në këtë periudhë të vështirë, qeveria Kurti tërheq dhe masat shtrënguese të faktorit evropian. Një akt demonstrimi i forcës mbi palën e dobët.  Ndërkohë çështja “Bajnska” jo vetëm është harruar për Serbinë, por ajo tashmë është larg e më larg realitetit të masave shtrënguese. Ca zëra pro këtyre masave më shumë kundrohen si miq të Kosovës dhe vetëm kaq. Një paradoks që vetëm burokracia e ngatërruar e kolegjialiteteve evropiane mund ta shpjegojë.

Një alarm ka ardhur nga zyrtarë, që tashmë e quajnë të kryer Çështjen e Asosacionit, lidhur me atributet e tij dhe sidomos përplasjet e mundshme, që do kenë strukturat e këtij organizimi me qeverinë qendrore të Kosovës. Problemi më i madh është neni 42, kanë theksuar zyrtarët e AAK-së, që e kanë konsultuar për 45 minuta!!! Ky nen 42 lidhet drejtpërdrejt me Komisionin e Arbitrazhit, që nënkupton të zgjidhë konfliktet e papajtueshmërisë dhe përballjet e niveleve të qeverisjes. Komisioni i Arbitrazhit duket se do të menaxhohet prej Bashkimit Evropian, prej deklaratave të Besnik Tahirit, kryetarit të Grupit Parlamentar të AAK-së, që e ka përcjellë dokumentin. Po atëherë për çfarë hyn në punë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe instancat më të ulëta përgjegjëse në Kosovë? Çfarë hyn në punë që Asosacioni duhet të veprojë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës, sipas zyrtarëve? Draft-Statuti aktual është tërësisht arkaik sepse ka dispozita revolucionare që operojnë jashtë sistemit ekzistues kushtetues, shprehet qartazi Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për median e Kosovës.

Por, le të përfundojmë idenë për arbitrazhin. Për shqiptarët ai duhet të jetë ndërkombëtar. Për serbët ajo është strukturë e brendshme. Në sqarimin kuptimor të këtij koncepti: Arbitrazhi ofron një forum neutral për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkufitare. Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur palët duan të shmangin t’i japin tjetrës një avantazh gjyqësor vendor, ose kur sistemi gjyqësor vendas i njërës palë mund të jetë i panjohur, kompleks ose sfidues për t’u lundruar.

Kjo do të ndodhte realisht nëse është ky paritet dhe palët identifikohen si të tilla, me njëra-tjetrën. Përderisa Serbia është shtet sovran dhe i pavarur dhe në kushtetutën e vet e ka Kosovën, si pjesë integrale, nuk mund të lejojë që një autoritet tjetër, qoftë dhe Kosova ( pavarësia e të cilës nuk e ka shkelur të Drejtën Ndërkombëtare të përballet edhe me këtë status.

Jo më kot dhe, sidomos në orët e fundit, të gjithë palët zgjedhore në Serbi, veç retorikës së zakonshme të presidentit Vuçiq vazhdojnë të theksojnë se Kosova është pjesë integrale e Serbisë dhe kurrë nuk do e njohin. Në këtë rast si do të zgjidhet Arbitrazhi? Koha do të na mësojë shumë gjëra, por zakonisht Historia i ka lënë jo pak herë me gisht në gojë shqiptarët!/Javanews

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?