Prania e kreut të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Ardi Veliu, në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, i cili duhet të raportonte për punën e strukturës së tij, nxiti opozitën për debat dhe nuk munguan përplasjet. Akuza pati nga deputeti Flamur Noka, i cili kishte akuza personalisht për Veliun, që gjatë fushatës ka udhëtuar disa herë në Sarandë.
'Zoti drejtor a u përfshitë ju në fushatën personalisht dhe personat e institucionit tuaj në fushatën politike të zgjedhjeve lokale? Duke qenë se jeni parë shpesh në zonën e Sarandës.’- tha Noka.
Por përgjigja e Veliut ishte e menjëhershme. Sipas tij, vizitat kanë qenë familjarë.
‘Jam i depolitizuar. Meqenëse ju thoni se unë jam parë në Delvinë. Po është e vërtet. Unë do shkoj dhe të vizitoj nënën time në shtëpi në fshat.’- u shpreh Veliu.
Debati vijoi më tej kur Noka përmendi se në Mat forcat Operacionale kanë shpërndarë para për fushatë që më pas nuk janë marrë masa.
‘Në Mat ka një denoncim. Operacionalja e Policisë duke shpërndarë para për blerje votash.’- tha Noka.
‘Nëse Policia e Shtetit ka marrë një kallëzim për një veprimtari ashtu siç ju pretendoni, duhet ta kishte përcjellë në zbatim të ligjit ankesën apo kallëzimin pranë nesh.’- u shpreh Veliu.
Politizimi i policisë ishte shqetësim edhe për deputetin socialist Paulin Sterkaj.
‘Policia është përdorur pafundësisht. Nuk flas për këto zgjedhje, por tendencat e çdo kandidati për deputet, qoftë i majtë apo qoftë i djathtë, kanë tendencë që të kenë policinë të poseduar në fushën politike.’- tha Paulin Sterkaj.
Ndër të tjera Veliu foli edhe për Vettingun në polici, duke nënvizuar se brenda vitin 2025 pritet që ky proces të përfundojë në vlerësim kalimtar, për t’i lënë vendin vlerësimit periodik.