Ardi Veliu, delegacioni i Guardia di Finanza dhe ambasadori italian Fabrizio Bucci

Pas operacionit të përbashkët antidrogë, Guardia di Finanza dhe ambasadori italian takim me Veliun

8 Korrik 2020, 19:12| Përditesimi: 8 Korrik 2020, 19:40

  • Share

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu priti në një takim një delegacion të lartë të Guardia di Finanza-s, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori italian në Shqipëri, Fabrizio Bucci, pas bashkëpunimit të operacionit antidrogë në vend. Autoritetet shqiptare në bashkëpunim me palën italiane goditën grupin e trafikut të drogës që vepronte në Shqipëri dhe Itali, operacion që përfundoi me 37 të arrestuar dhe lëndë narkotike të sekuestruar me vlerë rreth 40 milionë euro. 

Qëllimi i këtij takimi ishte forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit policor, si dhe ecuria e fushatës së monitorimit ajror të territorit, për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Veliu ka vlerësuar bashkëpunimin e shkëlqyer mes Policisë së Shtetit dhe Policisë italiane, duke theksuar se ky bashkëpunim po jep përditë rezultatet e dëshiruara në drejtim të parandalimit, evidentimit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale, kryesisht në fushën e trafikimit dhe kultivimit të bimëve narkotike.

Gjithashtu, Veliu ka vlerësuar punën e njësive të Guardia Di Finanza-s dhe Interforzës në Shqipëri, kryesisht asaj të monitorimit ajror. Ai ka siguruar ambasadorin Bucci se strukturat e Policisë së Shtetit janë tërësisht të angazhuara në drejtim të goditjes së tendencave për kultivim. Krahas monitorimit ajror nga GDF-ja, Policia e Shtetit ushtron kontrolle masive të territorit nga toka dhe nga ajri duke përdorur një numër të konsiderueshëm  dronësh dhe helikopterin e Policisë.

Ambasadori Bucci ka vlerësuar këtë bashkëpunim mjaft të frytshëm mes dy policive dhe rezultatet e arritura në drejtim të goditjes së elementëve apo grupeve kriminale. Drejtuesi i Repartit të Dytë të Shërbimit për Bashkëpunimin Ndërkombëtar, Gjeneral Bigade Cosimo Di Gesu ka theksuar se bashkëpunimi mes GDF-së dhe Policisë së Shtetit është shumë herë më i mire së bashkëpunimi me vendet që janë anëtare të BE-së.

Drejtuesi i Repartit të Tretë të Operacioneve Gjeneral Brigade i GDF-së, Giuseppe Arbore ka vlerësuar punën dhe rezultatet e arritura nga skuadrat e përbashkëta hetimore dhe premtoi se do  investojë më shumë për forcimin dhe mbështetjen e këtyre skuadrave. Më pas delegacioni vizitoi laboratorin e përpunimit të të dhënave të siguruara nga monitorimi ajror mbi territorin e Republikës së Shqipërisë dhe u njoh me punën e bërë nga ky ekip.

Kujtojmë se autoritetet shqiptare në bashkëpunim me palën italiane goditën grupin e trafikut të drogës që vepronte në Shqipëri dhe Itali, operacion që përfundoi me 37 të arrestuar dhe lëndë narkotike të sekuestruar me vlerë rreth 40 milionë euro. 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?