Ardian Ismajli është shumë pranë një hapi të ri në karrierë. Mbrojtësi shqiptar, i cili do të jetë lojtar i lirë pas përfundimit të kontratës me Empolin në fund të këtij muaji, është në qendër të merkatos dhe ka tërhequr interesin e disa klubeve.
Sipas mediave italiane pista më e nxehtë për momentin është ajo e Lazios, që e sheh 27-vjeçarin si përforcimin e parë të rëndësishëm për repartin difensiv në këtë merkato vere. Trajneri Maurizio Sarri ka dhënë “ok”-in për afrimin e Ismajlit dhe një marrëveshje disa vjeçare është gati mes palëve.
Kalimi te skuadra kryeqytetase varet nga një kusht i vendosur nga drejtuesit bardhekaltër. Njëri mes Gila, Cazale apo Patric duhet të largohet, për t’i hapur vend në skuadër shqiptarit. Deri atëherë, Lazio ka kërkuar disa ditë kohë dhe ka vënë në pritje agjentin e futbollistit.
Ismajli ka bërë një paraqitje të mirë në Serie A me fanellën e Empolit dhe kombëtares shqiptare, teksa mbetet një nga emrat më të kërkuar të kësaj merkatoje dhe Lazio duket destinacioni më i mundshëm.
Komente
