Ardian Ismajli, mbrojtësi i Kombëtares është pranë hapit të madh në karrierë. Aktualisht pjesë e Empolit, 27-vjeçari është në optikën e Napolit dhe Romës. Për Radio Station 1, Serxhio Mezi, agjenti i tij ka konfirmuar se janë në negociata me Napolin, ndërkohë që edhe Roma pëlqen mbrojtësin.
“Kemi disa kohë që po negociojmë, drejtori Meluso e njeh shumë mirë djalin dhe kemi disa kohë që bashkëpunojmë me Napolin. Ismajli dëshiron të bëjë një hap në karrierën e tij dhe kalimi te Napoli do të ishte diçka e madhe. Me Napolin kemi biseduar, Roma nga ana tjetër ende nuk e di se çfarë do të bëjë me trajnerin; megjithatë asgjë nuk është përfunduar.
Deri më sot Napoli është mbi të gjithë të tjerët, por ne nuk kemi konkluduar asgjë. Kjo varet edhe nga ajo që do të ndodhë në fund të sezonit. Ne po punojmë për të mbyllur negociatat, por do të shohim nëse do të vijë një ekip tjetër dhe do t'i pëlqejë lojtarit", tha Mezi.
Vlera e Ismajlit në treg është 3 milionë euro dhe mbrojtësi kuqezi ka kontratë me Empolin deri në verën e 2025. Duket se vera e këtij viti do jetë deçizive për Ismajlin, që pret kalimin në një klub më të fortë po në Serie A.
Empoli nga ana tjetër do detyrohet të pranojë ofertat, pasi në rast të kundërt rrezikon të humbasë falas mbrojtësin. Prishtina, Hajduku i Splitit, Spezia dhe Empoli, këto janë ekipet ku 27-vjeçari ka luajtur.