Politikë

LSI ankimon në KAS qarkun Berat, Ardit Çela ende shpresë për të marrë mandat: Është i yni, na u vodh nga manipulimi i votës

9 Maj 2021, 16:19| Përditesimi: 9 Maj 2021, 16:24

  • Share

Drejtuesi politik i LSI për qarkun e Beratit, Ardit Çela, i cili ishte renditur i pari në listë, ka ende shpresa se mund ta marrë mandatin, pas ankimit që LSI bëri ditën e sotme në KAS për qarkun e Beratit. Me një postim në Facebook, Çela shkruan se në Berat LSI humbi mandatin për pak vota dhe kjo ndodhi nga manipulimi që u bën në qendra votimi në këtë qark. Ai shkruan se nga këqyrja e pamjeve filmike në mbi 100 qendra, duket haptazi, mospërputhja e votave të LSI që ndodhen në kuti, me pasqyrimin në procesverbal dhe në sistemin e KQZ.

"Mandati është i LSI! Sot paraqitëm pranë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve – KAS, në KQZ, kërkesën tonë për pavlefshmëri të rezultatit në disa qendra votimi për shkak të mbushjes së kutive, si edhe rinumërim të mbi 100 QV, ku dukshëm në procesverbalet e KQZ ka deformim të votës në disfavor të LSI, të dala nga këqyrja e pamjeve filmike. Theksoj se, nuk janë thjesht pretendime, por fakte dhe prova të paraqitura dhe të marra nga procesverbalet e grupeve të numërimit, si edhe nga shënimet e firmosura nga të gjithë anëtarët e komisioneve në ZAZ-të përkatëse përfshirë ata të PS, në librin zyrtar të protokollit të mbajtur nga KZAZ-të. Mospërputhja e fletëve të votimit, me numrin e votuesve ( mbushje kutish), e bënë rezultatin e atyre QV të pavlefshëm. Ndërkohë nga këqyrja e pamjeve filmike në mbi 100 qendra, duket haptazi, mospërputhja e votave të LSI që ndodhen në kuti, me pasqyrimin në procesverbal dhe në sistemin e KQZ. Njëkohësisht duket qartë shtimi i votave për subjektin PS, në raport me çfarë ka realisht. Në vijim do njiheni edhe me video përkatëse nga procesi i numërimit. Mandati është i mijëra votuesve të LSI në Berat, që i rezistuan represionit dhe masakrës së kryer nga pushteti i bërë njësh me bandat", shkruan Çela.

LSI ankimoi ditën e sotme në KAS rezultatin e zgjedhjeve në qarkun e Beratit duke kërkuar rivotim, pasi  sipas pamjeve filmike dhe provave të mbledhura nga komisionerët e LSI, janë të paktën 80 vota të vlefshme që i janë marrë duke ndikuar në shpërndarjen e mandatiit.  Kujtojmë se në deklaratën për mediat pas përfundimit të votimit të votave, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi hodhi akuza për parregullsi, ku tha se në qarku e Beratit, sipas saj, rezultati u tjetërsua për 30 vota që "në të qindtën e sekondës, i hoqën mandatin Ardit Çelës dhe duke ja dhënë Blendi Klosit".

Komento

Komente

  • hahhah: 09/05/2021 21:14

    nuk e kuptoj si mund te kuptosh nga pamjet kush voton per LSI dhe kush per PD apo PS ?????? na habiten. ose e din qe kane dhene leket personave te caktuar dhe prandaj nuk i del hesapi....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?