Prej disa ditësh, Ilir Meta është kthyer nga pushimet e gjata që nisën prej 25 Prillit ku do të priste duar votuesish dhe sosën kur në PD debati i brendshëm është më i nxehtë se kurrë. Në përplasjen Basha-Berisha për drejtimin e Partisë Demokratike, duket se Presidenti po përpiqet t’i vijë në ndihmë pikës së tij të dobët, Doktorit. Sot, Ilir Meta ka vendosur të reagojë më gjatë se radhët në Facebook që shpesh ia delegonte këshilltarit. Ai ka zgjedhur të sulmojë Lulzim Bashën kryesisht për ‘nderet’ që Meta thotë se i ka bërë, por që s’ia ka kthyer mbrapsht.
Në fakt, mëria e tij mund ta ketë zanafillën që në organizimin e kampit opozitar në 25 Prill pa LSI-në në listat e PD-së. Ftohja që pati Basha dhe Kryemadhi bënë që LSI të kthehet 17 vite pas, në pikën zero kur edhe u themelua. Sot, falë distancimit të Lulzim Bashës nga LSI, kjo e fundit ka 4 deputetë. Pa e komentuar cilësinë e tyre.
Njësoj si Sali Berisha, Presidenti ka vendosur ta godasë Lulzim Bashën tek zgjedhjet. Më saktë, duket se Meta dhe Berisha i kanë koordinuar anatemimet ndaj Bashës. Nëse Berisha e akuzon për 25 Prillin se heshti për ‘masakrën zgjedhore’, Ilir Meta i është turrur kreut të PD-së për 13 Tetorin. Në thelb, Presidenti thotë se pasi caktoi 13 Tetorin për zgjedhje lokale duke çdekretuar 30 Qershorin, Lulzim Basha nuk iu përgjigj datës së re dhe nuk e regjistroi partinë në KQZ. Për ta kuptuar pse Meta është rreshtuar njësoj si Foltorja kundër Bashës, mjafton të kujtojmë se ishte Ilir Meta ai që e ndoqi me Gjykatë Kushtetuese e me Venecia deri në pikën e fundit çështjen e kushtetutshmërisë së zgjedhjeve lokale. E pra, është e pamundur që Presidenti edhe pse e dekretoi 13 Tetorin për hatër të Bashës, shkoi e ndoqi në çdo hallkë të drejtësisë për pasion. Sepse që t’ia ketë kërkuar Basha, këtë s’e pranon as vetë.
Teksa Berisha u qan hallin demokratëve që vinin në Tiranë dhe mbyteshin me gaz lotsjellës, Ilir Meta ka zgjedhur të vajtojë për policët. Të hënën në mbrëmje, Presidenti që bënte si shurdh-memec pak vite më parë kur Tirana digjej, përmendi sot dhunën ndaj Policisë, përmendi gishtin e prerë të Ina Nukës dhe syrin e një efektivi tjetër që ia nxorën vendit demokratët. Gjithmonë duke e shoqëruar me gjysmë të vërtetën se dhunën e kishte organizuar Lulzim Basha.
Meta, si Berisha, i kujtoi sot indirekt kreut të PD-së edhe dosjet.
“Nëse zotëria i ka kurdisur këto fjalë me ndonjë qëllim, se është në hall, është në detyrë, është në borxhe që nuk i lan dot si duket, unë i them që Ilir Meta nuk të ndihmon dot, jo se s’kam dëshirë, por s’i kam mundësitë” – tha sot kreu i shtetit. Për herë të parë pra, Ilir Meta flet për halle personale të Lulzim Bashës, e jo të opozitës.
Në fakt, është e drejta e Ilir Metës të organizojë foltore nga presidenca sa herë të dojë, madje mund ta ftojë edhe Sali Berishën në seli. E ka bërë me dhjetëra herë gjatë presidencës së tij, me apo pa shkak. Madje Berishës ia jepte dorën një herë kur hynte në zyrën e tij, e dy herë kur dilte jashtë saj duke e pëcjellë gjer te dera kryesore. Asgjë nuk na çudit më nga ky shejtan-budalla që mendon se meqenëse bëri 6 muaj pushime, e kemi harruar se cili është.