Kur Flamur Noka publikoi një javë më parë pamjet e Ilir Metës duke u hedhur mbi tryezat e Parlamentit në vitin 2008, shumëkush e cilësoi si gafë.
Një pjesë e socialistëve madje u shprehën publikisht se djegia e karrigeve të Kuvendit nuk ka asnjë krahasim me atë që kishte bërë Meta, e aq më tepër që na të kohë ai përfaqësonte LSI-në dhe jo PS-në.
Por me gjasë, video e Nokës ka pasur qëllim paralajmërues dhe jo të hiqte një paralele mes kaosit të sotëm dhe të atij të 16 viteve më parë.
Sot ka qenë vetë kreu i Partisë Demokratike që nga arresti shtëpiak ka zbuluar detaje për vijimin e aksionit opozitar. Berisha mbetet arkitekti i të gjitha veprimeve në rrugë apo në Kuvend, pavarësisht izolimit të tij dhe pavarësisht çdo emri që duket në fasadë se drejton Grupi Parlamentar. Ndaj, para një situate të tillë ai ka dhënë direktivat sesi duhet apo do të vijojë protesta e opozitës, pas shfaqjes së dobët të hënën në mbrëmje.
“Javët që vijnë mosbindja do të çmontojë narkoshtetin. Mbrëmë ishte aksioni i parë, kemi ngujime, greva përpara, bllokime rrugësh, kemi 77 mënyra për mosbindje civile që do të shkërmoqin narkoshtetin e Ramës. Se mos mendon se mosbindja civile nisi në Tiranë dhe përfundoi vetëm aty, së shpejti në mosbindje do kesh Shkodrën, Durrësin, Kukësin, mbarë Shqipërinë”, tha sot Sali Berisha para disa gazetarëve.
E lidhur kjo deklaratë me ilustrimet e Flamur Nokës në Instagram, por edhe me dështimin për të siguruar pjesëmarrje masive në terren, duket se Berisha po u ngarkon deputetëve që e ndjekin verbërisht një barrë të re. Atë te ngujimeve dhe grevave në sallën e Kuvendit, si LSI-ja e vitit 2008.
Nga ana tjetër duke marrë parasysh se ata që spikasin në ‘aksione’ janë përjashtuar me 60 ditë nga punimet e Kuvendit, skenari i ngujimit duket më i munduri edhe si akt ekstrem për të arritur ‘qeverinë teknike’.
Berisha e ka thënë qartë, tani është çështje kohe se kur do të ndodhë?! /Javanews/