Opinion

Ardit Rada: Thethi nuk është i vetmi vend ku shteti duhet të kujtohet për ligjin

11 Korrik, 20:48| Përditesimi: 11 Korrik, 20:51

  • Share

Pamjet nga Thethi, ku përplasjet mes banorëve dhe forcave të rendit pasuan shembjen e disa ndërtimeve pa leje, kanë ndezur një debat të vjetër. Në rrjetet sociale u rindezën akuzat për selektivitet, për “shtet që shfaqet vetëm kur ka turistë” dhe për “ligj që bie mbi të dobëtin”. Por e vërteta është më e ndërlikuar dhe më urgjente se kurrë.

Po, aksioni në Theth është i drejtë. Ndërtimi pa leje, qoftë edhe në emër të turizmit, është një plagë që ka shkatërruar natyrën, ka deformuar zonat e mbrojtura dhe ka minuar besimin te shteti. Mbi të gjitha, ka lënë shumicën e shqiptarëve në varfëri ku pronat në tërësi i kanë gëzuar të padrejtët dhe jo trashëgimtarët e tyre. Sot duhet kuptuar se nuk ka turizëm të qëndrueshëm mbi themele të paligjshme. Dhe është një hap pozitiv që qeveria ka vendosur të veprojë me vendosmëri për të ndalur këtë rrënim të heshtur. Thethi nuk është thjesht një fshat i bukur, është një pasuri kombëtare që nuk i përket as një ndërtuesi të caktuar apo ndonjë familjeje.

Por këtu lind edhe pyetja që shumë qytetarë e ngrenë me të drejtë: pse shteti vepron vetëm në zonat turistike, ndërkohë që qindra-mijëra qytetarë në periferitë e qyteteve, në fshatra të harruar apo edhe në lagjet e mëdha urbane, kanë mbi supe barrën e padrejtësive me pronat, prej më shumë se 30 vitesh? Pse askush nuk ndërhyn për t’u kthyer tokat pronarëve të ligjshëm që i kanë fituar vendimet e gjykatave apo janë në pritje, që shohin apo kanë parë për 35 vite sesi pronat e tyre mbushen me ndërtime dhe beton pa asnjë pengesë?

Ajo që mungon në këtë vend nuk është ligji, por një drejtësi e konsistente, që nuk zbatohet sipas sezonit turistik, por sipas parimit se “ligji është i barabartë për të gjithë”. Sot, Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për një qasje sistematike ndaj çështjes së pronës. Ka nevojë për një gjykatë speciale për pronat, një mekanizëm të dedikuar që të zgjidhë përfundimisht dhjetëra mijëra dosje të bllokuara, të manipuluara ose të vonuara padrejtësisht.

Sepse prona është e shenjtë. Jo vetëm kur ndërtohet pa leje në Theth, por edhe kur zaptuesit marrin tokat e një familjeje në Durrës, në Shkodër apo në Lushnje. Shteti nuk mund të ofrojë vetëm spektakël sezonal, por duhet të jetë një garanci e përditshme.

Aksioni në Theth është një hap në drejtimin e duhur, por nuk duhet të mbetet një përjashtim i bujshëm. Të shembësh një ndërtesë pa leje është e nevojshme, por më e nevojshme është të ndërtosh një sistem ku askujt nuk i lind ideja të ndërtojë pa leje në radhë të parë. Për këtë duhet drejtësi dhe vendime, e jo retorikë. Nëse ky standard do të ndiqet me të njëjtën forcë dhe përkushtim në çdo cep të vendit, atëherë shteti do të fitojë jo vetëm betejën kundër ndërtimeve pa leje, por edhe besimin e një populli të zhgënjyer nga “cirku” me Gjykata, Komisione, Kadastra dhe Aluizna, e që ka pritur shumë gjatë për drejtësi.

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rama kërkon shkarkimin e administratorëve e nënkryetarëve, si e vlerësoni?