Tedi Blushi, ish-gazetar me kujtesë të përzgjedhur dhe zëdhënës i Ilir Metës, ka shpërndarë së fundmi një listë “non grata” gazetarësh, duke na quajtur “mercenarë të SPAK”. Dhe e gjitha sepse kemi guxuar të bëjmë një parashikim logjik për fatin e padiskutueshëm penal të shefit të tij: Ilir Metës.
Në atë listë jam edhe unë që 6 muaj para se Ilir Meta të prangosej, shkruajta se s’mund të ketë fund tjetër veç prangave një njeri që përveçse nxiti në vend një frymë anti-amerikane dhe anti-BE, e njihnim të gjithë për jetë luksoze të familjes së tij jashtë vendit e të tjera, që populli i di. I kam bërë të tilla analiza sepse mendoj se nuk ka krim më të madh në gazetari sesa të mos thuash të vërtetën për një hajdut që ka pasur imunitet për dekada me radhë. Që u vranë 4 qytetarë prej tij dhe i quajti kokëpalarë etj.
Pra në thelb kam thënë shumë më pak sesa Sali Berisha për Ilir Metën! Dhe s’mund të ketë turp më të madh sesa të jesh ish-gazetar që sot del nëpër konferenca shtypi dhe intimidon kolegët e tu vetëm sepse kanë ekspozuar realitetin dhe mendon se po i sheh si Zeusi nga lart meqenëse ke marrë një pushtet të përkohshëm politik. Ky është Tedi Blushi sot. Një zëdhënës që ka ndërruar kostumin e gazetarit me çorapet politike të Ilirit. Dhe i rri mirë.
Por më shumë se gjuha e një zëdhënësi të rënë në hall, më neverit heshtja e atyre që e quajnë veten “mbrojtës të lirisë së shtypit”. Shoqatat e gazetarëve janë ulur në prehrin e politikës dhe nuk thonë asnjë fjalë, as kur kolegët sulmohen publikisht për llogari të politikanëve që kanë provuar prangat e bekuara nga SHBA dhe BE.
Po jua them publikisht: Nuk kam pasur dhe nuk kam asnjë komunikim me ndonjë deputet të Kuvendit të Shqipërisë. Aq më pak me ndonjë prokuror të SPAK që të më japë lajme për t’i “shitur”. Gjithçka kam shkruar, e kam bërë me aq profesionalizëm sa mund të kem dhe me përgjegjësi, pa pasur nevojë për burime të paguara. Madje jam i hapur për Blushin dhe këdo që t’i vej ne dispozicion bilancet e mia dhe të shohin se jam nga të paktët gazetarë që s’kam as automjet.
Dhe këtë e quaj fat pavarësisht nevojës, se nuk ka kënaqësi më të madhe sesa të ecësh në këmbë apo të udhëtosh me autobus urban dhe të të falenderojnë qytetarët pse denoncoj me aq sa mundem hajdutët dhe kriminelët e popullit të tyre. E them këtë, sepse në ndryshim nga disa ish-gazetarë që sot japin konferenca për shtyp me shpresën se do y’i shpëtojnë shefat nga burgu, unë s’i kam borxh ndonjë shefi me apo pa pushtet politik.
E kam kursyer prej kohësh Tedi Blushin nga kritikat. Madje, kur LSI shpërndante mandate për njerëz pa shkollë, pa dinjitet e pa një fjali të artikuluar, kam thënë me vete: pse të mos jetë edhe Blushi deputet? Të paktën i kishte thënë punës ‘bismilah’. Edhe pse sot mandatin e mori pa garë, pa përballje dhe pa moral politik. Por nuk është kjo tragjedia. Tragjedia është se sot, nga ai post, ai ka vendosur të shpifë, të etiketojë dhe të kërcënojë kolegë që bëjnë vetëm një gjë: punën e tyre. Tjetër gjë pse puna jonë nuk përputhet me planet e Ilir Metës.
Ka njerëz që pushteti nuk i ndryshon, i nxjerr zbuluar. Siç thoshte Sali Berisha për një TV francize në vitet `90: “Pushteti ka prishur burra më të mirë se unë”. Tedi është një prej tyre dhe sot është kthyer në gojën e zellshme të një partie që është fundosur me kohë në hetime dhe është braktisur nga elektorati.
Dhe në fund, një sqarim për publikun: Unë nuk kam qenë dhe nuk jam i dënuar për shpifje si dikush. Nuk jam kapur ndonjëherë duke gjobitur nga kolltuku në Tiranë ndonjë ish-nëndrejtor të Polcisë së Korçës. Dhe mbi të gjitha, nuk kam shitur kurrë ndërgjegjen time për t’i shërbyer një partie. Se ndryshe do isha unë deputet dhe jo ai që përmenda më sipër.
Gazetaria nuk është as shpifje, as ofiq, as pazar. Është përgjegjësi. Dhe nëse kjo përgjegjësi i shqetëson ata që dikur kanë qenë gazetarë dhe sot janë zëdhënës të hajdutëve, ky është problemi i tyre, jo yni që nuk ndajmë të njëjtin mendim me ta.
Nuk jemi ne që kemi frikë nga drejtësia e aq më pak nga presionet politike. Ne nuk kemi nevojë për mbrojtës me kravatë. Mjafton të bëjmë punën tonë. Me fakte. Me zë. Dhe pa frikë. Jemi ata që presim ta shohim drejtësinë më në fund në veprim. Ndërsa ata që mbrojnë hajdutët me çdo çmim, duhet ta marrin me mend fatin e tyre në histori, politikë etj. /JavaNews/
Komente
