KORÇË - Skënderbeu nga sezoni i ri do jetë pjesë e Kategorisë së Parë. Klubi korçar nuk ia doli të mbijetonte në Superligë dhe rikthehet sërish pas një sezoni në të Parën.
Për këtë situatë që është shumë e rëndë për bardhekuqtë, ka reaguar edhe presidenti i klubit, Ardjan Takaj. Ai ka kërkuar ndjesë për gjithë tifozët, teksa "me dorën në zemër" ka premtuar reflektim dhe rikthim të klubit në majat e futbollit shqiptar.
"Të dashur tifozë të Skënderbeut,
Sot jemi të detyruar të pranojmë një realitet të hidhur: Skënderbeu ka rënë nga Kategoria Superiore. Kjo është një goditje e rëndë për historinë, krenarinë dhe përkushtimin tonë si klub dhe si qytet. Unë, si president i klubit, e ndjej përgjegjësinë e plotë. Ju kërkoj ndjesë të gjithëve për zhgënjimin, për pritshmëritë e thyera dhe për dhimbjen që kjo sjell tek çdo korçar që rreh me zemër për Skënderbeun.
Por nuk jemi të mposhtur. Rënia nuk është fundi ynë. Është momenti për të reflektuar, për të pastruar, për të ndërtuar nga e para, me përulësi dhe vendosmëri. Skënderbeu do të rikthehet.
Me ndihmën tuaj, me dashurinë tuaj dhe me besimin tuaj, ky klub do të ngrihet më i fortë se kurrë më parë. Ju falënderoj për besnikërinë tuaj. Ju meritoni më shumë, dhe unë ju premtoj se do të bëjmë gjithçka për ta rikthyer lavdinë e humbur", shkroi Ardjan Takaj në kanalet e komunikimit.
Një reagim publik ka bërë edhe Drejtori Sportiv, Ardi Gjançi. Ai ka thënë se rikthimi i ekipit në maja është "një amanet që s'e tret dheu".
"Kritikat tuaja janë të drejta dhe i marrim me përulësi. Ndjesa jonë, sado e sinqertë, ndoshta nuk mjafton, por premtimi ynë është i palëkundur; së shpejti do të riktheheni si tifozët më krenarë në Shqipëri. Ky është një 'amanet' që nuk tretet nga koha, as nga dheu". shkruan Gjançi.
Komente
