Ardon Jashari është i destinuar për një bashkëjetesë me Milanin. Mediet në Itali bëjnë me dije se mesfushori shqiptar që luan me Zvicrën dëshiron vetëm kuqezinjtë, duke hedhur disa hapa "mosbindje civile". 23-vjeçari i cili u shpall futbollisti i sezonit në Belgjikë, ka refuzuar të stërvitet me ekipin e Brugge, teksa mungon edhe në foton zyrtare të klubit që u bë dje.
Jashari doli në fushë i vetëm dhe në stërvitje individuale, gjë që ka ngritur dyshime se edhe vetë futbollisti po punon për një kalim në "San Siro". Milani dhe konkretisht drejtori Igli Tare ka qenë personalisht në Brugge për të takuar drejtuesit e klubit, duke iu dhënë "mbi tavolinë" ofertën prej 32.5 milionë eurosh, që me bonuse mund të shkojë 35-36 milionë euro. Nga ana tjetër Club Brugge nuk ulet poshtë 40 mln eurove, gjë që ka sjellë këtë hendek.
Asist nga Interi
Për çudi, Milani mund të marrë një asist nga Interi në garën për të afruar Jasharin në "San Siro". Club Brugge pëlqen mesfushorin e ri të Interit, Aleksandër Stankovic, të birin e ish-mesfushorit serb të Interit, Dejan. Inter dëshiron deri në 25 mln euro për 19-vjeçarin dhe nëse ai kalon në Brugge, rruga për Ardon Jasharin drejt Milanos do ishte e hapur, por jo me ngjyrat zikaltër, por kuqezi.
Komente
