Ylli Dalladaku dhe Arelena Shala

Arelena Shala dhe Ylli Dalladaku, dy kadetët e parë nga Kosova të diplomuar në West Point

14 Qershor 2020, 20:37| Përditesimi: 14 Qershor 2020, 20:40

  • Share

Për herë të parë në akademinë ushtarake prestigjoze të Uest Pointit në Shtetet e Bashkuara, u diplomuan dy kadetë nga Kosova. Arelena Shala dhe Ylli Dalladaku janë ushtarakët e rinj që do t’u shtohen radhëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Presidenti Trump mbajti fjalimin në ceremoninë e veçantë të diplomimit këtë vit që u zhvillua në kushtet e pandemisë. 

Një ceremoni diplomimi si asnjë tjetër në historinë 218 vjeçare të kësaj akademie. Rreth 1100 kadetët e akademisë ushtarake Uest Point marshuan krenarë në parkun e kampusit me maskat mbrojtëse që iu shtuan këtë herë uniformës tradicionale.

Mes tyre, Arelena Shala dhe Ylli Dalladaku, janë dy kadetët e rinj nga Kosova të diplomuar në këtë akademi prestigjioze që gërsheton mësimin e doktrinave të taktikave ushtarake me edukimin akademik.

“Mbi të gjitha kjo ditë më ka ngjall ndjenja krenarie pasi e kam pasur nderin ta përfaqësoj vendin në një skenë ndërkombëtare si Uest Pointi...Motoja me të cilën kthehem në Kosovë është - Detyra, Nderi, Atdheu - e cila rrit ndjenjën e përgjegjësisë për t’i kontribuar vendit tim”.

Arelena Shala është e para grua shqiptare që diplomohet në një akademi ushtarake në fushën e inteligjencës gjeo-hapësinore.

Ëndrra e saj për një karrierë në ushtri lindi nga lufta në Kosovë e cila ngjalli tek Arelena ndjenjën e përgjegjësisë për të mbrojtur vendin.

“Unë e kam pasur dëshirën për të qenë ushtarake që nga fëmijëria. Këtë dëshirë do t’ia atribuoja rrethanave në të cilat ka qenë Kosova gjatë dhe pas kohës së luftës. Ashtu si të gjithë kolegët e mi të gjeneratës sime që i kam pas në akademinë ushtarake të Kosovës, të gjithë jemi rritur në një ambient dhe frymë patriotike pas kohës së luftës që na ka shty drejt një ndjenje të shërbimit të vendit”.

Ylli Dalladaku thotë se përvoja e fituar në Uest Point i ka mësuar se dedikimi ndaj detyrës është faktori kryesor i suksesit për çdo ushtri. Ai mezi pret të kthehet dhe të shërbejë në FSK.

“Jam i lumtur që do të udhëheq fillimisht një togë prej 40 ushtarësh të FSK-së....Unë do të punoj dhe do të punoj jashtëzakonisht shumë që të udhëheq dhe inspiroj atë togë dhe të udhëheq me shembull duke i ofruar kompetencë, dedikim ndaj detyrës dhe disiplinë.”

I diplomuar për inxhinieri dhe aeronautikë, Ylli thotë se ishte pasioni i tij për xhudon, që e ka ndihmuar këto katër vite të kapërcejë ngarkesën e shkollës.

“Pasi ke patur një ditë të gjatë, mezi je zgjuar prej gjumit në pesë e gjysmë të mëngjesit dhe ke pasur trajnim në xhudo pasdite pas gjithë atyre takimeve, klasave gjatë gjithë ditës, ka qenë për mua jo një detyrë shtesë, por më ka ndihmuar me u përball me gjitha streset ditore të tjera”.

Kadetët nga Kosova thonë se kanë dhënë maksimumin për ta përfaqësuar denjësisht vendin, duke u radhitur në 5 përqindëshin e studentëve me rezultatet më të mira në klasën e tyre. Me këtë shembull, ata duan të frymëzojnë më shumë të rinj nga Kosova për të vazhduar karrierën ushtarake.

“E kam ndjerë përgjegjësinë që të jem sa më e suksesshme në mënyrë që të hap dyert për të rinjtë e tjerë të Kosovës që synojnë të aplikojnë për West Point dhe së fundmi tani kjo përgjegjësi vetëm sa rritet pasi që do të vazhdoj të mundohem të shërbej edhe si model apo inspirim për të gjitha gratë që dëshirojnë të fillojnë karrierë ushtarake”, thotë Arelena.

Prania e presidentit Donald Trump në ceremoni i bën edhe më krenarë dy kadetët nga Kosova.

“Është jashtëzakonisht e veçantë për mua. Zakonisht, jo çdo vit presidenti i Shteteve të Bashkuara vjen këtu në West Point për ditën e diplomimit. Jemi shumë me fat që vjen në këtë vit”, thotë Ylli. “Presidenti do ta dëgjojë se Kosova ka qënë e suksesshme në West Point”, shton Arelena.

Në pamundësi për të qënë të pranishëm në këtë ditë të shënuar për Arelenën dhe Yllin për shkak të pandemisë, prindërit e tyre e ndoqën ceremoninë përmes internetit. Mbështetja e tyre ka qenë një shtyllë e fortë për ushtarakët e rinj.

“Nuk ndjehem edhe aq mirë. Besoj që shumë herë jam ndjerë që gjithë kjo eksperiencë ka qenë më e vështirë për ta sesa vetë për mua. Ka qenë dëshira e tyre që të jenë këtu në këtë ditë por fati na e ka sjellë që nuk munden. Kështu që ndjej për ta shumë”, thotë Ylli.

“Nuk kam fjalë të mjaftueshme për t’u shprehur sesa mirënjohëse jam për mbështetjen dhe inkurajimin që më kanë dhënë jo gjatë 4 viteve por 6 viteve që kur i jam bashkangjitur FSK-së”, thotë Arelena.

Hedhja e kapeleve i jep fund studimeve por jo miqësive të krijuara në këto katër vite të punës në akademi. Kadetët nga Kosova shpresojnë se marrëdhëniet dhe shoqëritë e tyre këtu, do të ndikojnë pozitivisht edhe në marrëdhëniet e Forcës së Sigurisë së Kosovës me ushtrinë amerikane./VOA

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?