Një argjinaturë e re është ndërtuar në lumin Erzen për të parandaluar përmbytjet në zonën e Shijakut.
Kryetari i Bashkisë Shijak, Elton Arbana shprehet argjinatura nuk ka kosto për buxhetin e bashkisë pasi baza materiale është dhuratë e kompanive private.
"Ka qenë Bordi i Kullimit që ka sjell mjetet për të ngritur argjinaturën, ndërsa kosto ka qenë zero sepse kanë kontribuar qytetarë dhe biznese. E kemi bërë argjinaturën për të mos u përmbytur këta banorë që kanë ndërtuar pa leje buzë shtratit të lumit", tha Arbana
Ngritja e argjinaturës së re për herë të parë bëhet me një gjatësi rreth 950 metra gjatë bregut të lumit Erzen dhe me lartësi e cila varion nga 20 deri ne 32 metra në zona të ndryshme.
"U bë pastrimi dhe thellimi i lumit, prerja e pemëve, u zgjerua shtrati i lumit. Materiali është marrë këtu dhe është me përmbajtje lymore", thanë agronomi Besnik Alushi dhe Specialisti i Drejtorisë së Bujqësisë, Ervin Kuçi.
Banorët përreth shprehen se ka ende vend për përmirësim.
"Argjinatura është diçka e mirë por s’ka dhënë prova akoma. Fat i mirë qe s’ka pasur prurje lumi për të dëmtuar argjinaturën, që dalëngadalë po zë vend", u shpreh ai.
Kjo argjinaturë do të parandalojë përmbytjen e mbi 200 hektarë toke dhe do të shpëtojë nga dëmtimi rreth 50 banesa dhe biznese të cilat ndodhen shumë pranë bregut të lumit Erzen. Punime janë kryer edhe për pastrimin përreth bregut të lumit nga kallamishtet, pemët dhe materialet inerte si pasojë e prurjeve, duke thelluar kështu më shumë brezin lumor.