Kryetari i partisë Bashkimi Liberal Demokrat, Arian Starova e ka cilësuar një arritje dhe sukses të Shqipërisë anëtarësimin në Këshillin e Sigurimit në OKB. Në një intervistë për Report Tv, Starova tha se ky është një rrugëtim që vendi ka më shumë se 20 vite që e ka nisur dhe sot kur disa kushte u plotësuan dhe Shqipëria ka më shumë përvojë dhe është pjesë e NATO-s u bë pjesë duke pasur dhe ajo zërin e saj në këtë organizatë të rëndësishme për sigurinë dhe paqen në botë.
Starova tha se Shqipëria duhet të tregohet dinjitoze me problemet që duhet të ngrejë dhe qëndrimet që duhet të mbajë në Këshillin e Sigurimit në OKB. Ndërsa ndër prioritetet kryesore, Starova tha se duhet të jetë dialogu Kosovë-Serbi.
"Një arritje dhe do i uroja sukses. Mirë do të ishte që qeveria dhe ministria e Jashtme të tregoheshin të kujdesshme me ekipet që do të çojnë dhe problemet që do ngrenë, pasi duhet të jenë të tilla që të jenë në përputhje me Shqipërinë dhe të tregohemi dinjitoz. Vendit iu desh 20 vjet për ta arritur, por e rëndësishëm është që u arrit dhe e rëndësishme është paraqitja jonë dinjitoze atje që të respektojmë si vendin dhe vlerat e përbashkëta të komunitetit. Prioritet duhet të jetë siguria e Ballkanit dhe sidomos dialogu Kosovë-Serbie. Unë nuk mund të them se ky sukses është vetëm i qeverisë aktuale pasi ky është një rrugëtim 20-vjeçar. Shqipëria është faktor kyç në Ballkan dhe është mirë që të dëgjohet edhe zëri i saj', tha Starova.
Starova foli edhe për zgjedhjet brenda PD ku tha se priste një garë më të forte mes kandidatëve. Në lidhje me deklaratat e Berishës që mund të rikthehet në krye të PD, Starova e lexon jo si rikthim në drejtimin e PD por t'u tregojë të gjithëve se ai nuk largohet nga politika.
"Me këtë ka dashur të thotë se unë jam në politikë të fortë dhe nuk largohem nga politika, por nuk besoj se nuk ka dhënë mesazhin se do të vijë në krye të PD", tha Starova.