Sociale

Imzot Arjan Dodaj emërohet nga Papa Arqipeshkv i Kishës Katolike: Politika shqiptare të dëgjojë më shpesh zërin e ndërgjegjes! Imzot Frendo jep dorëheqjen: Koha për një bari më të ri

30 Nëntor 2021, 12:25| Përditesimi: 30 Nëntor 2021, 19:47

  • Share

Papa Françesku pranoi dorëheqjen nga kujdesi baritor i Kryedioqezës Mitropolitane Tiranë-Durrës (Shqipëri), të Imzot George Frendo dhe ka emëruar Arqipeshkv të Tiranës dhe Durrësit ndihmësin e tij Arjan Dodaj. Imzot Gerorge Frendo mbajti postimin e Arqipeshkv të Tiranës dhe Durrësit për 5 vite nga emërimi i tij më 17 nëntor 2016.

Ati i Shenjtë ka emëruar Arjan Dodaj, aktualisht peshkop titullar i Lestronës dhe ndihmës i së njëjtës kryepeshkopatë, Kryepeshkop Mitropolitan Tiranë-Durrës (Shqipëri).

Kryepeshkopi Arjan Dodaj lindi më 21 janar 1977 në Laç-Kurbin. Pas përfundimit të studimeve në Shqipëri, në vitin 1993 emigroi në Itali, në Cuneo. Në vitin 1997 ai kërkoi të pranohej në Vëllazërinë Priftërore të Djemve të Kryqit, Komuniteti Casa di Maria, me qendër në Romë. Ai studioi Filozofi dhe Teologji në përgatitje për priftërinë në Athenaeum Papnor Regina Apostolorum , duke marrë një Baccalaureate. 

U shugurua meshtar më 11 maj 2003 nga Papa Gjon Pali II, në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe u inkardinua në Dioqezën e Romës, si anëtar i Vëllazërisë meshtarake të Bijve të Kryqit. Në vitin 2017, ai u transferua  në Kryedioqezën Metropolitane Tiranë-Durrës.

Pas shugurimit të tij meshtarak mbajti këto poste: Vikar Famullie (2003-2017), Zëvendës Rektor i Rektoratit të San Giovanni della Malva dhe Kapelan i Komunitetit Shqiptar në Romë (2004-2005), Vikar i Përgjithshëm i Kryedioqezës Metropolitane të Tiranës. - Durrës, Famullitar, Kryetar i Kujdesit Baritor Universitar, Sekretar ndihmës i Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare dhe Sekretar i Përgjithshëm i Sinodit Dioqezan.

Me 9 prill 2020 Papa Françesku e ka emëruar Ipeshkëv Ndihmës të Arqidioqezës Tiranë-Durrës duke i dhënë selinë titullare të Lestronës. Është shuguruar Ipeshkëv me 15 shtator në Katedralen e “ Shën Palit” në Tiranë. Në Konferencën Ipeshkvore të Shqipërisë është President i Komisionit për Ekumenizmin dhe Dialogun Ndërfetar, Përgjegjës Kombëtar për Formimin e Klerit dhe Baritoren Thirrore.

Ora 17:06
Katolikët në Shqipëri me Arqipeshkv të ri, uron Kryetari i Komunitetit Mysliman: Me Arjan Dodajn do të kemi bashkëpunim të ngushtë

1638288560_FOTOOOO.jpg

Emërimin e imzot Arjan Dodaj si Arqipeshkëv i Arqidioqesës Tiranë-Durrës e ka përshendetur edhe Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu.

Ai shkruan se së bashku me Imzot Arjan Dodaj, dhe krerët e tjerë fetarë, do të kemi një bashkëpunim të ngushtë përsa i përket ruatjes dhe forcimit të trashëgimisë së shkëlqyer të harmonisë ndër fetare

“Miku im, Arjan Dodaj, është përzgjedhur nga Papa Françeksu në detyrën e rëndësishme, Arqipeshkëv i Arqidioqesës Tiranë-Durrës. Me urimin e përzemërt për punë të mbarë, shpreh bindjen e plotë se, së bashku me Imzot Arjan Dodaj, dhe krerët e tjerë fetarë, do të kemi një bashkëpunim të ngushtë përsa i përket ruajtjes dhe forcimit të trashëgimisë së shkëlqyer të harmonisë ndër fetare në vendin tonë”, shkruan Spahiu.

Ora 16:20
Arqipeshkv i ri i Tiranës dhe Durrësit, Arjan Dodaj zbulon si e mësoi lajmin nga Papa Françesku, arsyeja e veçantë pse zgjodhi ta bënte publike këtë ditë dhe një mesazh për politikën

 

 Arqipeshkv i ri i Tiranës dhe Durrësit, Arjan Dodaj ka zbuluar se ai ka mësuar lajmin nga Papa Françesku para 10 ditësh, por zgjodhi që të bëhej publike n këtë datë, për një arsye të veçantë.

"Ka pothuajse 10 ditë që më është komunikuar emërimi im, thjeshtë ati i shenjtë më ka pyetur kur dëshiroja që të ishte publike kjo datë dhe unë kam preferuar që të jetë pikërisht sot festa e Shën Andreas edhe për me të vërtet për ate shpirt që ka midis nesh në dialogun ekumenik me vëllezërit e kishës Ortodokse me vëllezërit e  tjerë të krishterë sepse Shqipëria siç e kam cituar dhe sot ndërsa përshëndesja përurimin ka qenë gjithmonë një vend ure midis lindjes dhe perëndimit dhe kështu që me të vërtet të jemi me të vërtet të jemi në një farë mënyre një arsye e asaj vlere më të madhe që ka Shqipëria që është uniteti midis nesh, është dialogu ndërfetar, është harmonia dhe është pikërisht kjo që është më e mira që kemi nevojë ne', tha ai në fjalimin e parë pas marrjes së detyrës.

Ai ka pasur edhe një mesazh për politikën shqiptare.  

"Ne të gjithë mund të bëjmë më shumë duke filluar nga unë e mendoj që politika shqiptare si populli shqiptar, si çdo njeri ka nevojë, të gjithë pra ne kemi nevojë me të vërtet të zbulojmë në vetvete prezencën e zotit. Në momentin që dëgjojmë pak më shpesh zërin e ndërgjegjes atëherë nuk do të dimë më të kthejmë kokën nga ana tjetër kur kemi dikë që na kërkon diçka. Nuk do të dimë më të ndalemi vetëm në rrethin e mirësisë tonë kur kemi një që na lëshon një britmë nevoje ose diçka tjetër, mesazhi është thjeshtë që ta dëgjojmë pak më shumë ndërgjegjen tonë dhe zërin e Zotit", tha ai. 

Dodaj ka zbuluar edhe momentin kur është lidhur me fenë.

"Unë jam bir i breznisë sime dhe vij nga një konkest ku feja ishte e mohuar, kemi dalë nga komunizmi pa fe, por unë isha në dëshirën dhe zellin e të panjohur, por nuk e dija që e panjohura ishte hyj. Mirëqenia shpirtërore, familjare, kjo i mungon Shqipërisë, unë e kam takuar fesë, nëpërmjet fesë së emigrimit, por falenderoj Zotin. Mua më ka shënjuar kalimi në diktatura në fillim demokracie të brishtë, demostrata, më ka shënjuar që kam marrë nga shumë njerëz. Në rastin konkret është kalimi i përgjegjësive dhe ne do e bëjmë këtë të shtunën në 22 janar në orën 10:00. Feja dhe besimi janë arsye shprese", tha ai në deklaratën e parë për mediat.

Ora 15:44
Basha përshëndet emërimin e Imzot Arjan Dodaj, si Arqipeshkv i Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës: I bindur se do ta çojë përpara detyrën e tij të shenjtë

1591096256_basha.jpg

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka përshëndetur emërimin e Imzot Arjan Dodaj, si Arqipeshkv i Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës. Me një postim në Facebook, Basha e konsideron lajm të gëzueshëm emërimin e Dodaj si Arqipeshkv i Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës, teksa thotë me bindje se ai do ta çojë përpara me përkushtim detyrën e tij të shenjtë.

"Emërimi i Imzot Arjan Dodaj, si Arqipeshkv i Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës nga Papa Françesku, është një lajm i gëzueshëm jo vetëm për besimtarët katolikë. Jam i bindur se Imzot Dodaj do ta çojë përpara detyrën e tij të shenjtë me të njëjtin përkushtim që e ka dalluar rrugëtimin e tij në krah të të pamundurve e të mënjanuarve të shoqërisë sonë. Duke shprehur mirënjohjen time më të thellë për punën e shkëlqyer të kryer nga paraardhësi i tij, Imzot George Frendo, i uroj mbarësi Imzot Arjan Dodaj në shërbesën e tij të re, për të mirën e përbashkët, paqen dhe shpresën në Shqipëri", shkruan Basha.

Ora 15:30
Dha dorëheqjen, Imzot George Frendo: Erdhi koha të lë vend për bari shumë më të ri! Shqiptarët do të mbeten në qendrën e zemrës sime

Në fjalimin e tij pas dorëheqjes nga kujdesi baritor i Kryedioqezës Mitropolitane Tiranë-Durrës (Shqipëri) Imzot George Frendo ka falënderuar Zotin dhe ata që e ndihmuan atë në këtë 'mision'.

Teksa kujton dy momente që 'luftoi' me vdekjen, 'betejën' me COVID para një viti dhe shtrimin në spital para 5 javësh pasi pati një iktus, Frendo thotë se kishte ardhur koha që ai t'i linte vendin një bariu shumë më të ri.

Në vend të tij Papa Françesku emëroi Arqipeshkv të Tiranës dhe Durrësit Arjan Dodaj, për të cilin Frendo shprehet se ka fituar të gjithë eksperiencën e nevojshme për të kryer me sukses këtë mision, gjatë 4 viteve që ka shërbyer si ndihmës i tij. Për Shqipërinë dhe shqiptarët, Frendo thotë se do të mbeten gjithmonë në qendrën e zemrës së tij.

Fjalimi i plotë:

Në të kaluarën, kur përurohej një Papë i ri, në ceremoninë e rastit, ndërsa digjej një fije liri, këndohej për tri herë një antifonë në latinisht: Sic transit gloria mundi, që do të thotë “Kështu kalon lavdia e botës”. Për fat të mirë, sot nuk këndohet më. Çdo pozitë në hierarkinë e Kishës nuk është aspak rast lavdie, përkundrazi, është rast shërbimi.

Më 3 dhjetor do të përkujtoj përvjetorin e pestë të përurimit tim si Arqipeshkvi i kësaj arqidioqeze. Dua ta falënderoj Zotin i cili për këtë mision më ka zgjedhur mua, me të gjitha mangësitë, dobësitë dhe paaftësitë e mia. Jam përpjekur t’i shërbej Kishës në këtë arqidioqezë, t’u jem afër meshtarëve, motrave, dhe të varfërve. Por tani erdhi koha të këndoj atë këngë shumë të bukur të Andrea Bocelli-t: Time to say goodbye. Dhe është koha të kërkoj sinqerisht falje prej Zotit dhe prej atyre që i kam fyer ndoshta pa dashje, të kërkoj falje prej Zotit dhe prej jush kur nuk ju kam dhënë shembullin e duhur si i krishterë dhe si bari.

Dhe tani presim ditën kur kjo arqidioqezë do t’i besohet Monsinjor Arjan Dodajt, i cili për katër vjet ka qenë, dhe ende është, për pak kohë, Ipeshkvi im Ndihmës. Kam shumë besim se do ta drejtojë dioqezën me shumë angazhim, dashuri, përvujtëri dhe, mbi gjithçka, me shumë besim dhe lutje. Gjatë këtyre katër viteve si ndihmësi im ka qenë shumë besnik ndaj meje, sigurisht se në këto katër vite si Ipeshkëv Ndihmës ka fituar shumë eksperiencë. Ka njohur shumë mirë dioqezën, dhe ka dhënë shembull shumë të mirë si bari shumë i zellshëm në lutje, shumë i devotshëm ndaj Zojës Mari, dhe shumë i kushtuar ndaj punës baritore. Ju nxis të luteni për të, sepse misioni i ipeshkvit nuk është i lehtë.

Para një viti kam qenë me Covid. U infektova më 1 nëntor, por pas dy javësh gjendja ime u përkeqësua goxha. Kolegët e mi më kanë dërguar në Itali (edhe pse unë isha kundër). Atje kam qëndruar për pesë javë, që më dukeshin si një amshim. Por gjatë atyre javëve vura re sa shumë isha lidhur me dashuri me popullin tim, i cili priste me shpresë kthimin tim. Por Zoti më tha: “Ende nuk kam vend për ty!” Para pesë javësh më kanë dërguar me urgjencë në spital, pasi pata një iktus. Kam qëndruar vetëm tri ditë në spital, sepse Zoti përsëri më tha: “Ende nuk kam vend për ty”. Por tani erdhi koha të lë vend për një tjetër, për një bari që është shumë më i ri, dhe është shqiptar, prandaj më familjar me historinë dhe kulturën e popullit tonë. Megjithatë nuk duhet të harrojmë se Kisha Katolike në Shqipëri ende është një Kishë misionare. Duhet të ndihemi shumë mirënjohës ndaj misionarëve dhe misionareve. Nuk mund të vazhdojmë me projektet tona baritore pa praninë dhe angazhimin e tyre. Bashkë me meshtarët dhe rregulltarët e rregulltaret shqiptarë duhet të falënderoj edhe ata e ato misionarë. Kanë qenë ata dhe ato që e kanë bërë e mundshme që Kisha Katolike në Shqipëri të lindë dhe të forcohet.

Përurimi i Arqipeshkvit të ri do të kremtohet me një ceremoni të veçantë dhe shumë të bukur. Data për këtë ceremoni do të jetë e shtunë paradite, më 22 janar. Në takimin që do të kem me meshtarët dhe rregulltarët më 13 dhjetor do t’ju jap më shumë detaje.

Pas shumë reflektimi dhe lutjeje, kam vendosur që pak ditë pas përurimit të Arqipeshkvit të ri të kthehem në vendlindjen time. Sinqerisht ju them se nuk do të jetë e lehtë për mua të largohem nga një vend që e kam dashur aq shumë, nga një popull që e kam dashur pa masë dhe që më ka dashur dhe respektuar më shumë sesa meritoja. Por Shqipëria dhe shqiptarët do të mbeten gjithmonë në qendrën e zemrës sime. Shumë faleminderit dhe ju premtoj lutjet e mia.

Ora 14:00
Imzot Arjan Dodaj u emërua Arqipeshkv i Kishës Katolike, Meta: Lajm i mirë! I bindur se do ta përmbushë me sukses misionin  

1638277251_2628667164438513271101087919139529639983612n.jpg

Emërimin në postin e Arqipeshkëvit të Arqidioqesës Tiranë-Durrës të imzot Arjan Dodajt, e ka përshëndetur edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

"E mirëprita me gëzim lajmin e emërimit nga Papa Françesku të Imzot Arjan Dodaj, në detyrën e rëndësishme, Arqipeshkëv i Arqidioqesës Tiranë-Durrës. Me urimin e përzemërt për punë të mbarë, shpreh bindjen e plotë se Imzot Arjan Dodaj, me dedikimin dhe shërbimin e njohur dhe të vlerësuar ndaj besimtarëve katolikë dhe popullit shqiptar, do ta përmbushë me sukses misionin e ngarkuar me detyrën e re", shkruan Meta në Facebook.

Ora 13:18
Papa emëron Arqipeshkv të Tiranës e Durrësit Arjan Dodaj, reagon Rama: Zoti qoftë me ju në këtë mision kaq fisnik

Kryeministri Edi Rama ka përgëzuar Arqipeshkvin e ri të Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës, Arjan Dodajn.

‘Papa Françesku emëron një Arqipeshkv shqiptar të lindur e rritur në Shqipëri, në krye të Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës! Urime ARJAN DODAJ dhe Zoti qoftë me Ju në këtë mision kaq fisnik!’- shkruan Rama.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Xhevo: 01/12/2021 03:30

    Ju lumte dhe ju faleminderit o Katolike te mire,te mencur dhe patriote. Sinqerisht. Jeni te vetmit religjoz qe e deshmoni me fjale dhe keshilla por dhe me vepra dashurine per Shqiperine dhe si te mposhtet e keqa. Fatkeqesisht,mbetemi nen thundren e komunizmit dhe bolshevizmit te kuadrit te bllokut. Kesaj radhe i perfaqesuar nga individi me i lig ndoshta edhe se Enver Hoxha. Ne duhet te na vije turp si popull qe nje zhgarravinist si Rama fryhet si gjel dhe ka kapir shtetin tone. Me fytura te urryera te krimit te organizuar si Lluca apo Doshi. Nuk ka rendesi se ca thote e ben as nje ambasade dhe as tjetra. Ne kemi pergjegjesi.

    Përgjigju
  • Klamenti XI: 30/11/2021 18:09

    Thuhet se imzot Arjan Dodaj eshte nga Laçi siç ishte edhe Klementi XI, a eshte e vërtetë ?

    Përgjigju
    • Patrioti: 04/12/2021 08:41

      Ka jetue ne laç por asht nga Mirdita.

  • Den: 30/11/2021 14:06

    Lajm shume i mire,bravo Papa Te gjitha komunitetet fetare duhet te drejtohen nga shqiptare Duhet shkruar ne kushtetute kjo,po kush ta shkruaj,politikanet tane ja kane shitur shpirtin djallit

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?