Kreu i PD Kamëz, Arjan Hoxha, sot në konferencë për mediat

Politikë

Arjan Hoxha nga selia blu: Rakip Suli ka dhënë leje ndërtimi në një zonë të shpallur të rrezikshme nga institucionet e shtetit, SPAK ta hetojë!

27 Dhjetor, 20:03| Përditesimi: 27 Dhjetor, 20:06

  • Share

Kryetari i degës së PD-së së Kamëz, Arjan Hoxha, denoncon kryebashkiakun socialist Rakip Suli se ka firmosur leje ndërtimi, në një zonë të shpallur të rrezikshme.

Ish-drejtuesi i Policisë dhe Burgjeve dha sot (27 Dhjetor) një konferencë për mediat, ku shpjegoi edhe shkeljet e të zgjedhurit vendor.

Sipas tij, pavarësisht paralajmërimeve të qarta nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) dhe Drejtoria Minerare, Rakip Suli ‘ka shpërfillur këto rekomandime dhe ka lejuar ndërtimet mbi një zonë të paqëndrueshme, duke rrezikuar jetën e qytetarëve dhe duke shpërdoruar hapur detyrën’.

“Rakip Suli ka detyrimin moral dhe ligjor për të mbrojtur banorët nga rreziqe që lidhen me ndërtimet e paqëndrueshme. Në këtë rast, ai ka lejuar ndërtime që përbëjnë një kërcënim serioz për jetën e qytetarëve. Rakip Suli duhet të mbajë përgjegjësi të plotë për veprimet e tij, si në lidhje me ndërtimet në zonën e Valiasit, ashtu edhe për manipulimet zgjedhore”, u shpreh Hoxha.

Më tej ai i bëri thirrje organeve të drejtësisë për hetime:

“Organet e drejtësisë duhet të ndërhyjnë menjëherë për: Hetimin e Rakip Sulit për shpërdorim të detyrës dhe veprime të tjera penale. Parandalimin e ndërtimeve të mëtejshme në zonën e rrezikshme të Valiasit. Garantimin që Rakip Suli të japë llogari për manipulimet zgjedhore dhe të gjitha shkeljet e tjera ligjore. Banorët e Kamzës dhe të Valiasit nuk mund të lihen në mëshirë të tekave dhe korrupsionit të Rakip Sulit dhe shërbëtorëve hajdutë të Ramës, që do marrin përgjigjen më 11 Maj”.

Hoxha shtoi gjithashtu se Suli është kallëzuar disa herë nga Partia Demokratike në SPAK për abuzime me detyrën, përfshirë vjedhjen dhe manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2023. Teksa sot renditi dhe akuzat e radhës; shpërdorimi i detyrës, rrezikimi i jetës së qytetarëve, moszbatimi i Ligjit për Planifikimin Urban.

Teksa në fund i apeloi në emër të PD që SPAK të niste hetimet.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?