Sociale

Monumenti më i madh mortor në Shqipëri, arkeologët e huaj në tumën e Kamenicës: Është e rrallë, por duhen investime

14 Korrik, 15:47| Përditesimi: 14 Korrik, 15:56

  • Share

Një sajt arkeologjik i rrallë, që daton prej shekullit XII p.K., tuma e Kamenicës është monumenti më i madh mortor i zbuluar në Shqipëri.

Së fundi, ajo është vizituar nga një grup ekspertësh nga Austria, përfshirë arkeologë, historianë dhe profesorë nga Universitetet e Vjenës dhe Salzburgut, në kuadër të një turi studimor në Shqipëri.

“Tuma e Kamenicës mbetet një pikë e rëndësishme për tu shpjeguar për historinë e saj. Është shumë e rëndësishme nga pikëpamja arkeologjike dhe antropologjike. Çështjet e datimeve janë gjëra që ne diskutuam. Grupi në fjalë janë ekspertë të fushës, ka arkeologë nga Universitete të Vienës dhe Salsburg-ut, historianë të antikitetit, filologë të latinishtes dhe greqishtes së vjetër, pra profesionalizmin e tyre e lidhin me zhvillimet në territor’, tha Olsi Lafe, arkeolog dhe udhërrëfyes kombëtar.

Ata vlerësuan punën shumëvjeçare kërkimore, duke e konsideruar Tumën një destinacion të domosdoshëm për studimin e historisë dhe antropologjisë së rajonit.

 “Punoj në departamentin e antikitetit në universitetin e Salsburgut dhe fokusi im janë arkeologjia nënujore dhe historia e mjekësisë. Shumë mbresëlënëse, më pëlqeu shumë. Një zonë shumë e rëndësishme këtu dhe nga sa dëgjova ka një lidhje mes vendodhjes dhe Tumës këtu, gjë që është shumë e rrallë’, tha Rupert Breitwieser, arkeolog.

 “Vij nga Viena dhe jam mësuese e latinishtes, ndaj jam shumë e interesuar për arkeologjinë e Ballkanit.  Ne kemi shumë studentë me origjinë nga vendet e Ballkanit, si: Maqedonia e Veriut, Bosnja, si edhe Shqipëria ndaj më shërben të kuptoj më shumë për vendet nga ata vijnë’, tha Annamaria Lesigang, mësuese e latinishtes

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, grupi ka vizituar edhe qytetet e Tiranës, Shkodrës dhe Elbasanit, si dhe site të tjera si Lini, ku panë nga afër gërmimet pranë liqenit dhe u mahnitën nga bukuria natyrore dhe pasuria arkeologjike.

 “Jemi duke vizituar sitet antike dhe prehistorike dhe ky vend është shumë i pasur. Është mahnitëse, kemi qenë më herët në një tur në Bullgari dhe aty kemi parë tuma të ngjashme, çka më kujtoi disi atë kulturë’, tha Barbara Beckenberger, mësuese e latinishtes

Sipas ekspertëve, Shqipëria ka vende të shumta që duhen vizituar, por ka më tepër nevojë për investime në kërkim dhe zbulim, fonde që duhet të ofrohen jo vetëm nga qeveria shqiptare, por edhe nga BE.

Tuma e Kamenicës është një nga vendbanimet prehistorike më të mëdha e më të njohura, ku janë evidentuar varre, skelete kockore, objekte arkeologjike si qeramikë, armë, stoli prej bronxi, hekuri, argjendi, ari, qelibari dhe kocke. Ky vendvarrim është monument kulture ku janë zbuluar rreth 425 skelete dhe 3600 objekte.

S.B/A.A/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Përplasja mes Lapajt e Shabanit për mandatin, kush mendoni se ka të drejtë?