Në varrezën e vjetër të Durrësit, një varr mermeri dallon nga të tjerët.
Forma katrore, ngjtra e errët, kryqi i madh mbi të, dhe hija që lëshojnë qiparisët e lartë, ia ndalin hapin kalimtarit që e viziton varrezën.
Një burrë i hijshëm, mjaft i njohur për veprat e tij në qytetin bregdetar pushon në banesën e fundit, së bashku me dy bashkëshortet e tij.
Bianca Maria Querini nga Venecia, dhe Juliana Kaçinari, me prejardhje nga Mitrovica, prej shumë vitesh ndajnë të njejtin vend me arkitektin inxhinjer Kristo Sotiri, një personazh i veçantë jo vetëm në Durrës, por edhe në Venecia, Bukuresht, Korçë, Tiranë e Durrës.
Tepër i njohur në fillim të shekullit të kaluar edhe për lidhjen me konteshën e re italiane, trashëguese veneciane, dhe pasardhëse nga një familje e Doxhëve të Venedikut, martesa e ark. Sotirit dhe konteshës Querini tërheq vemendjen e mediave të huaja, mes të cilave botohet nga Faik Konica në revistën “Albania” me titullin “Një martesë shqiptare në Venecia”.
Artikulli në gjuhën frënge për dasmën e dy të vluarve mbyllet me shënimin në gjuhën shqipe: “U trashëgofshin e u mplakshin”.
Profesor Arkitekt Kristo Sotiri dhe Bianca Maria Querini jetuan në Itali, Rumani dhe Shqipëri dhe u trashëguan me bijën e tyre të vetme Querina.
Pas 29 vjet martesë, në vitin 1932 bashkëshortja e arkitektit të njohur ndërron jetë në Durrës, aty ku pushon përgjithmonë trupi i saj
Pak vite më vonë arkitekt Sotiri martohet me Juliana Kaçinarin, me origjinë nga Mitrovica dhe me baanim në Tiranë, martesë nga e cila lindin Salvatori dhe Vangjeli.
Kristo Sotiri, Bianca Maria Querini dhe Juliana Kaçinari nuk jetojnë më. Pasardhësit e tyre janë kujdesur që lidhja e tyre të vazhdojë, në varrin e përbashkët, nën hijen e qiparisëve në varrezën e vjetër të qytetit antik.
Kush ishte prof. Ark. Kristo Sotiri ?
“I veshur me kostumin e tij blu e borsalinën e zezë, me karafilin e kuq në thilenë e xhaketës e cigaren “Diamant” në buzë, me trupin e bëshëm, ballin e lartë e sytë ëndërrues, ky burrë i çiltër, optimist, i shoqërueshëm e aktiv, i bënte për vehte njerëzit me praninë e sjelljen e tij”.
Kështu e përshkruan arkitektin Kristo Sotiri një nga bashkëkohësit e tij në Durrës.
Në vitin 1920 kur ai u kthye nga Evropa ku kishte studiuar dhe punuar në vendlindje ishte 50 vjeç. I martuar me një konteshë italiane dhe me një seri veprash të projektuara në Itali dhe Rumani “Kristo Sotiri senior” kishte marrë një vendim për të cilin nuk u pendua kurrë.
Kontributi i tij në Atdhe është nderuar me titullin “Qytetar nderi” nga Pogradeci, qyteti ky lindi, ndërsa Durrësi ku jetoi dhe punoi e ka shpallur “Njeriun e shekullit të XX”. Presidenti i Shqipërisë në vitin 2015 e ka nderuar me titullin e lartë “Nderi i Kombit” (pas vdekjes).
Kristo Sotiri u lind më 27 mars të vitit 1870 në qytetin piktoresk të Pogradecit. Ishte vetëm 10 vjeç, kur së bashku me nënën dhe tre vëllezërit e mëdhenj mërgoi në Tulça të Rumanisë, atje ku i jati, Vangjeli kishte filluar një tregti qeresteje dhe kishte hapur një fabrikë dërrasash.
Pasi mbaron shkollën e mesme në Galatz i jati e dërgon të mësojë për ekonomi komerciale në Padova të Italisë. Por shumë shpejt Kristo e kuptoi se pasioni i vjetër, vizatimi, e thërriste në një drejtim tjetër.
Në vitin 1895 ai diplomohet në degën e inxhinjerisë civile në Universitetin e Padovës dhe katër vjet më vonë në Akademinë e Arteve të Bukura të Venecias laurohet Arkitekt. Përveç punës në një studio private projektimi ark. Sotiri emërohet Inspektor i monumenteve të Venedikut.
Dokumentat dhe revistat e kohës i atribuojnë arkitektit të ri shqiptar kontributin në restaurimin e kubesë së kishës së Shën Marisë në Venecia.
Privatisht ai punon edhe për projektet e disa hoteleve dhe vilave në Lido të Venecias, në Gjenova dhe në Padova.
Tashmë Kristoja ynë është një arkitekt mjaft i kërkuar, sepse njihet edhe si skulptor që zbukuron fasadat dhe interierët e godinave me një hijeshi të veçantë.
Arkitekt Sotiri pranon ofertën e mbretëreshës rumune Elisabeta Karmen Silva dhe vendoset në oborrin mbretëror të Bukureshtit.
Vijon edhe në Rumani një periudhë e ethëshme dhe e frutshme pune, me projektet për stabilimentin e Banjave dhe Kazinonë në Kostancë, një tjetër varrezë monumentale po në këtë qytet, dhe godina të tjera në Bukuresht dhe Galatz.
Në vitin 1920 kur vendosi të lerë Rumaninë dhe të kthehet në Atdhe Kristo Sotiri fillimisht u vendos në Korçë, ku përveç leksioneve në Liceun francez projektoi dhe ndërtoi Mitropolinë, Kishën e Vllehëve si dhe mjaft godina private.
Në vitin 1924 ai thirret në kryeqytet nga Fan Noli, me të cilin njihej prej kohësh në mërgatën shqiptare të Bukureshtit.
Dy vjet më vonë familja e tij transferohet në Durrës, ndërsa e shoqja vdes disa vjet më vonë.
Qyteti bregdetar bëhet vendqëndrimi i tij i fundit dhe stacionet e mëparshme ku spikasin Venecia, Gjenova dhe Kostanca të bindin për dëshirën e pashprehur për të qëndruar dhe punuar pranë ujrave, si në Poradecin e dashur ku lindi.
Tregtarët durrsakë në vitin 1926 do ti ngarkonin atij ndërtimin në variantin e parë të një vile-dhuratë për presidentin e atëhershëm të republikës Ahmet Zogun. Më vonë ai bëhet arkitekt i Pallatit mbretëror dhe nga puna e tij përfiton mjaft edhe Durrësi.
Në mesin e viteve 1930 në krye të një grupi specialistësh, arkitekt Sotiri në rolin e një urbanisti shpalos Planin rregullues të Banjave (sot plazhi i Durrësit).
Më gjithçka të detajuar në perspektivën e afërt dhe të largët ky plan i zbatuar pjesërisht deri në vitin 1944 me vilat 1-2 katëshe të ndërturara në parcela të përcaktuara saktë mbetej e vetmja alternativë për të ardhmen e plazhit.
Ndërton në Shirokë Vilën rezidenciale mbretërore që pas çlirimit ka shërbyer si Shtëpi pushimi për fëmijë.
Po kështu dhjetra godina banimi me dyqane, pronë e tregtarëve të mëdhenj në Durrës, Elbasan dhe Korçë mbajnë firmën e tij.
Në kujtesën e bashkëkohësve arkitekt Kristo Sotiri vazhdon të jetë “njeriu punëtor, mjaft i afërt me të gjithë dhe me një humor shumë të këndshëm. Idetë e veprave të veta i vizatonte mbi paketën e cigareve, ndërsa pinim kafenë e mëngjesit” - kujton një nga bashkëpunëtorët e tij.
Ndërsa Salvatoiri, njëri nga dy djemtë e lindur pas martesës së dytë me Julianën, vajzë nga familja e njohur kosovare e Kaçinarëve kujtonte “shëtitjet e gjata në bregdet, miqtë dhe shokët e shumtë dhe kënaqësinë që më jepte puna pranë tij, kur e ndihmoja për të hedhur në letër të pastër skicat e punuara më parë”.
Arkitekti studiues Koço Miho në monografinë “Arkitekt Kristo Sotiri” (Shtëpia botuese Extra –Tiranë 2004) e ka përcaktuar Mauzoleun e Dëshmorëve në Durrës si “kënga e fundit e mjelmës”.
Ishte viti 1949 dhe arkitekt Sotiri po i drejtohej 80 vjetëve.
Atij iu desh të ngulmonte që Varreza e e kërkuar nga autoritetet komuniste të kishte formën e një godine dhe të ndërtohej në atë kodër, në këmbët e së cilës tani përfundon rruga hyrëse e qytetit, që mban emrin e Dëshmorëve.
Mauzoleu i Durrësit është i vetmi në të gjithë vendin që ka një godinë të stilit perëndimor me formë gjysëmovale disakatëshe me dy krahë që mbajnë në gji djemtë dhe vajzat që derdhën gjakun kundër pushtuesve.
Në moshën 83-vjeçare, njeriu që kishte punuar në disa prej shteteve më të njohura të Europës do të largohej qetësisht, pa menduar kurrë se duke u kthyer 33 vjet më parë në vendin e tij kishte gabuar.
Shqiperia ka shume personalitete te spikatur qe i kane bere nder kombit te tyre, ashtu sic eshte dhe ky arkitekt qe ka lene pas vepra te cilat i kane rezistuar kohes. Do te ishte shume mire qe ve mendja e mediave te perqendrohej me shume ne figura te tilla dhe jo vetem ne dukurite problematike qe ka Shqiperia sot.
Përgjigju