Për herë të parë në Tiranë po mbahet festivali “Bukë dhe zemër dhe kripë”, që bën bashkë arkitektë të njohur nga e gjithë bota. Mbi 150 ekipe ndërkombëtare arkitekturore janë të angazhuar për t’u dhënë jetë projekteve arkitektonike në të gjithë Shqipërinë.
Në këtë festival ka dhe ekspozita, të cilat tregojnë zhvillimin arkitekturor të vendit, si dhe projekte individuale të arkitektëve të njohur.”
Në këtë hapësirë janë të ekspozuara disa prej projekteve, që mbajnë emra të arkitektëve dhe studiove të njohura arkitektonike nga Spanja, Belgjika, Zvicra, Austria, Japonia, Kanadaja apo Amerika.
Martin Sobota, themelues i studios “City Foerster”, me bazë në Gjermani dhe në Hollandë, i specializuar në arkitekturë dhe në dizajn urban, ka rreth 20 vite që projekton në Shqipëri.
“Mendoj se ky festival është një shembull atmosfere për diskutimet që po mbahen e që mendoj është unik në botë. Është vërtet frymëzues. Disa nga arkitektët që kanë ardhur janë heronjtë e mi të rinisë. Mendoj është vizioni i Rasmës. Ai vërtet e sheh arkuitekturën si diçka, jo vetëm për të pasur një strehë apo për të bërë para, por si diçka për të transformuar Shqipërinë’, tha Martin Sobota, arkitekt (city foerster)
Festivali synon të nxitë dhe reflektimin kritik mbi të tashmen dhe të shkuarën, për të krijuar një të ardhme më të mirë për qytetarët dhe mjedisin.
Pikërisht këtë reflektim mbi mjedisin kërkon të sjellë me projektin e tij edhe arkitekti i njohur francez, Dominique Perrault, i cili njihet mes të tjerash edhe si projektuesi i Fshatit Olimpik në Paris.
“Festivali është rast shumë unik dhe mundësi për të parë lëvizjet e pabesueshnme lidhur me arkitekturën. Në Bienalen e Venecias ju keni propozime fantastike, por jo projekt. Në Tiranë ju keni disa propozime fantastike, por edhe një festival fantastik’, tha ai.
Ai rrëfen projektin e tij, që është një kullë ku përpiqet të sjellë ngjyra dhe gjelbërim në qytet.
“Ne po pikturojmë dhe dizenjojmë fasadën në mënyrë që të tregojë lumturi në arkitekturë dhe të sjellë prezencën e natyrës në qytet.”
Ndërsa Simona Malvezzi është bashkëthemeluese e studios “Kuehn Malvezzi” në Berlin në vitin 2001, një studio e vlerësuar, puna e së cilës është e fokusuar në hapësirat publike.
“Projekti im është një kullë afër Liqenit të Tiranës, vendosur në një vend interesant midis qendrës së qytetit dhe natyrës. Ideja është të ketë një formë që të kujton formën e liqenit’, tha ajo.
Festivali “Bukë dhe zemër” ka filluar mëngjesin e të premtes, ndërkohë që arkitektët do të diskutojnë për tre ditë për zhvillimin e arkitekturës nga e kaluara në të ardhmen.
Pjesë e festivalit që zgjat tre ditë do të jenë arkitektë të njohur, si: Stefano Boeri, Johan Anrys, Elora Hardy, Steven Holl, Beat Huesler apo Sam Chermayeff, Marco Casamonti, Emre Arolat, Andrea Caputo, dhe Kengo Kuma.
Festivali përveç evolucionit të arkitekturës synon të jetë edhe një festë mikëpritëse nga Shqipëria.
Komente
