Arkitekti Kreshnik Merxhani rrëfen përpjekjet për një ‘Fjalor të arkitekturës tradicionale në Gjirokastër’

11 Korrik 2019, 16:44| Përditesimi: 11 Korrik 2019, 16:55

  • Share

Arkitekt-restauratori Kreshnik Merxhani pas dhjetë vitesh punë kërkimore në terren, në Gjirokastër, prezanton rëndësinë e  fjalëve që përbëjnë fondin e trashëgimisë kulturore shqiptare.  Teksa rrëfen përpara audiencës se çdo gjë ka nisur vetvetiu, shpreh edhe dëshirën që ka, që në të ardhmen të arrijë që të realizojë një botim për “Fjalorin e Arkitekturës Tradicionale në Gjirokastër”.

“Gati dy vjet më parë nisëm këtë rrugëtim për gjurmët, që do të botohen në “Fjalorin e arkitekturës tradicionale në Gjirokastër”. Të gjitha shënimet janë mbledhur që prej 2007-s deri më sot, por sa vjen edhe pasurohen çdo ditë edhe më shumë nga gjirokastritët. Jemi në kushtet që çdo ditë edhe më shumë këto fjalë po i humbasim, sepse të gjalla janë deri tani vetëm falë një brezi, që nuk ka edhe shumë vite jetë”, shprehet arkitekti Kreshnik Merxhani.

Merxhani tregon se nevoja për të komunikuar me mjeshtrit e vjetër e bëri që të ndalë më shumë tek fjalët, si frëngjia, zare, gjunja, çatma edhe shumë të tjera.
“Mjeshtrit në Gjirokastër kanë gjuhën e tyre edhe shumë fjalë janë të panjohura për mua, sepse ne nuk i kemi një gjuhën teknike të arkitekturës, por janë të rëndësishme edhe sa pjesa jomatëriale e trashëgimisë sonë kulturore. Për shembull, në lidhje me sterën që përshkruan Kadare në veprën e tij, jam i bindur që shumica nuk e dinë se si funksionon. Por kjo nevojë nuk mjafton pa u shoqëruar me ilustrimin. E gjitha kjo vjen nga kurioziteti për të mësuar fjalën edhe për të kuptuar arkitekturën”, vijon më tej Merxhani.

Mungesa e një mediumi ku arkitektët të shprehen vazhdon që të jetë një problem i mbartur në vendin tonë, që nga vitet ’45 deri më sot.

“Para se të shkoja në Gjirokastër ne kishim një problem qoftë me arkitekturën apo edhe me terminologjinë. Kështu që fillimisht nisa të blejë disa fjalorë, që nuk ishin në qarkullim në gjuhën shqipe. Pas çlirimit, në ’45-n ndryshe nga gjithë bota, Shqipëria nuk ka një medium të vetë të arkitekturës, një revistë për arkitekturën. Ndërsa, nga arkitektura bashkëkohore që nuk e kishte mediumin e vet, pjesa e trashëgimisë kulturore edhe restaurimit arritën që të formatonin revistat e tyre, si “Etnografia”, “Monumentet” etj”, thotë arkitekti Kreshnik Merxhani.

Arkitekt-restauratori Kreshnik Merxhani fjalët që mbledh nga mjeshtërit do t’i botojë në të ardhmen në “Fjalorin për arkitekturën tradicionale të Gjirokastrës”.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?