Nga kisha ‘Naraç’ te ‘Lasgush Poradeci’, tri arkitektë përzgjedhin projektet më të mira bashkëkohore në trojet shqiptare: E quajmë arkitektura e thjeshtësisë së re!

29 Shkurt, 16:50| Përditesimi: 1 Mars, 10:52

  • Share

Tirane- ‘Fragmente të arkitekturës bashkëkohore shqiptare’ u prezantua këtë javë në zemër të Piramidës.

Në këtë vëllim të dytë, tri autorët, Nesila Hajdini, Blerta Vula dhe Armand Vokshi, kanë përzgjedhur 20 projekte nga Shqipëria, po aq nga Kosova, dhe 2 nga Maqedonia, duke bashkuar shqiptarët edhe në arkitekturën moderne.

“Mbi të gjitha janë arkitektë shqiptarë që kanë punuar në territorin shqiptarë dhe ne i kemi hequr barrierat”, thotë arkitekti Armand Vokshi.

Disa nga projektet e përzgjedhura janë vila ‘Shm’ në Klinë të Kosovës, ‘Focal house’ në Shkup, shkolla “Lasgush Poradeci” në Kombinat, Ambasada e Paqes në Tiranë, kisha “Naraç” në Shkodër apo xhamia e Ballies në Elbasan.

“Duhet të shtrojmë pyetjen: Çfarë do të lëmë ne, siç na lanë parardhësit tanë në arkitekturën e mrekullueshme që kemi në Shqipëri dhe në  të gjitha territoret shqiptare. Një traditë të mirë për tu zhvilluar, një traditë moderne shqiptare, qoftë me teknologji, por mbi të gjitha për mënyrën e jetesës që kërkohet”, thotë arkitekti Maksim Mitrojorgji.

Libri vjen tek dashamirësit e arkitekturës i rrëfyer jo vetëm përmes projekteve, por edhe mes historive që ka pas tyre.

“Ne donim që të dëgjoheshin edhe historitë e hartimit të projekteve, jo vetëm mes arkitektëve por edhe profesionistëve të fushave të tjera”, tha Blerta Vula, arkitekte dhe bashkëautore e librit.

Autorët, e të tjerë profesionistë vendas, e konsiderojnë këtë botim, si një mënyrë promovimi të arkitekturës bashkëkohore shqiptare, e njëherazi edhe kritikë.

“Gjatë viteve ’90 antiteza ishte një arkitekturë formaliste, butaforike, të paktën në Shqipëri. Dhe e shohim që ka marrë fund. Nuk shohim më arkitektura që nuk merret vesh se ku po shkonin. Aktualisht, ne e kemi quajtur arkitekturën e thjeshtësisë së re, që në fakt nëse e shohim pak më gjerë është edhe arkitektura globale moderne”, thotë Vokshi.

Përzgjedhja e bërë, ‘provokon’ edhe diskutimin për rrugëtimin jo të lehtë të arkitekturës në vend,  për të mbërritur në projekte kompetitive.

Autorët premtojnë se në ‘Fragmente të arkitekturës bashkëkohore shqiptare’, ka edhe modele të mira që janë lënë jashtë, duke menduar për to, mundësinë për një vëllim të tretë.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?