Kryeministri Edi Rama me drejtorin e AQSH-së, Ardit Bido

Arkiva Qendrore e Shtetit/ Mbi 200 milionë dokumente 'i dhurohen' publikut me një klik

15 Janar 2019, 07:34| Përditesimi: 15 Janar 2019, 07:39

  • Share

Përfundimi i procesit të shumëpritur të dixhitalizimit të dokumenteve të ruajtura në Arkivën Qendror të Shtetit do të mundësojë aksesin e të gjithë të interesuarve, duke nisur që nga studiuesit, e deri tek individë që kanë interesa të vazhdueshme ne gjetjen dhe shqyrtimin e dokumenteve. 

Mbi 200 milionë dokumente arkivore për shqiptarët dhe historinë e shtetit shqiptar, që prej vitesh kanë qenë vështirësisht të depërtueshme, sot janë lehtësisht të aksesueshme, falë jo vetëm transformimit të ambienteve, por edhe sistemit të  dixhitalizimit të dokumenteve arkivore.

“Tashmë kushdo i interesuar mund t’i kërkojë dhe konsultojë online ato përmes aplikacionit të ngjashëm me modulet e vendeve më të zhvilluara. Sikundër mund të aksesohen lehtësisht në institucionin arkivor, ku mjaftojnë vetëm 20 sekonda për t’u pajisur me  kartën e përdoruesit, sipas kategorive, çka u mundëson aksesin në çdo dokument.”, njofton institucioni në fjalë. Me këtë rast, dje Kryeministri Edi Rama vizitoi ambientet e reja tërësisht të modernizuara të Arkivit Shtetëror, ku të pranishëm ishin edhe studiues dhe historianë. Kryeministri Rama ka përgëzuar ekipin e DPA për modernizimin e dhe transformimin e Arkivës së Shtetit.

“Kjo është një punë e mirë e vitit të Skënderbeut, se u bë shkak për t’u fokusuar më shumë dhe për ta adresuar një plagë të vjetër të rëndë. Fakti që tani gjithçka është e dixhitalizueshme, edhe origjinalet nuk janë më e vetmja mundësi, është garanci e madhe për ruajtjen e tyre. Ndërkohë që patjetër duhet të përfundojmë atë të garantimit të të gjithë dokumenteve origjinalë në atë territorin e Shkozës dhe sigurisht të vazhdojmë me elementët e tjera që kanë të bëjnë me krijimin e të gjithë hapësirës komplekse dhe gjysmë rekreative për orët, ose momentet e pushimit. Por gjëja më e rëndësishme është që u arrit të mbrohet ajo që i mbijetoi deklasifikimit, nga pikëpamja materiale, jo nga pikëpamja përmbajtjesore,” deklaroi Kryeministri Rama.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, theksoi se dixhitalizimi ka rritur sigurinë në ruajtjen e dokumenteve origjinalë, por njëherësh i ka bërë edhe më të hapura arkivat për publikun, duke shpjeguar edhe procedurën online të regjistrimit dhe kërkimit të dokumenteve.

“Ajo çfarë bëhet, në fakt, është shumë e thjeshtë. Mjafton një fotografi. Vendoset për printim kjo kartë dhe mbaron e gjithë procedura në një periudhë prej 20 sekondash. Karta do vetëm 20 sekonda që të printohet. Printohet vetëm 1 herë në vit. Është falas. Arkivi online mund të bëhet nga shtëpia dhe është me pagesë,” shpjegoi Bido.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, sipas Bidos, janë bërë investime sa në 20 vite bashkë. “Për herë të parë janë bërë aq shumë investime në arkiv, sa në 20 vite sëbashku, gjatë Vitit të Skënderbeut dhe kemi arritur që të mundësojmë disa ndryshime tërësore për studiuesit dhe studentët veçanërisht. Ne kemi rritur prej qershorit kapacitetin skanues, nga 600 dokumente në ditë në 11701 dokumente në ditë. Pra, në 10 ditë pune ne skanojmë aq sa skanohej në një vit. Nuk ka më vonesa artificiale. Ky është ndryshimi thelbësor në pikëpamjen e sistemit,” shtoi ai.

Historiani Paskal Milo evidentoi faktin se kjo hapje e plotë e Arkivit është shumë e mirëpritur dhe u vlen shumë studiuesve. “Pas Luftës së Dytë Botërore arkivi, siç u ndërtua si strukturë, i hapur ka qenë për studiuesit, por ka qenë shumë i kufizuar në numër dhe në shfrytëzim dhe në rregullat e shfrytëzimit të arkivit. Ka qenë trajtuar pak a shumë si institucion sekret. Që të hyje në Arkivin e Shtetit para 50 vitesh, d.m.th., duhet të kishe autorizime të veçanta dhe kaloje në vrimën e gjilpërës. Pastaj erdhi duke u liberalizuar, derisa Arkivi tashmë është bërë i hapur për të gjithë studiuesit”.   

“Më në fund kemi arkiva digjitale për të gjithë. Sigurisht zgjidhen problemet e studiuesve shumë mirë, por, mbi të gjitha, arkiva bëhet e aksesueshme për të gjithë shtresat e popullsisë. Aspekti i dytë është kujdesi infrastrukturor, që me këto problematika që ka dhe vendi, mbështetja që iu bë propozimit të Këshillit dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave për sistemimin e vendruajtjes së arkivave në Shkozë është një lëvizje, e cila duhet të vazhdojë me investime të tjera,” u shpreh z. Vasil Tole , anëtar i Këshillit të Lartë  të Arkivave

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave është pajisur edhe me laboratorin i ri të restaurimit. "Një investim i bërë në kuadrin e Vitit të Skënderbeut dhe ka të bëjë pikërisht me ruajtjen e dokumenteve dhe restaurimin e tij. E kemi trajnuar gjithë stafin e restaurimit një muaj në laboratorin më të mirë në Europë, që është laboratori i Stambollit. Së dyti, kemi investuar në lëndën e parë, sepse sot restaurimi nuk është më një proces që ndërhyhet shumë lehtë, është një proces ku tenton t’i ruhesh sa më shumë origjinalitetit," u shpreh Drejtori Bido.  

Zhvillimet teknologjike në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave kanë sjellë edhe përafrimin e arkivave shqiptare me arkivat euvropiane. DPA është bërë pjesëtare me të drejta të plota e Fondacionit të Portalit të Arkivave Evropiane. Kjo e bën arkivin shqiptar të parin vend të Ballkanit Perëndimor pjesë e Portalit të Arkivave Europiane.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?