Arkivi ekspozon dokumentet origjinale/ Studiuesja prezanton librin 'Musine Kokalari, vetëdija e shkrimit dhe qëndresës'

25 Shkurt 2021, 16:05| Përditesimi: 25 Shkurt 2021, 16:20

  • Share

Në këtë muaj të Kujtesës Arkivi i Shtetit ka zgjedhur të nderojë figurën e shkrimtares së parë shqiptare Musine Kokalari (Adanë, 10 shkurt 1917 - Rrëshen, 13 gusht 1983). Përmes ekspozimit të dokumenteve origjinale, që ruhen në arkivin e këtij institucioni, si dosja e saj, letërkëmbime, fjalor i veprave, pjesë nga ditari në italisht i mbajtur gjatë jetës studentore në Universitetin La Sapienza të Romës, dokumentet si themeluesja e partisë social-demokrate  apo dhe fotografi në etapa të ndryshme të jetës janë ekspozuar për herë të parë në një hapësirë publike, sikundër është Kalaja e Tiranës.   

“Më vjen mirë që muaji i kujtesës i shpallur nga Ministria e Kulturës po krijon rrathë të tillë kaq të rëndësishëm dhe që institucionet e tjera po nxjerrin prej fondeve të tyre gjëra me kaq rëndësi”, thotë ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

“Kokalari është një nga figurat emblematike të vendit dhe me vjen mirë që jemi bashkë disa institucione për ta kujtuar përmes kësaj ekspozite në një hapësirë publike”, u shpreh drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha.

“Musineja frymëzon shumë, një atdhetare intelektuale qe nuk e ulte kokën përballë asgjëje. Dhe detyra jonë është që figura të tilla t’i sjellim tek qytetarët në këtë formë, sidomos tek të rinjtë në hapësira të tilla. Uroj që kjo ekspozitë me dorëshkrime të vjetra të kthehet në frymëzim”, thotë Ardit Bido, drejtori i Arkivit të Shtetit.

 “Unë flas përherë me shumë emocion për me të veçantën e familjes sonë dhe është më e spikatura ndaj qëndresës së diktaturës. Por mënyra më e mirë për ta bërë të njohur është futja e figurës së saj në kurrikulat shkollore sepse duhet ta njohin që fëmijë”, u shpreh stërmbesa Linda Kokalari.

Ndërsa, risi ishte botimi i librit “Musine Kokalari, vetëdija e shkrimit edhe qëndresës”, me referime të mbajtura në konferencën shkencore realizuar nga Biblioteka Kombëtare në vitin 2017, për 100-vjetorin e lindjes së Kokalarit. Sipas studiueses Persida Asllani, këto studime plotësojnë më shumë figurën e kësaj intelektualeje

 “Është përmbledhja me kumtesa të konferencës shkencore, me materiale të ndryshme, të cilat përbëjnë një dosje studimore për studiuesit e ardhshëm dhe mësuesit e gjimnazeve. Gjithashtu është edhe puna kërkimore që BK zhvilloi për dosjen e Musine Kokalarit, mbi të dhënat personale, dosjen e saj, mënyrën sesi u përndoq nga Sigurimi i Shtetit dhe mënyrën sesi i bëri ballë përndjekjes komuniste. Ndërsa, përmes vëzhgimit të dokumenteve ajo që të trondit është dhuna sistematike, gati perverse mbi personalitetin e një intelektualeje, por dhe qëndresa e saj e jashtëzakonshme. Prandaj botimi mban titullin,“Musine Kokalari, vetëdija e shkrimit dhe qëndresës”.

Asllani teksa i referohet shkrimit që Lasgush Poradeci ka bërë për “Siç më thotë nënua plakë” të Kokalarit në 1940, duke e cilësuar zënia e jetës, rrëfen edhe se asnjë figurë tjetër publike nuk ka shkruar më për të pas vitit 46, kur e dënuan me 20 vite burg, si sabotatore edhe armike e popullit

 “Në vitet 1938-’40, kur ajo nis dhe debuton me librat e parë, e jo përmes pseudonimeve, ka pas reagime shumë interesante, që vijnë nga shkrimtarë dhe kritikë, që shkruajnë dhe reflektojnë dukuritë në ato vite. Për mua është shumë interesant një shkrim i Lasgush Poradecit, që e ka cilësuar si ‘zënia e jetës’. Ndërsa në dosjen e saj mua, s’më ka rezultuar që intelektualët apo shkrimtarët e kohës të kenë shkruar për të apo veprën e saj pasi e dënuan, por për këtë duhet të vazhdojnë kërkimet”.

Musine Kokalari ka shkruar, “Siç më thoshte nënua plakë”, “Reth vatrës”, “Kolla e vdekjes” apo edhe “Si lindi Partia Socialdemokrate”.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Pyka: 25/02/2021 16:26

    Musine Kokalari....eshtë figura me e ndritur kohes moderne shqiptare...eshte modeli per shqiptaret qe jetojne aty....familje e MADHE..NJE MUSINE KOKALARI MUNGON ATY!!!!!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?