Foto ilustruese

Bota

Arma sekrete e Kinës në luftën tarifore me SHBA/ Frika që 'fshihet' në Wall Street

11 Prill, 15:34| Përditesimi: 11 Prill, 16:01

  • Share

Rikuperimi i tregjeve amerikane zgjati vetëm 24 orë. Mëngjesin e së enjtes, 10 prill, tregu i aksioneve në New York u hap me rënie të ndjeshme: indeksi Dow Jones ra me 1.6%, Nasdaq humbi 2.66%, ndërsa S&P 500 u ul me 2.04%. Klima e pasigurisë vazhdon, pavarësisht tërheqjes së pjesshme të presidentit amerikan Donald Trump.

Të mërkurën, 9 prill, Trump njoftoi një “moratorium” 90-ditor për disa vende që janë përfshirë në përplasjen e tarifave të ndërsjella. Megjithatë, qëndrimi i tij ndaj Kinës nuk ka ndryshuar përkundrazi, ai e ka përshkallëzuar më tej situatën duke propozuar tarifa doganore deri në 125%.

Reagimi nga Pekini ka qenë i menjëhershëm:

Kina vendosi tarifa deri në 84% mbi produktet e importuara nga SHBA.

Përplasja mes dy ekonomive më të mëdha të botës po shkakton shqetësim të madh në tregjet financiare, me efekt zinxhir që prek kompanitë dhe më tej qeveritë. Pyetja kryesore tani është: kush do të tërhiqet i pari?

Financa amerikane ka filluar të trembet se Kina mund të përdorë një armë të fortë ekonomike: svalutimin e monedhës së saj kombëtare, Yuan-it. Shenjat janë të dukshme Yuan ka rënë në nivelin më të ulët ndaj dollarit në 17 vitet e fundit. Banka Qendrore e Kinës ka lejuar rënien e kursit të këmbimit për gjashtë ditë rresht. Një devalvim më i fortë i Yuan-it mund të neutralizojë, në praktikë, efektin e tarifave doganore të vendosura nga SHBA.

Rreziku është që lufta tregtare të shndërrohet në një përplasje të plotë ekonomike, me garë për svalutime mes monedhave të tjera globale. Kjo mund të ulë vlerën e prodhimit, të ndikojë në inflacionin, investimet dhe pagat dhe në thelb të ngadalësojë rritjen ekonomike.

Edhe për Kinën, kjo është një strategji me rrezik: ndonëse svalutimi mund të ndihmojë eksportet, ai gjithashtu mund të shkaktojë një ikje masive dhe të pakontrolluar të kapitalit nga vendi. Për këtë arsye, deri tani investitorët ndërkombëtarë e kanë konsideruar këtë skenar si të pamundur. Por jo më. Të paktën jo për sa kohë Trump vazhdon kursin e përballjes me Pekinin./Corriere Della Sera

H.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?