Dëmtimi në tendinë është më i rëndë sesa pritej për Armando Brojën dhe Everton nuk do ketë ende gati sulmuesin e Kombëtares të huazuar nga Chelsea.
Doktori amerikan Rajpal Brar ka shpjeguar për “Godison News” se si është situata aktuale e Brojës dhe sipas fjalëve të tij, futbollisti nuk mund të kthehet në kohë për të ndihmuar Shqipërinë në ndeshjet e nëntorit në Ligën e Kombeve.
“Puna e tij e përditshme do të jetë një kombinim i progresit në stërvitje, progresit në forcë dhe gjendjen fizike si dhe trajtim për të kuruar ndonjë dhimbje apo mosfunksionim në tendinin e Akilit apo zona të tjera.
Për të shmangur të papritura të pakëndshme është kthimi gradual dhe metodik te programi i lojës. Ai është ende disa javë larg kthimit në stërvitje të plotë me ekipin dhe objektivi i radhës do të ishte që të kthehej në fushën me bar për punë individuale”, shpjegoi doktori.
Kështu Broja duket larg rikthimit në Kombëtare për ndeshjet e nëntorit kundër Çekisë dhe Ukrainës, të cilat luhen në "Air Albania" në datat 16 dhe 19.