Prej një muaji e gjysmë, nga 9 janari 2025 Armando Broja vijon të jetë jashtë fushave të lojës dhe kështu duket se do jetë edhe në javët në vijim. Dëmtimi i kyçit në këmbën e djathtë ka qenë më i vështirë nga sa është menduar dhe këtë e ka zbuluar për "Goddison News" Rajpal Brar, mjeku specialist për rikuperimin nga lëndime të tilla.
Sipas tij Armando do duhet të bashkohet në fushën e stërvitjes vetëm pas javës së dytë të marsit dhe do shihet ecuria për një ngarkesë të plotë fizike. Rajpal Brar thotë se kjo vjen pasi Broja vuan nga "një këputje e plotë në ligamentet e shumëfishta të kyçit të këmbës".
"Me dëmtimet e këmbës dhe kyçit të këmbës, mund të jetë e vështirë të dallosh shtrirjen e plotë të dëmtimit në ditët e para dhe plani i rehabilitimit mund të luhatet në varësi të mënyrës sesi lojtari reagon.
Duket sikur ai ka një këputje të plotë në ligamentet e shumëfishta të kyçit të këmbës, e cila është një pistë e gjatë për rikuperim, plus ai tashmë ka humbur një kohë të konsiderueshme pas lëndimit të ligamentit në gjurin e këmbës.
Rehabilitimi? Çelësi për të reduktuar rrezikun e pengesave është një plan rehabilitimi metodik dhe rikthimi në lojë. Ai nuk pritet të kthehet deri në javën e dytë të marsit", tha mjeku Rajpal Brar.
Duket se Everton dhe trajneri Moyes nuk do e kenë gati Brojën edhe për disa javë, çka do të thotë se sulmuesi do mungojë edhe për Kombëtaren në ndeshjet e muajit mars kundër Anglisë dhe Andorrës.
Komente
