Pas triumfit të Argjentinës në finalen e Kupës së Amerikës, Enzo Fernandez shpërndau një video të vetes dhe bashkëlojtarëve të tij duke kënduar këngë raciste kundër ekipit dhe lojtarëve të Francës.
“Ata luajnë për Francën, por prindërit e tyre janë nga Angola. Nëna e tyre është nga Kameruni, ndërsa babai nga Nigeria. Por pasaporta e tyre është franceze”, ishin vargjet e këngës.
Për këtë veprim të tyre, Federata e Futbollit të Francës ka marrë vendimin për të ndërmarrë veprime ligjore ndaj Argjentinës dhe lojtarëve të saj. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Chelsea, që ka nisur një proces disiplinor për lojtarin e vet, Fernandez.
Ndërkohë të shumtë kanë qenë bashkëlojtarët e tij te Chelsea që e kanë larguar argjentinasin nga rrjetet sociale, një prej tyre edhe Armando Broja.
Këto reagime kanë bërë që vetë mesfushori të kërkojë falje.
“Dua të kërkoj falje sinqerisht për një video të postuar në faqen time gjatë festimeve të Kombëtares. Kënga përfshin një gjuhë shumë fyese dhe nuk ka absolutisht asnjë justifikim për këto fjalë.
Unë qëndroj kundër diskriminimit në të gjitha format dhe kërkoj falje që jam kapur në euforinë e festimeve tona të Copa America. Ajo video, ai moment, ato fjalë, nuk pasqyrojnë bindjet apo karakterin tim. Më vjen vërtet keq”, shkroi Fernandez në kanalet e komunikimit.