Armatimi modern në Papër, hija e grupit të 'Sakatit' pas 15 armëve tek karburanti

13 Shtator 2019, 21:16| Përditesimi: 14 Shtator 2019, 10:00

  • Share

Megjithëse gjyqtarja e Elbasanit Pajtime Fetahu vendosi të lirojë nga burgu biznesmenin Ilir Beko kundrejt garancisë pasurore prej 50 milion lekë të vjetra, hetimet e policisë dhe prokurorisë së Elbasanit për gjetjen e autorëve që posedonin 15 armët moderne të sekuestruara në Papër, janë përqendruar në një grup kriminal të zonës. Informacionet e mbërritura në rrugë operative tregojnë se armatimin dhe municionet e sekuestruara në një bodrum të karburantit “Eldio Petrol”, dyshohet se i përkasin anëtarëve të grupit, që drejtohet nga një person dhe që në zonën e Elbasanit mban nofkën “Sakati”.

Hija e këtij grupi shfaqet jo vetëm tek pronësia e këtij armatimi por edhe tek atentati me armë ndaj dy vëllezërve Klevin dhe Aldo Baho. Për momentin ky person ndodhet në burg në Itali, por anëtarët e këtij grupi veprojnë në Elbasan, kryesisht në zonën e Peqinit dhe jo vetëm. Disa nga pjesëtarët e këtij grupi kohët e fundit qëndronin shpesh në ambientet e lokalit dhe hotelit, që është pjesë e karburantit “Eldio Petrol”, në pronësi të tregtarit të naftës Ilir Beko.

Gjatë këqyrjes së armëve për të fiksuar gjurmë gishti ka rezultuar se këtij të fundit nuk i ka dalë asnjë gjurmë gishti. Por fakti që armatimi modern dhe municioni i gjetur në pronën e tij, e ka kompromentuar pozicionin e tij. Ka dyshime të bazuara në indicie se personat e këtij grupi kriminal që qëndronin kohët e fundit në lokalin dhe hotelin e “Eldio Petrol”, mund të kenë strehuar armatimin pikërisht në ambientet e braktisura të këtij karburanti. Deri në këto momente për prokurorinë dhe policinë e Elbasanit, dyshimet janë tek ky grup kriminal, por nuk janë siguruar prova për lidhjen e ndonjërit prej tyre për posedimin e armëve.

Shumë teknika operative dhe metoda speciale të hetimit janë kryer gjatë kësaj kohe, por deri në këto momente nuk kanë sjellë asnjë rezultat. Gjithsesi kjo dosje vijon të jetë e hapur në policinë e Elbasanit, ku një grup hetimor po meret me të.Sipas procesverbalit të sekuestrimit të armëve thuhet se:”…ka rezultuar se në godinën që ndodhet në krahun e majtë të rrugës automobilistike Elbasan-Peqin, në brendësi të saj, nën shkallët, të cilat të çojnë në bodrumin e kësaj godine dhe pikërisht në cepin juglindor të saj, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, në një çantë një sasi e madhe armësh dhe municionesh si dhe materiale të ndryshme aksesorë dhe tesha. Në total janë gjetur 15 armë të kalibrave të ndryshëm,disa çanta me aksesorë, fishekë, material të ndryshme armësh dhe veshje të ndryshme…”.

Disa nga armët ishin të mbështjella me gazeta italiane, çka dyshohet se ky armatim ka hyrë në territorin shqiptar nga Italia. Disa nga armët janë prodhim modern dhe që përdoren nga ushtritë e NATO-s. Armët janë gjetur mëngjesin e 1 korrikut 2019, gjatë një kontrolli të forcave RENEA, pasi disa orë para zbulimit të armëve ishte vrarë në një atentat Klevin Baho dhe ishte plagosur rëndë Albo Baho.

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?