Municioni si 'ar' në tregun global, mund të prodhojë Shqipëria? Meçollari: Kemi përvojën e 50 viteve! Na duhet një partner i fuqishëm

20 Mars, 13:09| Përditesimi: 20 Mars, 17:10

  • Share

TIRANE- Dy vatra konflikti të armatosur, një në Evropë e tjetra jo shumë larg në Lindjen e Mesme, kanë shumëfishuar ‘urinë’ për armatim si kurrë më parë në këto 35 vite pas rënies së komunizmit, gjë që ka vënë në lëvizje edhe diplomacinë botërore. Jashtë këtyre diskutimeve nuk mund të mbetej Shqipëria e cila mori propozimin direkt nga Presidenti ukrainas Zelensky për bashkëprodhim armësh, ndërsa vetëm të dielën në asamblenë e socialistëve, Kryeministri Rama paralajmëroi investime të mëdha.

“Sot, ne duhet të investojmë më shumë në mbrojtje...ky është edhe një moment tjetër historik për rrethanat e krijuara që na e imponon këtë për ta bërë me mendësinë dhe me standardet e NATO-s... Duke hapur kapitullin e investimeve të mëdha private në industrinë moderne ushtarake” deklaroi Rama më 17 mars 2024

Një investigim i La Repubblika i botuar pak ditë më parë theksonte si globi është vënë i gjithi në kërkim të municioneve, ndërsa në pazarin e madh global, i populluar nga tregtarë që ofrojnë produkte me cilësi të dyshimtë dhe kërkojnë çmime shumë të larta, po shikohen alternativa.

Por a mund të bëhet Shqipëria pjesë e këtij tregu?

“Kuptohet ne kemi eksperiencën e së kaluarës. Gati 50 vite ne kemi prodhuar municione në Poliçan , kemi prodhuar municione kryesisht për armë individuale dhe për mortaja. Nuk kemi prodhuar asnjë municione për topa. Por ekziston njohuria. Kuptohet gjendja e të tre uzinave në një situatë sot e cila nuk mundet të riaktivizohet me teknologjinë që kanë” thotë Artur Meçollari, ish ushtarak

Investigimet në mediat ndërkombëtare thonë se ka një lloj municioni që të gjithë po e kërkojnë në treg, plumbat 155 mm që përdoren për topa. Tani kërkohet edhe nga izraelitët. Para sulmit në Kiev kushtonte rreth 1200 euro, një vit më pas norma arriti në 3300 euro dhe pas fillimit të ofensivës në Gaza u rrit në 8000 euro. Ish ushtaraku Artur Meccollari tregon për Report Tv nëse Shqipëria mund të prodhojë apo jo kalibër të tillë municioni.

“Me teknologjinë që kemi natyrisht që nuk e prodhojmë. Ne nuk kemi prodhuar asnjëherë asnjë municion të artilerisë. Por kuptohet, duke pasur partner të fuqishëm, që kanë dëshirë për të investuar në një vend ku fuqia punëtore është e ulët, ka një vlerë të ulët. Ka një vlerë investimi në këto fushë. Por kuptohet edhe duke pasur parasysh që t’i sigurohet biznesi. Ka mundësi të bëhet, jo vetëm për 155 mm por edhe për kalibrat e tjerë” vijon më tej. 

Por në cilën prej fabrikave të ushtrisë shqiptare mund të realizohet?

“Duhet një teknologji e re. Ka problematika për riaktivizimin e këtyre tre uzinave, qoftë edhe për pozicionin ku ato gjenden pasi teknologjia e re e sotme e prodhimit të municioneve kërkon njerëz me edukim njohuri goxha profesional, gjë që në këto rajone sot është e vështirë të gjenden. Kryesisht qendrat e banuara kanë njerëz me edukim të tillë” tregon Meçollari.

Në frontin e luftës me Rusinë, Ukrainës i nevojiten të paktën 7 mijë plumba në ditë, me një kërkesë për 2024 prej dy milionë e gjysmë. Aktualisht ukrainasit qëllojnë dy mijë çdo 24 orë, ndërsa vëllimi i zjarrit rus është pesë herë më i lartë: një breshëri që hap rrugën për përparimin e Moskës. Për ta ndihmuar Kievin e gjithë perëndimi është në lëvizje në të gjithë globin, ndërsa roli i Shqipërisë mund të jetë i rëndësishëm.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?