Kronikë

Armëmbajtja pa leje në Shqipëri, mes ligjit të rëndë dhe një amnistie potenciale! Eksperti: Duhet një aksion! Qytetarët i ‘shkëmbejnë’ vetëm me siguri

9 Mars, 15:22| Përditesimi: 9 Mars, 15:35

  • Share

Një 65-vjeçar nga fshati Bicaj i Kukësit, u vendos nën hetim kur në gusht të 2023-shi dorëzoi një arsenal të tërë armësh të trashëguar që nga 1997-a, kallashnikov, pistoleta, mijëra fishekë dhe armë të tjera. Edhe pse akti ishte vullnetar parashikimet ligjore nuk e shpëtuan nga ndjekja penale, ndërkohë që sipas ligjit armëmbajtja pa leje e armëve dënohet deri në 7 vjet burg.

Për këtë situatë ligjore, por edhe realitetin në territor ku armët, sidomos ato të trashëguara prej ’97-ës, mendohet edhe sipas inteligjencës policore të jenë me mijëra të fshehura, shpesh në publik është diskutuar mundësia e një amnistie. 

“Ndoshta dhe një amnisti për armët do të ishte e mirë për qytetarët që i posedojnë, një amnisti 6 mujore. Nëse do ofrohej një vlerë, do thoni ju ç' punë kemi të blejmë armë, nuk po paguajmë dot pensionistët, por armët kursejnë jetë, nuk është kaq e thjesht”,  tha Artan Rexhepi – Kriminalist.

Eksperti kriminalist Artan Rexhepi për Report Tv thotë ligji duhet zbutur.

“Legjislacioni jep dënime shumë të rënda, jep dënim të ngjashme me vrasjen. Ndoshta duhet liberalizuar politika e armatosjes së njerëzve. Kur flas për armatim, nuk flas për armatim që të mbahet në shtëpi. Armatim që të mbahet me vete për qytetarë të rregullt, që ndihen të kërcënuar, që plotësojnë kushtet, kanë një biznes, të testuar nga psikologu. Nëse u kapet një armë pa leje të bëjnë 7 dhe 17 vjet, se ai që e mban pa leje, në momentin që ka mundësinë për ta mbajtur me leje, nuk ka arsye tjetër që ta mbajë veçse për krim”, thotë eksperti.

Vetëm vitin e kaluar, janë 1303 raste të konstatuara, me çdo rast arrestim. Por pse mbajnë armë shqiptarët?

“Armëmbajtje pa leje mund të ketë edhe një qytetar që ndihet i kërcënuar. Vëllain mund ta ketë në burg për një vepër penale, ka bërë një vrasje. Ne e dimë shumë mirë që pa ia marrë gjakun, pavarësisht se ai mund të bëj 25 vjet ose burg përjetë, nuk e kuptoj çfarë hakmarrje duhet më, që t'i vrasësh familjen. Ndonjëherë është e detyrueshme që ta mbajë armën”.

Vitin e kaluara policia goditi 41 raste të trafikimit të armëve, kryesisht nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, ndërsa statistikat e viteve të fundit kanë treguar se në duart e shqiptarëve nuk ka vetëm armë të trashëguara. Armët e reja perëndimore lulëzojnë tregjet.

“Pjesa më e madhe nuk është se mbajnë armë të trashëguara. Po të shikoni, TT janë me pakicë, janë markat Glock e Bereta, që janë marka perëndimore që janë të ardhura, të blera kontrabandë”

Në këtë situatë edhe rritja e sigurisë do i bindte njerëzit të dorëzonin armët e trashëguara.

“Rritja e sigurisë, kuptohet, do t'i bënte t'i dorëzonin”, përfundon Artan Rexhepi.

Rexhepi shton një amnisti e mundshme, e cila është e nevojshme në çdo formë që zgjidhet për t’u bërë, si një kusht që ajo të funksionojë është domosdoshmëri të shoqërohet edhe me një punë më të madhe të policisë për ta goditur armëmbajtjen pa leje.

K.T./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 10/03/2025 04:31

    Shqiptari historikisht ka qene i lidhur ngushte me armet,por duhet bere dallim.Nuk mund t'a arrestosh dike kur e fton te dorezoje armen edhe sikur t'a kete pasur pa leje.Ketu e kam fjalen per mbledhjen e dorezimin vullnetar te armeve dhe jo kur i thua nje krimineli /Dorezo,ose hidh armen!/ kur kapet ne flagrance me te.Gjithashtu nuk jam per liberalizimin e armembajtjes.Disa profesione si ata qe shesin bizhuteri,ose kambistet,njerezit e drejtesise te mbajne dhe mundet,por te tjeret nuk mendoj se duhet te mbajne arme.Thjesht nuk kemi aq pjekuri dhe aq gjakftohtesi per kete pune,na punon me shpejt koburja se truri.Per shtimin e sigurise jam dakord,por kjo behet vetem me ashpersimin e ligjeve ndaj krimineleve.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Grupi i PS në listë të hapur, përveç drejtuesve politikë, si iu duket?