Armenia ka nevojë për një kushtetutë të re. Kështu u shpreh kryeministri armen, Nikol Pashinyan.
“Unë kam pohuar në disa biseda pune me ministrin e drejtësisë se për mendimin tim, si dhe sipas një numri kolegësh të mi, Republika e Armenisë ka nevojë për një kushtetutë të re. Jo amendamente kushtetuese, por një kushtetutë të re. Unë po e bëj këtë opinion publik për të nisur një diskutim më të gjerë. Armenia duhet të ketë një kushtetutë të miratuar nga populli i vendit nëpërmjet një votimi, i cili nuk do të ngrejë dyshime. Ky është një aspekt tjetër i rëndësishëm lidhur me legjitimitetin”, tha Pashinyan në një takim me personelin e Ministrisë së Drejtësisë, raporton Reuters.
Sipas tij, Armenia ka nevojë për një kushtetutë që do ta bënte atë “më konkurruese dhe të zbatueshme në situatën e re gjeopolitike dhe rajonale”.